Blog

A jemi në demokraci kur populli refuzon të votojë? - Nga Rushan Xhaferi

Termi demokraci i referohet një regjimi politik në të cilin qytetarët kanë pushtetin. Ky term vjen nga greqishtja e lashtë "fuqi" (kratos) e "popullit" (demos).

Francë

Në Francë, çdo të shtunë, prej 16 javësh, me dhjetra, por ndoshta, edhe qindra mijëra njerëz dalin në rrugë për të denoncuar një qeveri e cila nuk punon për popullin, sipas deklarimeve së tyre. Jelekët e verdhë po sfidojnë pushtetin në vënd në mënyrë të vendosur. Tentativat e pushtetit për t’i hequr kredibilitetin kësaj lëvizje të jashtëzakonshme kanë qënë të shumta. Por uria e popullit nuk njeh frikë. Fuqia e 5-të në botë, ka mbi 9 milionë persona në situatë varfërie sipas të dhënave të brendshme. Në këtë realitet, njerëzit nuk kanë më gjë për të humbur. Megjithatë, dhjetra përsona kanë humbur syrin, dorën ose pjesë të tjera të trupit përballë një policie që ka qënë shumë ekstreme dhe ka abuzuar me forcën e saj të ligjshme. Kjo lëvizje sociale po tejkalon edhe lëvizjen e 68-tës. Në total, janë 2000 persona të plagosur në mënyra të ndryshme.

Nisma e kësaj revolte, ndoshta revolucioni, sepse duhet parë zhvillimi, ka qënë një taksë e vendosur nga qeveria mbi karburantin për të luftuar ndyshimet klimatike. Partitë politike të opozitës po mundohen të rikuperojnë këtë levizje demokratike, por nuk po ja arrijnë ngaqë populli francez i ka eleminuar nga ekuacioni si zgjidhje të problemeve të tyre.

Nga ana tjetër, në shprehjen e demokracisë, në pranverën e 2017, francezët votuan dhe zgjodhën atë president, Emanuel Makron, dhe atë mazhorancë, partinë e tij. Populli po “leh”, qeveria po shkon përpara. Të gjithë kanë të drejtë, asnjë nuk ka 100 % të drejtë.  Sa është numri i protestuesve për të pasur të drejtë në demokraci?

Shqipëri

Është e çuditshme të vësh re ndryshimin total me situatën në Shqipëri. Populli nuk del në rrugë sepse është i zënë të kërkojë punë dhe po mundohet të mbijetojë ose po ikën jashtë shtetit. Ka vite që angazhimi politik i shqiptarëve nuk është më ai i mëparshmi. Verën e kaluar isha në Shqipëri (ndoshta do të kem mundësi të flas). Vura re mungesën gati totale të diskutimeve politike nëpër kafene (sidomos në brezin e ri). Njerëzit e kanë kuptuar se asnjë figurë politike nuk i përfaqëson më. Është e trishtuar. Nje pjesë e madhe e votuesve nuk votojnë më. Në zgjedhjet e fundit (2017) votuan më pak se 50 % e shqiptarëve (47,76 %). Dhe në të njëjtën kohë, analistët dhe gazetarët nëpër panele shprehin ide dhe bëjnë analiza që në fakt interesojnë shumë pak njerëz.   

Në këtë moment, opozita po mundohet të fryjë sa mundet. Por kur fryn një tollumbace qe ka një vrimë të madhe, është e kotë se nuk ka efekt.  

Populli është thuajse totalisht i pasensibilizuar. Shumë manipulime që po ndodhin nga njëra anë apo nga tjetra nuk do të mund të çojnë popullin në konflikt civil. Por, kujdes! Situata mund të degjenerojë për arsye shumë të paparamenduara. Ne akoma nuk e dimë se përse opozita i la mandatet. Arsyet e vërteta janë akoma të panjohura. Edhe pse ne nuk dijmë sekretet e personave kyç, jemi akoma në gjëndje të mendojmë se këta persona pragmatikë nuk janë budallenj që nuk dijnë se çfarë duan por janë kalkulues dhe kanë një agjendë të qartë. Koha do ta tregojë. A do kemi ne kujtesën për ta mbajtur mënd? 

Shumë gjëra mund të ndryshojnë në muajt që do vijnë. Një skenar është që PD, parti e lodhur dhe pa perspektive, do të zhduket për t’i lënë vendin LSI, parti që po mundohet të japë një imazh të ri duke u justifikuar se nuk ka pasur akoma mundësinë që të qeverisë, sepse atëherë ne do shihnim se çfarë do të shihnim. Por zëvendësimi i PD me LSI nuk është një alternativë e vërtetë për Shqipërinë.

Skenarë të tjetër janë të mundshëm.  

Momentalisht, janë dy legjitimitete që përballen. Qeveria Rama është demokratike dhe nuk duhet ta harrojmë për hir të së vertëtës. Në të njëjtën kohe, pjesa tjetër e popullsisë që votuan kundra nuk ndihen të përfaqësuar. Ka edhe nga ata që votuan PS, një pjesë shumë e madhe, dhe janë të pakënaqur. Qeveria nuk mund të injorojë këtë realitet.

Por sa persona dalin në rrugë për të thenë Rama ik? Fatkeqësisht shumë pak. Rama e di. Basha e di. Edhe Monika Kryemadhi e di. Çjerrjet në megafon në ato pak protesta të organizuara nga opozita duke u bazuar sipas agjendës së qeverisë (!) nuk tregojnë pakënaqësinë e njerëzve.

Në plan të parë, një pjesë ka të drejtë, por dhe pjesa tjetër nuk e ka gabim. Punë dreqi!

Një mendim (në plan të dytë)

Megjithatë, çfarë nuk po ndodh në Shqipëri, është mungesa e disa forcave, ndoshta që ekzistojnë në mënyrë embrioanale, të cilat do ta hedhin poshtë këtë sistem alternimesh pushtetesh që i përfiton dy partive kryesore, PS dhe PD. Forca e LSI nën Metën ishte pikërisht çarja e mjaftueshme në elektorat që i lejoi të ishte kundërpesha e pushtetit gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Por duhet akoma më shumë kohë dhe më shumë zhgënjim, sepse duhet thënë, fatkeqesisht, fryrja e popullit nuk është aq e madhe sa të jetë e padurueshme për të sjellë një ndryshim sistemi dhe një ndryshim të rëndesishëm edhe të kushtetutës.  

Popujt kanë gjithë kohën për të ribërë historinë e tyre por njerëzit në Shqipëri nuk kanë më kohë për të humbur. Sepse mendimet, analizat dhe filozofia bëhen më mirë me barkun e mbushur dhe me llogarinë në bankë plot, prandaj edhe në këtë moment “qentë” roje të pushtetit vendor janë po ata persona që duket sikur e kritikojnë nga brenda, gazetarë, analistë, panelistë të cilët nuk janë të pavarur dhe asnjëanës por japin këtë pershtypje për publikun.

Politika në Shqipëri është bërë një profesion dhe mënyrë për të bërë karrierë (ka edhe arsye te tjera). Ndërkohë, për vendimet që dalin nga këta politikanë dhe qeveri, asnjeri nuk merr përgjegjësi për pasojat katastrofike mbi popullin. Zakoni e do që të tregohet me gisht partia që humbi pushtetin. Pushteti i radhës justifikohet se nuk ka kohë të përmirësojë situatën. Pas 4 vitesh, premtimet para zgjedhjeve derdhen si rrebesh për tu gjendur pas zgjedhjeve me të njëjtin realitet, shumë here edhe më keq për njerëzit. Kush është fajtor? Kush ka përgjëgjesi?     

Politikanët nuk kanë arritur akoma të kenë frikë për vendimet që marrin, ndoshta ngaqë një pjesë janë kriminelë. Pjesa tjetër kur e kaloi për herë të parë vijën e kuqe nuk ndodhi gjë, herën e dytë mori akoma më guxim dhe herën e shumtë u bë shteg.

Për shëmbull, Sajmir Tahiri pasi u qaravit tek Blendi Fevziu në 2017 se kishte frikë mos e fusnin në burg, më vonë, merrte guximin dhe jepte deklarata sa andej këndej. Sajmir Tahiri duhej të futej në vrimën më të vogël të miut se është i menderosur. Por këta persona nuk kanë nder, cipë, faqe, karakter, apo vlera.  

Do doja ta mbyllja me citimin e një italiani me origjinë shqiptare nga i ati, Antonio Gramsci (Gramshi). “Kur bota e vjetër po vdes dhe bota e re vonon të lindë, në këtë dritë-errësirë shfaqen monstrat.” 

Reforma në drejtësi e cila është një shpresë për një botë të re shqiptare po vonon sepse monstrat i kanë ngulur thonjtë botës së vjetër të korruptuar që një ditë do të vdesë dhe do të marrë gjithë këtë llum në rrugën drejt harresës kombëtare.  

Atëherë do të fillojmë të marrim frymë.

Tagged under Rushan Xhaferi