Blog

Miti i tolerancës shqiptare!

Nga: Nezir Kraki

Më duket mit ideja që e paraqet popullin shqiptar si tolerant. Toleranca është shumë më e gjerë se sjellja jonë dashamirëse që e kemi karshi njëri-tjetrit në rrethana krejt normale. Tolerancën e mundëson edukimi apo, në kuptim edhe më përfshirës, emancipimi. Populli ynë, për arsye që dihen, nuk e ka arritur kurrë nivelin e shoqërisë së hapur. Sepse, kurrë s’e ka arritur as nivelin e shoqërisë. Toleranca jonë ndalet në pragun e shtëpisë sonë ose në kufirin e rrethit tonë komunitar.

Atëherë krejt thjeshtë, ç’është toleranca?
Në kuptimim më bazik, toleranca është kapaciteti ynë që ta kuptojmë tjetrin duke e pranuar atë ashtu siç është dhe duke e vlerësuar anën e tij më të mirë. Ne nuk dimë ta bëjmë këtë, nuk e kemi bërë kurrë. Ne s’e njohim tjetrin si diçka normale sepse sa herë që tjetri ka ardhur në trojet tona, ka ardhur ose si vrasës ose si sundues ose të dyja bashkë. Rrethanat historike dhe politike na kanë obliguar ta sigurojmë mbijetesën duke jetuar në familje dhe në komunitet, jo në shoqëri apo shtet. Për pasojë, shekujt i kemi kaluar gati hermetikisht të mbyllur ndaj botës dhe ndikimeve të saj. Derisa bota ecte, ne, "teprica demografike e Ballkanit", luteshim që pushtuesi ynë i radhës të ishte më i butë se ai i momentit. Eshtë për të pyetur nëse edhe Zoti na kishte harruar.

Natyrshëm, rrezet evropiane illuminuese të shekujve XVII e XVIII nuk arritën kurrë në trevat tona. Idetë ndriçuese për individin dhe ushqyese për shoqërinë tek ne erdhën dy shekuj më vonë. Kur Rousseau me bashkëkohas shkrinte mend për ta thurur mendimin e popujve, këndejpari, hëna ishte ndriçimi i vetëm që na ofrohej, domethënë iluminizmi ynë ishte terri. Gjërat s'u bënë më të thjeshta kur shekujt "me hënë" ia lanë vendin shekullit me barbari.

Kur e gjithë kjo u krye, domethënë kur 6 shekuj shkuan pa na tjetërsuar, ne e takuam botën për herë të parë. E takuam tjetrin dhe e pamë se nuk ishim në kalendarin e njëjtë. Për ne, vitet e dekadat thjesht kishin kaluar nëpër kalendar. Boshti i përpjekjeve tona ishte e drejta për jetë, të drejtat e tjera na dukeshin luks.

Tash jemi pjesë e një bote që s’e njohim. Pjesë e disa vlerave që s’i pranojmë. Në mesin e tyre liria individuale dhe toleranca. Tash që e shohim edhe tjetrin me veset dhe zakonet e tij, nuk provojmë ta kuptojmë, por kemi frikë nga ai. Kjo i bie që s’jemi solid sa pretendojmë se jemi. Forcën dhe tolerancën i kemi fiksion, s’janë brenda nesh.

Për këto arsye e shumë tjera që s’i thashë, unë nuk pres që papritmas ne të tregohemi tolerantë dhe të hiqemi sikur kemi udhëtuar shekujve të mendimit. 
Nuk pres tolerancë sepse nuk kam prova të mendimit në mesin tonë, mendim kolektiv e kam fjalën.

Domethënë, nuk kam prova që jemi në këtë shekull dhe as në këtë kontinent.