Blog

7 Marsi dhe Drita ime - Mësuesi nga Montreali i uron nga larg nënës ditëlindjen

Nga: Rushan Xhaferi

7 mars 1949. Linde ti. Thua se linde për të vuajtur. Merzitje, lodhje, keqtrajtim, e varfër, herë e keqveshur, herë e pakngrënë. Por na linde dhe ne. Linde Mozën, forcën e familjes. Linde Artën, gjithë mirësinë e kësaj botë. Linde Anilën. Lotë. Shumë lotë. Një det me lotë. Më në fund më linde mua. Mua më do më shumë, por nuk jam më pranë teje. Jam larg, shumë larg, tepër larg. Oh! sa larg. Por çdo natë, sytë i kam nga lindja se më duket sikur shoh Tiranen, një kat të gjashtë pallati, një dritare ku ti mbyll perden, e të të shoh pak para se të fle. Iluzion. 

Edhe ketë 7 mars, vitet trokitën, si zakonisht, për të kujtuar që koha kalon. Dhe ti, o fisnikja ime, ngrihesh avash avash për t’u hapur derën. “Hajdeni, hyni”, u thua. “Do të kisha preferuar që të ishte djali,” shton ti. Por djali ka marr një rrugë të largët mërgimi. Dhe me që është si zakon i momentit, po ja hedhim fajin Edi Ramës. Maskarai.

Dëshira jote ishte të bëheshe mësuese. Ja, u bëra unë. Ëndrrat e prindërve i realizojnë ndoshta femijët. Dhe çdo 7 mars, ne të dy e kemi nga një festë: ti ditëlindjen, une Ditën e mësuesit.

Nuk di çfarë të të them. Nuk di si të të uroj. Nganjëherë fjalët e prishin çdo ndjenjë që unë kam për ty. Kur më merr malli dhe qaj, e di që ti nuk do të doje kurrë që lotë të tjerë ti shtoheshin ngashërimeve tona të kaluara. Prandaj, dua të qesh e të të them se asnjë fjalë, fjali apo poezi nuk mund të shprehë mirënjohjen për sakrificat e tua, dashurinë, përkushtimin tënd dhe humanizmin që na ke transmetuar. Ne të falënderojmë!  

7 Mars 2019. Drita ime, ti do të jesh gjithmonë dritë qe ndriçon çdo hapin tim në jetë, çdo përkedhelje të vajzave dhe çdo gjest respekti për gruan.

Gëzuar 70 vjetorit Drita ime!

Gëzuar 8 Marsin!

Tagged under Rushan Xhaferi 7 Marsi