Blog

Shën Valentini dhe dashuria - Nga Rushan Xhaferi

Një feste gati, gati romantike

Në botën perëndimore, Shën Valentini feston dashurinë në çift. Kjo dashuri, më mirë e njohur si pasioni i dy personave, shprehet duke dhënë lule ose dhurata që përfaqësojnë pasionin e përbashkët. Nëpër revista apo vitrina dyqanesh, ngjyrat e kuqe dominojnë fuqishëm për të shtyrë njerëzit të shprehin dashurinë dhe kur nuk ndiejnë më dashuri për partnerin. Reklamat, si prodhim i marketingut, na shesin një romantizëm që nuk ekziston në realitetin e përditshëm.

Le të jemi realistë, shumë pak burra janë romantikë. Dhe ata që kopjojne nje model reklamash nuk arrijnë dot ta mbajnë më shumë se një ditë. Të pakët janë meshkujt qe e kanë romantizmin në gjak dhe shpesh herë ne e kemi si turp. Kur je burre prej Shqipërie, romantizmi është dobësi. Tallje që të bëjnë shokët në kafene kur je duke parë futboll. Dhe ata që i shikon në rrugë me lule, ose i fshehin, ose justifikohen me gjyshen në spital. Thua se për Shën Valentin një pjesë e mirë e gjysheve e kanë bërë me pakt të sëmuren? Por keto janë gjëra të të kaluarës, sidomos në Kanada. Në 2019, gjërat kanë ndryshuar. Apo jo? Jam kurioz të di se sa meshkuj u ofrojnë një dhuratë grave për Shën Valentinin. Realiteti mund të na habisi.

15 shkurt

Të nesermen, burri i ka harruar të gjitha premtimet e një dite më pare. Jëta monotonë merr vendin e saj dhe nuk ka më kohë njeri për romantizma festash. Kjo është dhe pyetja. A kemi ne nevojë për të pasur një ditë në vit për të na kujtuar dashurinë që duhet ti shprehim partnerit? Ne e dimë që kjo është një ditë sa simbolike aq dhe komerciale. Por, ndoshta me të drejtë, femrat i detyrojnë burrat të blejnë lulet dhe dhuratat simbolike edhe pse është një festë fallco e cila përfaqëson dashurinë aq sa dhe martesa me shkes.  Michel Houellebecq, një nga shkrimtarët më të njohur francezë ja çfarë thotë për çiftet: Les couples ne marchent pas, mais de peu. Çiftet nuk gjejnë harmoninë për fare pak gjë. Ky konstatim na bën të reflektojmë që fare pak gjë janë detajet e jetës që mund ta bëjnë të përditshmen një mrekulli ose një ferr. 

Çfarë është dashuria?

Në fjalorin Larousse, dashuria ka për përkufizim si rrjedhon:  një ndjenjë që ju nxit të doni dikë, ti doni të mirën, ta ndihmoni duke u identifikuar më shumë ose më pak. Prirja ndaj një personi, shumicën e kohës pasionante, bazuar në instinktin seksual, por që çon në sjellje të ndryshme. Dhe si shembull jepet: një martesë e dashurisë. Fjalori, paksa puritan, na detyron, me shembullin e tij, ti japim dashurisë si finalitet martesën. A janë të gjithë të martuarit të dashuruar? A janë të gjithë të dashuruarit të martuar?

Ajo që më pëlqen më shumë është kur thotë ti doni të mirën. Dashuria na bën të mos jemi egoistë dhe kur thuhet që të identifikohemi me tjetrin (pak a shumë), na bën empatikë. Kjo ndjesi na lejon që mos ta lëndojmë tjetrin sepse nuk do të donim që të lëndoheshim nga askush sidomos nga personi i zemrës. Duke vazhduar më tej, ne kemi prirjen ndaj këtij personi. Këtu kemi dëshminë e një 14 shkurti gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në ditën e caktuar. Exit Shën Valentini! Kur lexojmë: shumicën e kohës pasionantë (dhe jo 100%), mund të kuptojmë që në dashuri, ne kemi kohë dhe për banalitete. Për momente pa lodhje koke ose çarje kaptine. Ato çastet boshe, ku në botën e zhurmës dhe të performancës me çdo kusht e në çdo moment, na mungojnë. Le të themi që instinkti seksual e mbyll kapitullin më së miri. Një aktivitet po aq sa i rëndësishëm dhe konkludues.

Të duash duke mos qenë më 20 vjeç

Kur je 20 vjeç, jo vetëm që jeta të thërret, por nuk ke frikë nga asgjë dhe ke energji dhe rini sa për shtatë. Në të dyzetat, fuqia dhe energjia nuk dyfishohen. Pasi kalon të 50, gjërat komplikohen. A kanë të drejtë njerëzit të rifillojnë jetën? Një i ve apo i divorcuar, kanë ata të drejtë të ridashurojnë? Bota perëndimore na jep ca mësime jete në këtë aspekt për të zhveshur disa tabu shqiptare. Në Shqipëri është turp (për pjesën dërmuese të popullsisë) të rigjesh ndjenjat e rinisë dhe të pasionit në një moshë të avancuar. A është dashuria vetëm për rininë?  Dhe kur koha kalon, a jemi të dënuar të vuajmë zgjedhjet dhe humbjet e po kësaj rinie? Le të lëmë psikologët tu përgjigjen më së miri këtyre pyetjeve. Por, të duash tjëtrin do të thotë në rradhë të parë të duash veten. L’amour propre. Një tjetër Michel, Onfray kësaj rradhe, një nga filozofët më të shquar të shekullit 21, përshkruan lidhjen në çift si një kontratë që ne bëjmë me personin e jetës. Si fillim fjala kontratë mund të duket e thatë, e ngurtë dhe pa pasion. Përkundrazi gjithë bukuria qëndron në këtë angazhim që ne bëjmë. Do jem i yti përderisa jam në gjëndje të të dua. Dhe në momentin që nuk mund të zbatoj dot këtë kontratë nuk jam më i vërtetë me ty. Nuk jam më i denjë për ty. Lidhja nuk ka më kuptim, qoftë 14 shkurti apo 31 dhjetori.

Por këto gjëra janë më thjesht ti thuash sesa ti bësh. Nuk është e lehtë të jesh vetvetja në mërgim dhe të hedhësh poshtë çdo sakrificë për një kapriço. Dashuria e vërtetë qëndron në përkufizimin që çdo person i jep realitetit të tij qoftë edhe pranimin e një të përditshmeje që përsëritet me të njëjtat probleme dhe pakënaqësira. Por, Shën Valentini na lejon të kuptojmë që dashuria është e vetmja ndjenjë që na bën të ndihemi gjallë dhe që jeta ja vlen të jetohet në çdo moment. Por dashuria nuk është konfiskuese dhe në shërbim të tjetrit deri në skllavëri. Dashuria është liria dhe mirëkuptimi pa kushte.