Blog

Merimanga kombëtare

Nga: Ndue Ukaj

Át Gjon Shllaku, një erudit i pushkatuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, në librin e tij “Shqiptari-Frati-Shqipnia”, ka një shkrim me titull “Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm”, në të cilin, pos tjerash, para lexuesit sjell një ngjarje që lidhet me kohën e pushtimit të fuqive austro-hungareze në Shqipëri. Ai e sjell rrëfimin për një tregtar, të cilin, një ditë e kishte vizituar një oficer austriak. Dhe, mes tregtarit dhe oficerit ishte biseduar për gjendjen e Shqipërisë. 

Tregtari i tregonte oficerit sesa poshtë kishte mbetë Shqipëria në gjitha pikëpamjet në krahasim me të gjitha shtetet e Ballkanit. 
“Do t’a dijsh zotni, - i a pritëka tregtari- se asht Turku qi për katërgjint vjetë e ma shumë nuk na la kanë me çue krye e perparue”- dhe vazhdoi t’ia shpjegojë gjendjen e gjatë të vuajtjeve të kombit shqiptar, ndërkaq, oficeri austriak iu përgjigj:
“Asht e vërtetë gjithëshka thoni Ju, por njatë pluhurë marimange që po e shoh njatje në skaj të murit a thue ndoshta Turku i Aizis nuk të ka lanë me e hjekë prej andej?”
Sigurisht, tregtari, pas kësaj bisede ka mbetë i habitur dhe pa fjalë. Ka pasë mundësi ta pastronte merimangën ose të vazhdonte me të njëjtën logjikë të akuzonte tjerët për prapambeturinë e vendit të tij. Kurse, Át Shllaku shkrimin e tij vazhdon, duke thënë se, “vendi ynë është mbushë me këso merimangash që me pluhurë të veta e kanë mbulue kryekëput shpirtin e shqiptarit e vijon gjithnjë me endë lirisht në trollin e Shqipnis.”
Secili shqiptar e di se trojet e tyre, edhe sot, janë të mbushura me këso merimanga, të shpërndara kudo, më së shumti në ato institucionet përgjegjëse udhëheqëse që janë të ngarkuara me detyrën për t’iu rregulluar jetën shqiptarëve, ekonominë dhe kulturën e përgjithshme: te daljes nga letargjia dhe primitivizmi. 
Shqiptarët e trullosur, vazhdojnë të jetojnë në mjerim, me shërbimë publike minimale, të sakatosur dhe të ligështuar, pa parë ndonjë dritëshpresë në tunelin e errët ku janë katandisur. Dhe, arsyet e kësaj gjendje, nuk janë diku tjetër, larg nesh. Ato janë brenda nesh. Janë si ajo merimanga e tregtarit, që ndodhet pas kokës sonë dhe në kokën tonë, por të cilën nuk duam ta shohim. 
Pa dyshim, ka edhe faktorë tjerë, kryesisht historikë, që kanë penguar emancipimin dhe zhvillimin tonë, siç janë pasojat e rënda nga sundimi barbar osman, ai komunist dhe serb, që kanë lënë vragë të thella në ndërgjegjen kombëtare. 
Por, ka dekada prej kur shqiptarët jetojnë të lirë dhe nuk i pengon askush të heqin merimangën, por ata nuk kanë ndonjë faktor që mund t’iu jap forcë, dije, qëndrese, shpresë, dashuri për vendin, për të kërkuar rrugën e humbur drejt emancipimit dhe lartësimit kombëtar. 
Kjo mbase mund të jetë arsyeja pse shqiptarët kudo i dëgjon, duke humbur kohë me debate për arsyet e mjerimit tonë, por që s’duan të dëgjojnë ose ta shohin merimangën prapa kokës së tyre. 
Sot, klasa drejtuese shqiptare është me dije të cektë, me kapacitete të kufizuara intelektuale dhe me dashuri të munguar për atdheun. Them me dashuri të munguar, sepse, udhëheqësia shqiptare, veç parullave patriotike të qullëta, nuk u ka dhënë shqiptarëve dinjitet dhe liri të brendshme. Sepse, patriotizëm është të ngresh dinjitetin e qytetarëve të vendit tënd dhe jo të rrahësh gjoksin për tema të mëdha. Duke u marrë me tema të mëdha, kjo udhëheqësi e ka varfëruar popullin shqiptar dhe ka “harruar” se, nuk është krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Sepse, shteti, para së gjithash janë njerëzit. Kjo shprehje proverbiale ka rrjedhë biblike dhe është postulat i shteteve moderne dhe humane. 
A ka ndonjë faktor që vërtet kërkon të hiqet kjo merimangë nga jeta kombëtare?
Nëse e marrim për bazë si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët, si sillen mediat dhe institucionet e dijes në raport me udhëheqësinë, mundemi me thanë se, ata nuk bëjnë asgjë më shumë sesa ia zgjasin jetën kësaj klase të padenjë për të udhëhequr një komb, dhe, kjo të shpie te përgjigjja negative lidhur me pyetjen e mësipërme. 
Duke u marrë kaq shumë me tema të mëdha, kjo klasë politike e ka goditur rëndë dinjitetin e njeriut, duke e tkurrur deri në hiçgjë, duke ia grabitur shpresat, lirinë e brendshme dhe kjo është arsyeja pse sot shqiptarët kudo i sheh të plogësht e të pashpresë, duke mos dëgjuar kënd të thotë: lum unë për vendin tim. Përkundrazi, ata përditë i dëgjon tek thonë: mjerë ne për vendin tonë, ne nuk vlejmë asgjë… Po, sepse kjo klasë udhëheqëse, shqiptarët i ka lënë pa shpresa, të varfër, të papunë, të pa dinjitet, prandaj, rruga e emancipimit për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar, tani për tani duket e humbur. Së paku jo, derisa nuk vetëdijësohemi t’i heqim merimangat që gjenden kudo mes nesh.

Tagged under Ndue Ukaj