Blog

Samiti i Diasporës si Kongresi i Bashkimeve Profesionale - Nga Kostandin Ristani

Reflektim mbi Këshillin Koordinativ të Diasporës dhe Samitin II

Zgjedhja e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) ka një mangësi shumë të rëndë e të pafalshme si për Qeverine Shqiptare ashtu edhe për ligjvenësit shqiptarë. Pse?

Sepse është tipike leniniste sipas principit të aksioneve e nismave vullnetare të llojit Hoxhian dhe të ditëve të pushimit që i kushtoheshin të paudhit Enver nga lajkatari, demagogu dhe hipokriti leninist Ramiz.

Pra, cili është financimi i KKD? Ligji nuk e percakton! Çfarë kapitalizmi është vendosur në Shqipëri kur veprimtaria dhe organizmi i sanksionuar me ligj nuk parashikohet si do të financohet?

Sipas meje, ka vetëm tre menyra financimi për një anëtar:

1) Nga shoqatat e vendit që përfaqëson dhe e kanë zgjedhur. Kjo e bën anëtarin plotësisht të përgjegjshëm dhe llogaridhënës karshi mandatit që ka marrë. Ky financim i antarit përfshin: a) udhetimet për mbledhje të KKD dhe qëndrimet/dietat për sa kohë ka mbledhje atje; b) udhëtimet dhe qëndrimet/dietat nëpër qytetet apo provincat e vendit që e ka zgjedhur e mandatuar për të ushtruar me korrektesë e saktësi mandatin e përfaqësimit duke marrë pjesë drejtpërdrejt në takime me komunitetet që përfaqëson e dëgjon mendimet e shqetësimet. Kjo formalizon detyren e përfaqësimit dhe përçimit të mendimit e kërkesave të komunitetit që përfaqëson.

Ky variant financimi e bën perfaqesuesin krejtësisht të pavarur nga diktati dhe prepotenca e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për të miratuar "urdhërat" e Qeverisë Shqiptare për Diasporën edhe kur nuk janë në dobi të saj.

2) Financim nga Qeveria Shqiptare i përfaqësuesit në KKD. Të gjitha shpenzimet që thashë në pikën 1 qëndrojnë por pavarësia ndaj Qeverisë është zero, pra anëtari i KKD bëhet një laké dhe servil i Qeverisë sepse e paguan për atë çdo ajo nga përfaqësuesi dhe jo çdo komuniteti që përfaqëson apo ç'ka nevojë Shqipëria nga Diaspora. Ky skenar s'mund të ndodhë sepse s'ka të ngjarë fare që Qeveria Shqiptare të paguajë për përfaqesuesit e Diasporës në KKD.

3) Perfaqësuesi e financon veteveten për te gjitha ç'ka permenda në pikat 1 dhe 2. Atëherë lindin pyetjet: Cilin perfaqëson ky anëtar që ve burimet e veta të konsiderueshme financiare për të udhëtuar si “turist” dy herë në vit në mbledhjen e KKD? A do të udhetojë po kështu në komunitetin që do përfaqësojë me shpenzimet personale? Do përçoje zërin e komunitetit, të tij/saj, apo do të jetë një ndjekës i/e bindur e militant aprovues i synimeve që do të arrijë Qeveria Shqiptare nëpërmjet KKD? Ose edhe kombinimi i dy apo tre varianteve nga sa më sipër? Shumë opsione ka ky lloj financimi dhe gjasat që çdo anëtar i KKD të vijë me një axhendë personale në çdo mbledhje janë praktikisht të pakontrollueshme e aspak llogaridhënëse kundrejt kurkujt. "Qysh u erre? Hiç." është një idiomë zagorite që përmbledh e qesëndis këtë rast.

Më tej, më një lexim të shpejtë, konstaton se nga tre ditët e programit të Samitit të ardhshëm, vetëm dy orë në ditën e dytë janë panele diskutimi. Tipik dhe sivëlla me kongreset famëkeqe të organizatave të masave të kohës së diktaturës monisto-puniste. Pra propagandë e entusiazëm bosh e fallco për të angazhuar Diasporën me xhepin e diasporasve, që të duartrokasë me brohoritje të fuqishme, mundësisht edhe me ovacione, arritjet e mëdha të "Rilindjes" fantomë në të gjitha fushat e korrupsionit dhe paftësinë qeverisëse të Shtetit Shqiptar! Sikur nuk ju mjaftojnë taksat e mëdha që paguajnë diasporasit që punojnë në vendin ku janë - jo ata diasporas që s'u ka thënë njeri "puna mbarë" që, qëkurse kanë ardhur në diasporë, vegjetojnë, llomotisin e mburren me fletë-lavdërimi të tipit komsomolas e të Bashkimeve Profesionale të emulacionit socialist. Pra diasporasit që punojnë, paguajnë mjaft taksa dhe një pjese e tyre shkon në financimin në forma të ndryshme të programeve ndërkombëtare për vendet pa administrim e qeverisje normale siç është Shqipëria, financime që në masë të madhe përfundojnë në xhepat e qeveritarëve e administratorëve të korruptuar.

*Autori është funksionar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes Kanadeze

@Flasshqip