Blog

Si politika zhgënjeu brezat dhe u vodhi shpresat?

Nga: Keijsi Haçi*

Ngjarje të përsëritura dhe rotacione të pavlefshme politike.

Ky është realiteti me të cilin jemi ndeshur e jetojmë dhe sot në Shqipëri. U mendua se e gjithë kjo rrokopujë politike u la pas e u harrua në vitet 90-të, kur shqiptarët gënjyen veten duke besuar se vuajtjeve të tyre u erdhi fundi. Menduam se një epokë e re dhe plot shpresë po shihej në horizont në vendin më të varfër të Ballkanit, por në fakt realiteti na ka servirur një pseudodemokraci, e cila e ka mbërthyer vendin fort nëpërmjet disa pseudopolitikanëve.

Edhe sa breza duhet të largohen të zhgënjyer dhe të mbushur me mllef nga ky vend?

Nuk është se nuk ka pasur mundësi të shpëtohet ky vend në këta 29 vjet post diktaturë. Në të vërtetë, është zgjedhur të vidhet, të shfrytëzohet, të merret sa të mundet nga ky popull, në mënyrë që e ashtëquajtura “elita politike” të kënaqet me pakëz pushtet dhe të jetojë mbi zullumin e krijuar nga vetë ata. Në gjithë këto vite jemi rrotulluar rreth vetes e për asnjë moment nuk kemi mundur te gjejmë zgjidhje; na rrethojnë po ata njerëz e po ato alternativa. Ne thjesht bëjmë sikur votojmë e kryejmë rotacione emra partish, por aspak ndryshim idesh dhe alternativash prosperiteti.

Nuk arrij të shpjegoj se ku qëndrojnë arsyet e vërteta të kësaj rrokopuje politike, por nuk mund të pranoj që për hir të saj, ky vend të mbetet pa u zhvilluar dhe në vatrat e njerëzve të thjeshtë (shumicës) të qëndrojë ulur këmbëkryq varfëria.

Nuk gjej arsye përse të mos donim të krijonim një shtet me struktura e institucione të drejta, që funksionojnë të mbeshtetura në ligj, ku ligjin ta orientojë ligji. Në këtë mënyrë dhe populli do të përfitonte një sistem, i cili në fund do të përkthehej në sigurimin e një jetese më të mirë.

Sot problemi në të vërtetë qëndron tek shpresa. Njerëzve u ka humbur shpresa në tërë këtë tollovi të krijuar dhe sado që përpiqen të gjithë pyesin përse nuk shpresojmë më? E këtu identifikoj në mënyrë të veçantë brezin e ri, sepse pjesa tjetër e shoqërisë tashmë e ka vulosur në mendjen e vet përgjigjen definitive që “ky vend s’bëhet”. Dhe jo pa të drejtë, 29 vjet, pothuaj 3 dekada, dhe ne përsëri rrotullohemi në vend.

Politika përbëhet akoma nga figura, tashmë të dala boje, nuk ka më pika frymëzimi e referimi, ideologjia ka marrë fund, idetë kanë sosur dhe të vetmet që qarkullojnë janë sulmet personale, komedia e satira, të cilat po e kthejnë politikën në një teatër qesharak. Nga diktatura kemi kaluar në autokraci. Pushteti po rrjedh në duart e një njeriu të vetëm, i cili nuk është çështja që po qeveris për dy apo ndoshta edhe më shumë mandate, por tek fakti që tashmë nuk po përmbush asnjë premtim. Lideri bën “gallatë” e show gjatë gjithë kësaj kohe, dhe pastaj ikën si i paturp e ia le vendin dikujt tjetër që të përsërisë edhe njëherë zakonin: Të zhgënjejë edhe njëherë këtë popull!

Ndërkohë opozita duke parë situatën e rrëmujshme në Shqipëri ka vendosur dhe varur shpresat që me protesta masive të krijojë mundësitë për rrëzimin e pushtetit aktual dhe ndryshimin e tij. Në të vërtete të gjithë kërkojnë ndryshim, pasi tashmë qeveria nuk po ofron më asgjë të re dhe po kthehet në një lolo të madhe mediatike, por masiviteti i protestave mbetet për t’u parë. Është ky masivitet, i cili do t’i japë shtysë opozitës shqiptare të shpresojë për ndryshim. A do mundet ta realizojë këtë qëllim? Njerëzit janë të lodhur e të varfër, e shohin gjithçka me skepticizëm dhe tashmë u ka ardhur në majë të hundës çdo aktor politik në Shqipëri. Njerëzit duke humbur shpresën e besimin tashmë edhe pas 29 vjetëve demokraci zgjedhin të ikin si emigrantë pa e kthyer kokën pas e studentët detyrohen të mos duan të kthehen në vendin ku janë rritur. Është mëse normale, vende pune nuk ka për ta, meritokraci nuk ka, shkollim cilësor nuk ka, mundësi te barabarta nuk ka e mirëqenie sociale padyshim që nuk ka. 

Opozita shqiptare po përpiqet të kap momentin e të përfitojë politikisht duke kërkuar të ndezë edhe njëherë atë dritën e fikur në shpirtin e këtij populli, e cila iu është djegur tashmë shumë herë. Me protesta kërkon të sjellë ndryshim, ose më saktë e premton këtë gjë e mundohet të frymëzoje. Por jo nuk është kaq e thjeshtë; njerëzit duan ndryshim atëherë kur të shohin që me të vertëtë do të ketë ndryshim. Atëherë kur një frymë e re të ndihet, një frymë aspak mashtruese dhe e korruptuar, një frymë qe ringjall besim, që ka ide të reja, që ka plane të sakta, të shtruara dhe publike. Një frymë e cila proceset i ekzekuton në mënyrë korrekte edhe transparente.

Populli do që vendi i tij të behet. Populli jeton çdo ditë duke pritur për këtë kohë të një revolucioni të VËRTETË, megjithëse është i lodhur e ndonjëherë shfaqet edhe pak si agresiv. Populli ngre krye kur shikon se një fije shpresë po sillet rrotull dhe mund të ketë ndonjë mundësi ta gëzojë vendin e tij siç duhet gëzuar. Por ama, besimi dhe vota e tij duhet marrë me meritë e jo blerë me para.

Kush kërkon që populli t’i dalë nëpër protesta duhet ta sjellë këtë alternativë. Duhet të dalë në terren, të tregojë që është me ata, që ndjen si ata, që po punon për ata, dhe po lufton të ngrejë shtetin e tyre. Duhet të garantojë transparencë në votime dhe në qeverisje. Nëqoftëse në vitin 90’-të ishte populli që rrëzoi atë që është quajtur një nga diktaturat më të ashpra të Ballkanit e Europës, atëherë tani duhet të jenë këto forca politike që të ngrihen dhe të bëjnë atë që iu kanë premtuar njerëzve 30 vjet me rradhë. Duhet që këta të ngrejnë zërin e jo të kthejnë politikën në një fushë futbolli ku secili vetëm pason e askush nuk shënon. Ka ikur koha e fjalimeve frymëzuese nëpër sheshe dhe e njerëzve që duartrokasin disa “lider” të stërdëgjuar, të cilët tashmë janë bërë të pabesueshëm. Tani është koha e punës dhe e rezultateve reale, të vetmet që mund të korrin pak besim dhe të pasohen me ndryshime rrënjësore.

Paçka se valë pesimiste ndihen për këtë realitet të ofruar nga këta emra që përpiqen të mbajnë flamurin, mendoj se politika shqiptare majtas e djathtas duhet pastruar rrënjësisht për gjithë zullumet e krijuara në vite. Gjithsesi mbetemi të shohim këtë lëvizje të opozitës për të thithur energji e për të realizuar ndryshim.  Por mbetet për t’u parë…

 

*Studente e Shkencave Politike në Universitetin "Concordia", Montreal.