Blog

Vallë shteti më i rëndësishëm se kombi?!

Nga: Xhevdet Nasufi

Është e natyrshme dhe njerëzore që në politikë dhe punë të bëhen lëshime dhe gabime. Por kur përsëriten lëshimet në politikë dhe tregëtohet me ta si në treg, kjo është e palejueshme. Këto pastaj nuk janë gabime dhe lëshime të kuptueshme, të natyrshme, por marrin dimensione të tjera që tejkalojnë përgjegjësinë e zakonshme dhe transferohen në krim politik. Politika e maqedonasve në Maqedoni që nga ndarja prej ish-Federatës Jugosllave tradicionalisht është zhvilluar mes dy krahëve politikë të strukturuar djathas dhe majtas, por që nuk kanë patur dallime në rrafshin e marëdhënieve ndaj shqiptarëve, në raportin e tyre ndaj shtetit, as edhe në raportin shtet-shqiptar. Shteti tradicionalisht është krijuar dhe ka funksionuar si i maqedonasve.   

Krahu i majtë i politikës maqedonase ka konceptin e ndërtuar ideor nga Gligorovi dhe i pasuar nga Crvenkovski. Në raport me shqiptarët ky koncept politik nuk ka pësuar ndryshime të mëdha edhe sot kur këtë rrymë politike të majtë maqedone e manaxhon Zoran Zaevi. Bile çuditërisht, në momente më të volitshme politike për shqiptarët për tu faktorizua, pikërisht në kohën e Zoran Zaevit u regjistruan dekadenca apsurde: Marrëveshja e Przhinos; Ndërtimi i Qeverisë së Zaevit; Marëveshja e Prespës, tani ndryshimet kushtetuese. Pikërisht në këto momente dhe zhvillime shqiptarët jo vetëm që me “elegance” u vetëpërjashtuan nga proçeset inkluzive shtetërore, por ndodhi e kundërta, mbeten me gisht në gojë si kompensim për tërë përkushtimin e tyre ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve.      

Krahu i djathtë i bllokut politik maqedonas përfaqsohej nga VMRO. Këtu dallojmë kohën kur lider ishte Lupço Georgievski dhe kohën e Nikola Gruevskit. Gjersa i pari karakterizohet me hijen e rëndë të propagandës agresive antishqiptare paraelektorale në vitet 90 (ka shqiptarë, por në veçanti politikanë shqiptarë që e paragjykojnë Lupçon), në praktikimin e manaxhimit të qeverisë me PDSH (1998-2002) jo që nuk e manifestoi ate propagandë antishqiptare (isha për katër vite anëtar i qeverisë dhe zëvëndës i Lupços pikërisht në kohën e krizës më të madhe të Maqedonisë) por e kundërta, u bë elementi vendosës me Arbër Xhaferin që shqiptarët të arrijnë për të parën herë objektivin e bashkëqeverisjes dhe bashkëvendosjes në Qeveri dhe në Shtet. Këtë objektiv dhe sukses të arritur atëherë askush nuk mund ta vlerësojë si të përkryer, por gjithsesi të pakaluar dhe të paarritur gjer tani. Për dallim nga Lupçoja, Gruevski pos që arriti nga qeverisja të eleminojë dhe të mos respektojë konceptin e bashkëqeverisjes dhe bashkëvendosjes me shqiptarët (paraprakisht këtë e trasoi Crvenkovski në Qeverinë 2002-2006), arriti të përjashtojë nga vendosja për çështjet me interes shtetëror dhe kombëtar edhe vetë maqedonasit.

Së pari, përjashtoi bllokun e majtë politik maqedonas, që pastaj instaloi mbi demokracin partiake vetvehten. Në fund, Gruevski mbaroi në uzurpimin fatal të tri pushteteve në vënd. Kështu personifikimi i politikës shtetrore dhe asaj ndëretnike në individ, domosdoshëm promovoi politikën kur ligji mbron individë të caktuar, komunitete dhe etni të caktuara. Tradicionalisht, ky koncept i qeverisjes në fund u konvertua në kriminalitet politik dhe mbaroi në despotizëm. Në këtë rrafsh, ai me mënçuri sipas disa indikacioneve futi edhe shqiptarët, të cilët po ashtu u bënë pjesë e politikës së inkriminuar qëllimshëm, që pastaj edhe të shantazhohen lehtësisht (?!) Prandaj, sot nuk janë të shurdhër zërat shqiptar pro pajtimit të krimit me jokrimin.  

Miq të dashur, pajtimi dhe amnistimi është gjest i shenjtë njerëzor. Por, pajtimi dhe amnistimi bëhen vetëm atëherë kur nuk sulmohet shteti, siguria juridike, kur paqa sfidohet nga paqëndrueshmëria.   

Sidoqoftë, Zaevi në emër të një pajtimi iracional, ashtu si edhe me referendumin, ngriti lart tensionet në vend (presionet e faktorit relevant ndërkombëtar nuk ishin hershëm të projektuara por u sfiduan nga brënda), sa që shqiptarëve as nuk ua dha mundësinë të hapin gojen,e jo më të mbërrin diçka të pritshme, legjitime me ndryshimet kushtetuese.

Dhe si përfundim, i tërë ky mozaik politik nga të dy krahët politikë maqedonas nihmoi bashkarisht rrugëtimin kah konsolidimi i shtetit, kombit maqedonas të kontestuar jo pak në rajon, por edhe faktorizimin e rëndësishëm ndërkombëtar të shtetit.

Politiken shqiptare pas luftës së 2001 e përfaqson BDI, parti poilitike që sipas vokacionit është dashur të shkoj djathas formalisht, por as formalisht, e jo më përmbajtësisht, u stacionua majtas, bile në të majten ekstreme që më shumë impenjon stilin e tejkaluar të vëllazërim-bashkimit mes të pabarabartëve. Vetvetiu kjo epilogon në konformizëm i cili nuk sjell progres, më së pakti për shqiptarët. Orientimi i këtillë politik i BDI-së rezultoi me faktin se po trajtohen shqiptarët si komb më pak i rëndësishëm se Shteti dhe integrimi, gjë që përbën non sens.    

Sot Shqiptarët politikbërës jan të pazëshëm. Kur ngrejnë zërin bëhen më katolikë se Papa. Përkushtimi i këtillë është për/nënçmues. Kur e dëgjojmë Bujarin në rolin e moderatorit politik për të animuar shqiptarët për gjoja suksesin historik të integrimeve (i tij dhe i të tijve), por jo vetëm, Talatin sesi ngritet mbi interesat e shqiptarëve me vlerësimin se Ligji plot mangësi për Shqipen mundet të presë, pas referendumit dhe Prespës, kjo dëshmon se janë edhe më demokratë se demokratët, dhe më maqedonas se maqedonasit. Utopi!        

Pra, iluzion është se kjo garniturë politike shqiptare do e godasë politikën e domokratëve të rinj të rrejshëm maqedonas e shqiptarë, apo se do e braktisë vetimpenjimin neokomunist: Më i rëndësishëm është shteti se kombi. Po ashtu, idealiste janë tezat gjithnjë më të zëshme të politikanëve shqiptarë dhe të shkencëtarëve pacifistë nën petkun e politikes, se Marëveshja e Ohrit bëhet efektive kur të miratohet Ligji për gjuhët, apo se ajo nuk e ka lejuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Bile, është neveritëse kjo tezë kur shpaloset bashkë me mbështetjen e hapur për “moshapjen” e ndryshimeve në Kushtetutë edhe për nevojat e shqiptarëve. Mos vallë,dikush mendon të bëjë luftë përsëri dhe të hapë kushtetuten? Përfundimisht, tezat e këtilla flasin për mungesë të ideve dhe vizionit, flasin për mosnjohje të zhvillimeve politike në Maqedoni, flasin për mosnjohje të funksionimit të shteteve shumetnike.

Tagged under Xhevdet Nasufi