Blog

Në ç’humnera media ka rënë?!

Nga: Çapajev Gjokutaj

Shumica e mediave e përcollën lajmin e vdekjes së Fatos Arapit me të njëjtin tekst, kopjuar nga wikipedia shqip. Shquan gjuha e thatë, me tone të theksuara burokratike.

Ironi therëse. Poeti që përdori një shqipe të zgjedhur dhe thellësisht origjinale në fjalor, në metaforikë, madje edhe në strukturë, përcillet me një njoftim stereotip e parafabrikat.

Shumë pak vend i lanë mediat poetit në ditën e lamtumirës. Hierarkia zyrtare e politike as që e vuri re vdekjen e tij. Kurse Akademia e Shkencave, arriti të bëlbëzonte diçka mes gjumit të thellë pleqëror.

Ndërkohë, mediat buçusnin nga lajmet për Babalen, me thënie dhe kundërthënie që rrokulliseshin studiove televizive, faqeve të para të gazetave, xhunglës së portaleve.

Mes kësaj zallamahie groteske, njerëzit e ndershëm që janë bërë më të ndjeshëm e më fisnikë edhe duke lexuar vargjet e Fatos Arapit, gjenin sadopak ngushëllim se u kujtoheshin ca gjëra.

Paralelja Arapi - Babale u sillte ndër mend paralelen Jezu - Baraba dhe qëndrimin e turmës trushkulur që preferoi lirimin e banditit dhe kryqëzimin e shpëtimtarit. Faqja e zezë nuk të dogëndiska shumë kur e shikon se ke shokë, madje edhe biblike.

Teksti mediokër që e përcolli Fatos Arapin në shumicën e mediave, harresa zyrtare dhe akademike dukeshin si të bëra enkas për të jehuar me vargjet e tij:

“Jetojmë nër male të lartë,

ku qiellin me dorë mund të zëmë

dhe prapë:

në ç’humnera kemi rënë!

Hej, vënd,

që ngjyrat e Jonit,

erërat e portokallit plot me lule

mbyll

në një vorbë fasule.

Dhe ndihesh

i pasur në varfërinë tënde,

i lirë

në robërinë tënde…

Hej, vënd,

që, prej dhimbjes, më bën të çmendem”.

Nuk është se i bëmë ndonjë padrejtësi poetit. Iku i qetë se e dinte që rron e do të rrojë në panteonin e poezisë kombëtare. Thjeshtë ravijëzuam edhe një herë profilin tonë publik, mbisunduar nga mediokriteti dhe kotësia.