Blog

Kamarja e turpit - Në vitin e Skënderbeut promovohet Erdogani!?

Nga: Ndue Ukaj

Shoqëria shqiptare duhet të jetë e vetëdijshme për rrënjët e aleancës komuniste me otomanizmin. Ato janë të shumta, të vjetra dhe shfaqen në secilën stinë, herë të kamufluara në emër të OJQ-ve, herë të afishuara në emër të ndonjë udhëheqësi politik, por gjithmonë me një qëllim të qartë: për t’i penguar shqiptarët drejt rikthimit të tyre në perëndim. Ky mision i tyre, i filluar nga bandat esadiste, para një shekulli, është zhvilluar nga komunistët shqiptarë, që luftuan me gjithë aparatin e tyre çnjerëzor, të çrrënjosnin nga tokat shqiptare, çdo gjë që ishte perëndimore, duke vrarë dhe pushkatuar pjesën më të fisme të kombit, dhe, duke krijuar njeriun e ri, pa parime shpirtërore dhe kulturore. Pasojat e këtij rendi shoqëror, i vuajnë shumë popuj, por asnjë më shumë se shqiptarët, të cilët, ndonëse të lirë, lëngojnë dhe ende vazhdojnë të jenë në zgrip të kontinentit Europian, edhe pse në të kaluarën e largët, ata, në të vërtetë, ishin në qendër të tij.

Nëse e lexojmë historinë shqiptare, shenjat dhe tipologjitë që e karakterizojnë atë, e shohim qartë se, si pasojë e ndikimit otoman dhe komunist, shqiptarët mbeten të shkapërderdhur, të prapambetur, me institucione të brishta, me kriza identitare dhe me varfëri të pashembullt.

Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar dhe njëri nga të rrallët që ka guxuar të mbajë lart flamurin europian të shqiptarëve, përballë këtyre ideologjive rrënuese, në librin, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, shkruan: “Gjithë shekullin XX do të sundonte aleanca e pashpallur e otomanizmit me komunizmin.”

Në fakt, kjo aleancë e pashpallur, për të cilën flet me të drejtë Kadare, është bartur edhe në kohën e sotme dhe sundon mbi synimet dhe aspiratat historike të kombit shqiptar, për t’u bashkuar, dhe, për të jetuar me dinjitet në kontinentin prej të cilit u shkëput si pasojë e aksidentit fatal historik.

Shkrimtari Kadare, në vazhdën e një kulture të shtresuar nga shkrimtarë të mëdhenj të traditës, si Fishta, Konica, Noli, Koliqi, Kuteli, etj., përballë rrezikut që i kanoset kombit, nuk është strukur në lavdinë e tij prej shkrimtari, por e ka ngritur lart flamurin e Gjergj Kastriotit, në shumë vepra letrare dhe eseistikë, dhe njëkohësisht ka stigmatizuar pa kompromis, gjithë ata që u shërbejnë bandave esadiste dhe komuniste të çdo kohe.

Kështu, shkrimtari i madh shqiptar, përmes veprës së tij letrare dhe eseistike, ka ngulur një heshtë të fortë në zemrën e atyre që nuk duan të shqiten nga mendësia otomane e përzierë me atë komuniste. Të tillët, për fat të keq, nuk janë pak. Ata janë në Tiranë dhe në Prishtinë, dhe, përmes një aleancë të pashpallur, po sundojnë kombin shqiptar dhe po e pengojnë të ecë krahpërkrah me popujt e përparuar të perëndimit.

Kadare dhe vepra e tij, kanë trazuar ndërgjegjen shqiptare, por jo edhe udhëheqësit shqiptarë të Tiranës dhe të Prishtinës, që në vitin kushtuar Gjergj Kastriotit, patën guxim që, më së shumti, të promovonin partizanin e otomanizmit, Erdoganin.

Në kushte normale, ky vit do të duhej të shfrytëzohej për të ngritur vetëdijen kulturore, politike dhe kombëtare të shqiptarëve, por një gjë e tillë, deri me tani nuk ka ndodhur. Përkundrazi, në këtë vit, politika shqiptare, në Prishtine dhe Tiranë, ka bërë marrina të shumta, me çka ka përbuzur krejt atë çfarë në të vërtetë përfaqëson Gjergj Kastrioti dhe fryma e tij politike dhe kulturore.

Shqiptarët janë duke kaluar nëpër një krizë serioze, të shumëfishtë, dhe shkaktarët, nuk janë të jashtëm, por janë vetë udhëheqësit që i shërbejnë symbyllazi komunizmit dhe otomanizmit, së bashku me ata intelektualë, udhëheqës institucionesh të pavarura, që kanë zgjedhur qasjen e një politike korrekte, tipike marksiste, të heshtjes dhe të strukjes.

Kombi shqiptar, ndonëse ka përqafuar demokracinë si formë të qeverisjes dhe synon integrimet perëndimore, ai në të vërtetë qeveriset nga koncepte joperëndimore. Si pasojë e kësaj qeverisje, tash e sa vite, sorollatemi dhe s'dimë të dallojmë çka është normale nga çka nuk është normale.

Koncepti i "atdheut", siç gjykohet, më shumë i ngjet koncept të "truallit", prandaj, në jetën politike shqiptare, ende nuk bëhet fjalë për vlera kombëtare, shtetërore, e as për dobi të përbashkëta.

Shkrimtari Ismail Kadare, këtë fenomen e trajton mjeshtërisht te romani "Kamarja e turpit", dhe përmes një personazhi, thotë: “Shqipëria nuk bëhet me pasha, por me princ. Me pasha mund të bësh një pashallëk, por jo një shtet.” Më tej, shkrimtari këtë fenomen e shpjegon, duke përmendur figurën qendrore të historisë shqiptare, Skënderbeun, dhe, duke folur për të, shpjegon arsyen pse shqiptarët i shkuan pas atij, i cili vërtet kishte pak topa e ushtri, por kishte ide të mëdha. Kjo ishte arsyeja, pse Shqipëria i shkoi pas atij dhe jo atyre që përfaqësonin konceptin e truallit dhe të topave.

Politika shqiptare, nuk ka një ide të madhe, një ide fisnike, që tejkalon moçalin e primitivizmit dhe të provincializmit tonë. Pra, pa një ide të qartë e të madhe, nuk mund t' i shpëtohet kamares së turpit, ku është vendosur tash e sa kohë ideja e atdheut, që është bastarduar deri në ide të truallit, me të cilin mund të bësh çfarë të duash: ta ndash, ta ndërrosh, ta shesësh, ta falësh.

Udhëheqësit shqiptarë, tash e sa vite, s’i kanë hapur portat për të depërtuar vlerat e demokracisë perëndimore, idetë humane, kulturore dhe intelektuale, që shpien drejt progresit dhe të jetuarit me dinjitet në mesin e kombeve të tjera të përparuara, por i kanë hapur portat për ide destruktive, të kamufluara, që bëjnë shpërlarje të trurit. Si pasojë e këtyre lëvizjeve, shqiptarët, vazhdojnë të jenë pre e dogmave dhe zgjatim i politikave destruktive, sepse përfaqësohen nga figura që u shërbejnë me devocion ideve komuniste dhe otomane.

Kjo mbase mund të jetë arsyeja, pse shoqëria shqiptare, ndonëse të lirë, që sa vite, vërtitet rreth tri a katër temave, që ia kanë lidhur lakun në fyt. Ndërkaq, në anën tjetër, gjatë kësaj kohe, janë krijuar karagjozë të politikës dhe autoritete të rreme në opinionin publik, që shtetin e kuptojnë si truall, me të cilin mund të bëjnë çka të duan.

Shoqëria shqiptare, më shumë se kurrë, duhet të bëjë paqe me vetveten dhe t’i përtërijë raportet me perëndimin, për t’i vendosur rishtas interest e saj në hartën e vendeve të lira.

Tagged under Ndue Ukaj Skenderbeu