Blog

Zoti dhe e vërteta logjike!

Nga: Lis Bukuroca

Mos shaj dhe mos kërcëno një njeri, pse nuk beson religjionin tënd, por kritiko dhe sulmo atë zot, që ti beson, që nuk ka as dëshirë, as mundësi, as fuqi, as dije për ta bërë atë njeri me atë fe, që beson ti dhe që ia dëshiron atij. Nëse ti vërtetë beson në një zot të mirë, të drejtë, të gjithëdijshëm dhe të gjithëfuqishëm, atëherë ai njeri, me atë religjion të gabuar, është prodhim i atij zoti tolerant, ose oportunist!

Mos shaj dhe mos diskrimino një njeri për shkak të racës, origjinës, gjuhës, besimit apo pamjes së tij. Ai nuk ka zgjedhur as racën, as vendin ku lindet, as gjuhën, që flet, as besimin, që beson, e as pamjen e jashtme, që ka.  Meqenëse njeriu lindet pa vendimin e tij dhe pa pasur mundësi të zgjedhë vendin dhe kulturën, atëherë qorto dhe merr në pyetje Zotin, që beson, pse nuk e ka bërë atë, mu si të pëlqen ty!

Disa religjione, me norma të ndryshme, nuk mund të kenë të njëjtin zot dhe nuk besojnë të njëjtin zot, sepse ashtu si një shtet që nuk mund të ketë disa kushtetuta dhe disa kryetarë, edhe i njëjti zot nuk mund të ketë disa libra të shenjtë. Sikur të ndodhte kjo dhe ai të ishte i fuqishëm, atëherë do ta ndryshonte vet, e nuk do të priste ta ndryshojë fëmija i tij, si prindi që nuk pret të furnizohet me ushqime nga foshnja e tij!

Sikur të ekzistonte vetëm një religjion, atëherë mund të besohej se ekziston vetëm një zot, por meqenëse kemi qindra besime dhe fraksione, atëherë ose zoti është demokrat, ose nuk i intereson çfarë beson njeriu, ose nuk ka fuqi për të ndryshuar ata, ose nuk i intereson besimi fetar, ose ai nuk ekziston!

Sikur zoti të kishte dëshiruar njeriun me religjion, çdo kombi do t’i kishte dërguar besimin në gjuhën e tij, sepse ai dinte se nuk kishte fakultete për përkthyes!

Sikur zoti të ishte fetar dhe të kishte krijuar një fe, do të kishte fuqi për ta mbrojtur religjionin e drejtë, ose do të kishte lindur njeriun me një religjion, siç e lind me dëshirën për t’u shumuar!

Religjioni nuk është asgjë tjetër pos pushtet i njeriut mbi masën, edhe atë, vetëm me një libër! Sikur të mos i kishte konvenuar shtetit, do ta kishte ndaluar qysh në lindje, por meqenëse feja mund të hipnotizojë turmën, atëherë shteti ka dobi nga një masë e fjetur, pasive dhe që beson se pas vdekjes kënaqet, kështu kleri dhe politikanët, kënaqen për së gjalli!

Në libra fetarë flasin edhe kafshët! Kjo shpjegon krejt doktrinën!

Në librat fetarë vëllai martohet me motrën! Kjo shpjegon krejt inteligjencën e njeriut, jo të zotit!

Sa herë shpërthejnë luftërat fetare, dëshmohet mosekzistenca e zotit!

Sikur të ekzistonte ai, Enver Hoxha nuk do të kishte mundur kurrë të ndalojë religjionin e zotit!

Jeta jonë është pasojë e vendimeve tona, jo e vendimeve hyjnore. Nuk ka fat, nuk ka zot, që vihet në shërbimin tonë, por ka vendime të mira dhe të gabueshme! Personaliteti jonë është rezultat vetëm i vendimeve tona, ose vendimeve të huaja për ne! Nëse pranojmë imponime, atëherë i quajmë fat, por në fakt, nuk është, është vetëm pasqyrë e përtacisë sonë dhe mospërdorimit të trurit vetjak për të marrë vendime vet.

Demokracia lejon të dyshuarit, të menduarit, teokracia e ndalon të menduarit në emër të zotit dhe urdhëron vetëm të besuarit. Nuk e ndalon zoti por njeriu përdor atë për përfitime të veta dhe për pushtet mbi njeriun! Pa dyshime, nuk bëhet asnjë zhvillim, me besim, nuk bëhet asnjë zbulim!

Sikur të ekzistonte zoti, do të kishte zgjedhur njerëzit, se kush mund të flasë në emër të tij! 

Religjionet krijojnë grupe. Grupi krijon paragjykime ndaj grupit tjetër dhe ndalon martesën me pjesëtarë të grupit tjetër. Nëse mënjanojmë besimin, zhdukim edhe urrejtjen ndaj të tjerëve!

Zoti nuk ka asnjë dobi nga nënshtrimi i njeriut! Njeriu ëndërron përfitime!

Dysho, mos beso, por lejo të besuarit! Kjo siguron paqen në mes njerëzve dhe popujve!

 

Tagged under Lis Bukuroca