Blog

Është momenti për ide te reja dhe alternativa të ndryshme

Nga: Rushan Xhaferi

Kujt i shërben djegja e mandateve?

Cili ka qënë qëllimi i djegjeve së mandateve nga deputetët e opozitës në Shqipëri? Edhe analistët më të mirë nuk po arrijnë ta kuptojnë. Në të gjithë vëndet demokratike, përballe mazhorancës gjendet opozita që është garantuesja e demokracisë. Opozita jep tonin dhe përqendron energjinë në punën e përfaqësimit dhe mbikëqyrjes së deputetëve. Ajo siguron shqyrtimin e legjislacionit dhe të pikëpamjeve të ndryshme mbi nisma të rëndësishme për të mirën e popullit. Djegja e mandateve nga opozita paraqet të paktën tre probleme:  është vendim jo demokratik, përbën një kërcënim tafti-bafti, është bërë në një moment të pa përshtatshëm (për arsye të brëndshme dhe të jashtme).  

Po populli? Kush popull

Djegja e mandateve nga opozita tregon hapur që kjo rrugë nuk tregon interesin e popullit por qëllimet personale dhe ambicjet politike të disa personave si Lulezim Basha. Në fakt, Basha ishte cilësuar si politikan i shkëlqyer nga bota perëndimore, por episodi i çadrave në 2017 ja çorri shkëlqimin që mendonte se kishte. Bllofi nuk i funksionoi dhe u fut parlament me bisht nën shalë. Ditët e fundit, deputetët e opozitës zbuluan se sistemi nuk funksionon por nga ana tjetër ishin te pafuqishëm të përmirësonin këtë sistem gjatë kohës që qeverisnin, sepse nuk u interesonte.

Kercënim Ramës, por me sy nga bota  

Për opozitën, nuk ka kthim mbrapa dhe jo negocime me Edi Ramën, pa pasur asnjë plan për të ardhmen. Nëse ka një plan, për  mbetet sekret. E vetmja shpresë për opozitën është zemërimi i popullit shqiptar që të angazhohet në javët e ardhshme deri në rrëzimin e qeverisë për zgjedhje të reja. Me një fjalë, tafti-bafti me jetën e njerëzve. Provokime deri sa gjërat të degjenerojnë. Kjo mënyrë funksionimi të lë të mendosh që PD mund të ketë marrë mbështetjen e partnerëve te huaj për të hequr qafe Edi Ramën. Askujt nuk do ti vij keq kur ish piktori të rrëzohet nga pushteti. Por në qoftë se jeta politike shqiptare ka si alternim PS-PD me kontroll te fortë nga SHBA dhe UE, kjo demokraci është nje gënjështër. Është momenti për ide te reja dhe alternativa të ndryshme.

Përse tani?

Shqipëria e 2019 nuk është ajo e 1991. Mentalitetet kanë ndryshuar megjithëse imigracioni mbetet akoma një dëshirë e madhe për shumë të rinj. Nga ana tjetër, imigracioni ka qënë fenomen i fortë edhe në vende si Greqia, Spanja por edhe Franca.  Në këtë moment, nuk ka krizë madhore si lufta civile në 1997 apo dhe marrja e TVSH dhe sulmi mbi Kryeministrinë në 1998. Të thuash që Shqipëria është diktaturë është fyerje per viktimat e diktaturës (1945-1991). Në qoftë se Edi Rama abuzon me pushtetin e tij, ai nuk është Enver Hoxha. Por dalja nga sistemi i opozitës po i jep akoma më shumë fuqi kryeministrit. Në këtë situatë kaotike asnjë palë nuk mund të garantojë një vazhdimësi paqësore ku një tjetër luftë civile nuk është shumë larg.    

Si gjithmonë, politikanët tanë presim urdhrat nga jashtë. Por, Merkel-i po ikën, Macron-i është ca si i zënë për vete dhe Trump-i nuk besoj se e ka idenë se ku bie Tirana.  Për më tepër, në këtë moment, bota nuk ka asnjë interes për Shqipërinë dhe nëqoftëse ajo nderhyn, nuk do të jetë asnjëherë në avantazhin e popullit.  

Megjithatë, kjo situatë i ngjan asaj të një ndeshje futbolli ku pas 20 minutash të pjesës së parë, ekipi kundeshtar lë stadiumin në mes dhe ikën sepse nuk i pëlqejnë rregullat e lojës. Topi i ka ngelur Ramës. Fatkeqësisht, edhe pse politika shqiptare është akoma më banale se një ndeshje sporti, populli shqiptar është vertet në një udhëkryq sepse e di shumë mirë që të zëvëndesosh Ramën me Bashën është të ikësh nga shiu e të biesh në breshër.  

Një e ardhme më e mirë i mban njerëzit me shpresë. Por me kujtohet nje shprehje e filmit italian Mediterraneo. “Chi vive sperando, muore cagando.”