Blog

Polifonia e fjalës gomar - Nga Artan Fuga

Sot termi gomar përdoret në shumë kuptime.

Gomari si kafshë shtëpiake;

Ik o gomar = përkëdhelje;

Ik ore gomar = sharje për dikë si budalla;

Qenke gomar fare = për dikë që nuk kupton lehtë diçka;

Punon si gomar = për dikë që punon shumë;

Gomarllik = budallallik;

Kemi në krye të punëve një gomar = i paditur;

Je ngarkuar si gomar = mban peshë të rëndë;

Mban ai si gomar = i duruar;

Vickla gomari = teke të dikujt;

Këndon dhe flet si pëllet gomari etj.

Nga të gjitha këto vetëm identiteti gomari = kafshë shtëpiake është universal, i përdorur me të njejtin kuptim. Të tjerat janë metafora që marrin kuptim në kontekste pragmatike të caktuara.

Tani pas nja njëmijë vjetësh kur këto kuptime të dyta mos të jenë më dhe njerëzit e asaj kohe të lexojnë tekste të sotme, nuk do të kuptojnë sesi është e mundur që fjala gomar të ketë kuptimin e njëkohshëm:

kafshë shtëpiake me katërkëmbë dhe me veshë të gjata, këngëtar i keq,

budalla,

i duruar,

i paditur,

drejtues i dobët,

njeri shumë puntor,

njeri që merr përgjegjësi përsipër,

tekanjoz, etj.

Ta zemë fjalinë:

Gomari pasi i hodhi ca vickla fatorinos, e pagoi biletën e autobuzit.

Eshtë fjala për dikë që nuk deshte të paguante biletën e autobuzi dhe pasi bëri ca kundërshtime e pagoi atë.

Pas njëmijë vjetësh nuk përjashtohet që ndonjë i ditur ta përkthejë kështu:

Në Tiranë kishte autobuza për gomerë, dhe gomerët flisnin. Ose ka mundësi që gomerët dhe njerëzit udhëtonin në të njejtët autobuza. Ndodhte që gomerët e atëhershëm, që dinin të flisnin, protestonin për çmimin e biletave.

Tagged under Artan Fuga