Blog

Të kërcesh pa muzikë - Nga Rushan Xhaferi

8 mars. Si çdo vit, femrat do mbushin rrugët, parukeritë edhe lokalet, në atdhe dhe në diasporë. Buzëqeshjet dhe urimet valviten nëpër qytet dhe forca e numrit i lë burrat paksa impotent.

Por burrat e pranojnë të jenë të pafuqishëm vetëm për një ditë. Ditët e tjera të vitit, ka Çeçua biçak. Dhe Çeçua eshtë burrë e kaluar burrit. Ai e hedh vallen pa muzikë. Kënga Kuq e zi e inspiron literalisht. Zakon i vjetër, por kur burri shqiptar merr krahun e gruas për të kërcyer nuk ka nevojë për muzikë, se kërcen vet dajaku. Të nesërmen ngjyra «dashurie» mbulojnë trupin femëror. Por femra shqiptare është e rezervuar dhe nuk e ndan me askënd intimitetin e këtyre gjesteve bashkëshortore. Ndoshta sepse edhe shoqet kanë ngjyrat e tyre dhe në ambient punë do të ishte e papërshtatshme të bëhej një konkurs midis mavisë, kafes dhe blusë.

Duhet pranuar që edhe vetë femra shqiptare i fuste hundët gjithandej, deri tek grushtat e burrit të dashur. Kur vinte 8 marsi, ishte ditë pushimi për gratë. Më në fund pak paqe. Mirënjohja, një herë tjetër. Barazia?!? Barazia ka ekzistuar por në rradhën e qumshit: nje burrë, një grua.

Ëndrat e vajzave për tu trajtuar si princeshë, në kërkesën për martesë nga princi i ëndrave, nuk përfshinin syrin e zi dhe buzën e kuqe. Për fat të mirë, në diasporë biçakun e ka marrë gruaja e Çeços. 😊

Por këto zakone kanë ekzistuar vite më parë, dhe jo më në kohët tona. Mania e burrave shqiptarë që hidhnin valle me manjetofon të prishur është përrallë nga e kaluara. Shenjat që ka lënë dashuria bashkëshortore për faj të radiove të fikura tregohen si histori të vjetra? Në 2019, gjërat janë ndryshe, shumë ndryshe. Apo jo? Megjithatë, në 2016, Tirana zinte vëndin e parë dhe Kukësi vinte në fund të renditjes, për dhunën në familje.

Muzika sjell një ambient tjetër. Ritmi i saj të bën të mos abuzosh me lëvizje duarsh të pakontolluara ndoshta ngaqë shkencërisht muzika ndikon edhe në prodhimin e dopaminës në tru, molekulë që krijon një efekt pozitiv.

Por sikur dhuna ndaj grave të ketë qenë mungesa e muzikës ne shtëpi?

8 mars të gëzuar! 

Tagged under Rushan Xhaferi 8 Marsi