Blog

Gjëja

Nga: Mimoza Ahmeti

E kishin mbështjellë. Sigurisht vetëm një pjesë të saj. Madje as atë.
Kishin mbështjellë mendjen. Aq sa të orientoheshin brenda saj. Dhe këtë e quanin gjëja.
Ata diskutonin rreth saj si qenie, si realitet dhe kush nuk i njihte këto, jetonte në ëndërr. Po prapë, brenda gjësë.
Edhe kur takoheshin, pyesnin njeri-tjetrin:
Ҁ’kemi ndonjë gjë?

Gjëja ishte potenciali i tyre. Por edhe kjo nuk qe e vërtetë.
Ata ishin të pafundëm, por askush prej tyre nuk e besonte pafundësinë e vet.
Kështu gjëja u bë shpirt dhe u identifikua me mundësitë.
Në të vërtetë shpirti ishte i paidentifikueshëm. Ai madhërisht hapej në qeliza, kur gjëja harrohej.
Vetëm atëherë solar pleksus çlirohej nga pesha e përgjegjësisë dhe merrte frymë lirisht. 
Pesha e gjësë nuk qe, por kristalizimi i rrethanës së parë, e cila si çdo tjetër ishte prej ere.
Shumica e tyre ndërronin jetë kur nuk frynte erë, kur nuk rymonte. 
Por as kjo nuk i bëri të kuptonin apo qoftë të vinin re rëndësinë e erës.

Tagged under Mimoza Ahmeti