Blog

Midis baba Takut dhe një qytetari pa deputet

Nga: Ilir Levonja

Mbrëmë vura re se pjesa dërrmuese e stacioneve televizive shqiptare, hapën lajmet me ankesën e Edi Ramës karshi protestës së opozitës. Më pas vijuan me pasazhe nga fjala e sekretarëve nga kancelaritë e Këshillit Europian, nga ambasadat, partitë aleate e deri tek deklaratat e DASH-it amerikan. Ndërkohë që lajm përbënte tjetër gjë, dorëheqja nga mandati i deputetit, një nismë që kurrë nuk ka ndodhur në këto dekada parlamentare të shqiptarëve. Se cila a cili akt përbën lajm, kjo është abc-ja e gazetarisë, por profesionalizmi në dheun tonë ka marrë fund menjëherë sapo u shpik nocioni parti. Dhe një fjalë e urtë popullore thotë se “qeni leh aty ku ha”. Në përgjithësi shpjegime të tilla janë të domosdoshme për shoqërinë, jo për web-et a të tjerë personalitete që aktualisht luajnë akoma me stragjetitë e luftës klasave, si dosja e baba Takut, agjenti Sali Berisha etj., a turpi përballë Europës dhe kjo mundësia e mos hapjes së negociatave për Shqipërinë. Për më keq akoma me përgjegjësinë civile të deputetit karshi qytetarëve që e kanë zgjedhur, etj.

Janë të gjitha demagogji, një armë që ka funksionuar dhe po funksion për mrekulli në terrenin tonë. Të merresh me baba Takun sot për shembull, me çantën e tij dhe dokumentat për agjenturat e ish-Jugosllavisë është një luks social. Dhe nuk e di se ku i gjeni paratë që paguani kuvendarë të tillë, ata të cilët nuk kanë bërë asgjë tjetër po glorifikuan luftën e klasave. Kur baba Taku thotë që ka dokumente por do i tregoj në kohën e duhur, është nga ato blofet që i hanë vetëm ata varfanjakët në Shmil, Klos, a rrethinat e Gramshit. Kur thotë që duhet të ndodhë ajo që ndodhi në Greqi me Aleksi Tsipras dhe Syriza, vet nuk pranon të largohet nga politika, ka hedhur rrënjë aty. Kurse hallexhinjtë e periferive pyesin, akoma gjallë ky kafka e Ku Klux Klan-it? Nuk po i merr me vete, bashkë me kastën, brezin, etj., perëndia? Mirëpo shtypi e sugjeron, e sugjeron me forcë. Me banderola trastash sikur aty ka ngecur ekonomia dhe xhepat e shqiptarëve. Tjetër gjë është kjo demagogjia që u bëmë me turp përpara Europës, fjala më qaramane e Edi Ramës dhe një kaste me kokën plot xhel që i shkojnë atij nga pas. Mirëpo aty janë të gjitha, po të hapësh shtypin e kohës, për protestën e 21 janarit 2011, me Reuters, The New York Times, Deutche Welle, Corriere della Sera, Le Monde..., pa përmendur stacionet televizive, çfarë nuk u tha.

Aty i keni! Hapeni e shikojeni. Atëherë Edi Ramës nuk i vinte turp për shqiptarët dhe imazhin e Shqipërisë. Sot në pushtet, po. Dhe atëherë të njëjtat deklarata bënin Fylja me shokë, të njëjtat, por kur Edi Rama me Ilir Metën fituan zgjedhjet, shkuan dhe shtrënguan duart. Dhe ajo që është akoma më demagogji, është zgjatja e afatit për çeljen e negociatave. Shqiptarët janë në Europë prej kohësh. Në Europë dhe në botë. E kemi thënë kaq herë, mbi 40% e shqiptarëve në rang kombëtar, përfshi të dy shtetet tona jetojnë jashtë. Nuk kanë nevojë shqiptarët për Europën, por e kundërta, Europa për ta. Janë shtetarët e dështuar ata që kanë nevojë për të, për fondet e saja, pasi aty janë ato allishverishet e përqindjeve me tenderimet.

Aktualisht Shqipëria amë është e përfshirë nga gangrena infermiere, ikja që pëshpëritet nën zë dhe që Rama me dogmat e tij e mbulon me shoshë. Shqiptarët e kanë gjetur rrugën me kohë, maleve, detit me gomone, me maune, me lloto, me bashkime familjare etj. Pra Europa, anëtarësimi i intereson vetëm shtetarëve. Megjithëse vet kjo e fundit po rrezikon përçarjen dhe mbytjen nga forcat radikale dhe konservatore. Sikur ''dhuna'' e 16 shkurtit të krahasohej me atë të jelekëve të verdhë në Francë, do e shikonit me sytë tuaj, jo me ato të atyre xhelistave nëpër studiot e Edi Ramës. Madje do nënqeshnit me deklaratën e ambasadës franceze, sidomos pas ngjarjeve të fundit. Tani për mandatet dhe hallin e madh se si po i injoron zgjedhësit e tij një deputet i dorëhequr.

Të jeni të bindur se po shkuat në shtëpitë e qytetarëve, kryesisht në rrethina, aty ku donimojnë plehrat, rrugët pa ndriçim, pa zift, ku të ha të gjallë balta dhe pluhuri, ku mungon uji, dritat, ku vdesin në diell pensionistë pa pension e të vetmuar, ku koten qentë të zgjebosur, ku fqinja vret fqinjin për një shtyllë gardhi, e përdhunon a i përdhunojnë vajzën e pa rritur, ku shkelin mandatuesit vetëm në ditë fushate, hedhin ca korb të zi, ndajnë ca thasë me miell, ca para droge....., ta dini se do u thonë copë, kokat hëngshin, kujt po u plas, as kanë qënë e as nuk janë për ne. Dhe sa për t'u kujtuar rrethinë është 90% e Shqipërisë, bulevard dhe Tiranë janë vetëm Edi Rama dhe kasta e gërrëverret këto afro tri dekada. Nuk po shkojmë më tej, në fshatrat që përmendet se do gjeni ato pamjet që na ngjallin Migjenin, vokalin e mjerimit. Dhe gjykojeni vetë vlerën e një mandati, për shembull të baba Takut nga gjirizet e Bejrutit. 

Duhet të vdesi një herë e përgjithmonë ndër ne ndjesia e tolerimit, e ''dhimbsurisë'' bajate dhe bërjes palë me Ramën a Bashën. Duhet të vdesi ajo frika e proklamuar nga teoricienët e studiove mbi precedentin. Po ua bëri kështu si Rama, me revolucion koncesionesh, me tri p-ët, edhe ky tjetri që mund të vijë në pushtet bjerini kokës. As tre ditë mos e lini në pushtet, ndryshe nuk bëhet ai vend. Në krye duhet të vinë ata që ju përulen, jo demagogët. Kjo është e gjitha. Jo, Taku, o bo bo u bëmë me turp në sytë e botës, qytetarët mbetën pa përfaqësi etj. Janë veç zhurmë dhe aq. Tani zgjidheni vet rrugën, merruni me Takun dhe çantën e tij, apo me rrethinat ku jetoni ju. Se ta dini as emrin nuk u dinë deputetëve përfaqësues. Dhe nuk kanë faj.

Tagged under Ilir Levonja