Blog

Në Europë kemi hyrë që kur morëm malet - Nga Ilir Levonja

Dy janë drejtimet e propagandës shtetërore këto ditë. Për më tepër që 16 marsi i bie edhe të ndodhë një ditë pas përvjetorit të Gërdecit, gjëmës shqiptare të informalizmit. I pari se çfarë thonë ndërkombëtarët, kjo në lidhje me mandatet e djegura etj. Dhe i dyti mënxyrat a dëmet nga qeverisja PD-së që në rastin konkret e finalizojnë me Gërdecin, figurën e Sali Berishës, djalit të tij, isha ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Ballinjëve, duke harruar qëllimisht dhe ca pinjollë të ish-Sigurimit që në atë etjen e babëzitur për të përfituar, nën informalitetin klasik shkaktuan të ashtuquajturën tashmë tragjedia e Gërdecit. Mirëpo kur vjen puna tek akti i veprimit, asgjë nuk ndodh.

Tani se çfarë thonë ndërkombëtarët a shtypi i huaj, e kemi parë edhe kur bojkotonte Edi Rama, kur bënte grevë me çadra beduinësh në bulevardin qëndror të Tiranës. Ky imazhi i Shqipërisë tek të huajt që shqetëson ca tipa me flokët plot xhel etj., duke thënë një mijë e një të zeza mund të përmblidhet i gjithi tek debati midis dy gazetarëve në një studio televizive kur njëri akuzon tjetrin se, përse vetëm milionat e eurove të mia përfliten, kurse për milionat e tua nuk flet njeri.

Në Shqipëri nuk mund të flasësh më për një pushtet të tretë siç edhe konsiderohet shtypi. Sot ai ka pamjen e trahanasë. Madje shtypi ose më saktë këta “shtypistat” që ndihen të indinjuar me deklarat e të huajve në lidhje me imazhin e Shqipërisë, apo ata të tjerët të hidhëruar nga kjo rënie drastike e vendit për shkak të opozitarizmit etj, është pjesë determinuese e informalitetit tonë. Për një dhe të vetmen metodologji propogande se, ata që mbronin me zell bojkotin dhe çadrat beduine a grevën e Ramës, sot po me të njëjtin zell masakrojnë. Dhe anasjelltas...

Mirëpo ka një dallim esencial, që ky bojkoti aktual dallon nga ai i Ramës në Majin e 2010-ës, se atëherë rilindasit nuk shkonin në kuvend dhe e merrnin rrogën të plotë. Kurse këta sot, as nuk shkojnë e as nuk e marrin rrogën. Dhe kjo me të drejtë e ka emrin sfidë politike. Sa për linjën e dytë, Gërdecin, ka vetëm një pyetje... edhe sa vjet pushtet i duhen Edi Ramës që të dënoj fajtorët, qoftë të Gërdecit, qoftë të 21 Janarit etj.? Se deri tani, kemi kuptuar vetëm një gjë; retorikën bajate të ankesave pa fund. Se ky kështu se ai ashtu. Ja kush është ky, ja kush është ai.  

Eshtë fare e thjeshtë. Arrestojeni dhe dënojeni, merrini se u bëni nder dhe demokratëve, demokracisë së vendit, Shqipërisë. Por ju nuk e bëni dhe kjo është e shpjegueshme; rrathët ciklikë për mbajtjen e pushtetit. Nëse është Fatmir Mediu, Fahriu e Zeni, merrini siç morët liderin Lefter Maliqi...e bëtë drejtor, tani së fundi deputet. Dhe jeni në rregull. Nuk keni përse qani studiove me Alfred Pezën a atë tjetrën bjonden dhe flisni për modele. Merrini se do u bëni nder edhe demokratëve. Të jeni të bindur, 99% e tyre do u shplodhet shpirti nga largimi i dinastisë Balliu. Apo nga hunjtë e ngulur aty si Mediu, Ndoka, kërcimtarët si ai i minoritetit grek a ky i çamëve etj. Janë mandate të demokratëve, por e kemi thënë tani, informaliteti i formulave në votime, paktet etj, kanceri ynë social. Nuk mbahet pushteti me foto nga kërpushat e zjarrit të Gërdecit? Do këllqe... por këto kanë vdekur. Dhe kjo nuk mjafton vetëm për ju. Po të paktën le t’ua kujtojmë shqiptarëve, se tani, kanë arsye me shumicë për të protestuar.

Nuk gjen një investim publik në këto vitet e fundit që të jetë bërë me fondet e shtetit. Por kudo, diku Kuvajti, diku Emiratet Arabe, diku Turqia, diku Greqia a Italia... Në ndëtimin e institucioneve a administratës, Amerika dhe Komuniteti Europian etj. Çfarë në fakt ndërtojnë shqiptarët? Ku investojnë qeveritë e tyre.? Kur nuk ndërtojmë dot një shesh publik, si mund të ndërtojmë ushtrinë, si mund të prodhojmë mjete të motorizuara. Shqiptarëve u duhet thënë vetëm kaq, ai kryeministër, a ajo qeveri që ndërton me paratë e të huajve nuk bën për ju, ndaj zbytheni dhe vazhdojeni ciklin deri sa të vijë aty ajo e duhura. Nuk mund të shpiesh një vend në Europë me “xhelista” studiosh, me ankesa brinjësh e të ndenjurash, me qarje e memo nga ngjarje të kobshme... këto janë të tejkaluara. Apo edhe këto sondazhet me 80% besueshmëri ky, 26% ai, 4% ajo etj, se aq është e uruara 100, aq është kuti matës…

Protestoni vëllezër se në Europë keni hyrë me kohë, edhe pse Rama, e baballarët e tij, Berisha e të tjerë fondamentalistë të nomeklaturës ju pengonin. Jemi në Europë e kudo që nga koha kur morëm malet!