Blog

Taulant Dedja: Çfarë i thashë Nanos dhe Ramës në Kongresin e Prillit 2007

Nga: Taulant Dedja

Si u zgjodh Edi Rama Kryetar i PS? Kush e mashtroi Fatos Nanon që nuk u zgjodh president? Çfarë i thashë Ramës në kongres për takimin Berisha-Koço Kokëdhima?

Situata politike në Shqipëri dhe degradimi i saj së fundi, më nxiti t’u kthehem disa intervistave apo qëndrimeve të publikuara në shtyp, lidhur me Partinë Socialiste dhe me Kongresin e Prillit 2007, i cili sipas meje ishte pika kur PSSH ndërroi përfundimisht kurs drejtimi, duke u shndërruar në një parti ku dikton "Njëshi". Në atë kohë, nuk kishte media elektronike, kjo është dhe arsyeja që po nxjerr nga arkiva ime dhe po publikoj ato çfarë kam thënë e bërë gjatë asaj periudhe politike. Sikurse theksoj, për shkak të oponencës dhe frymës kritike që intervistat apo fjalimet mbartnin, të vetmet gazeta në ato vite që i patën botuar (sepse nuk i kishte Rama nën kontroll) ishin ‘Standard’ dhe ‘Tema’. Përjashtim bën dhe Revista ‘KLAN’ e cila botoi një intervistë timen (që mund ta lexoni më poshtë) pikërisht ditët kur do zhvillohej Kongresi që Petro Koçi kish kërkuar të anullohej dhe në të cilin Rama, me ndihmën e Blushit dhe Gramoz Ruçit, mori tërësisht nën kontroll PS për ta projektuar atë më vonë drejt tipit të një partie totalisht në funksion të interesave personale dhe grupit të ‘ushtarëve’ të tij të bindur.

Intervista -Revista "KLAN" Prill 2007

Pasi Komisioni i Garancive Statutore rrëzoi kërkesën e Petro Koçit për anullimin e Kongresit të 12 majit, në Partinë Socialiste po përvijohet një situatë e hapur konfliktuale. Si do ta komentonit këtë situatë të krijuar pas zgjedhjeve të 18 shkurtit ?

Kjo pyetje meriton një përgjigje në dy plane. Së pari, në Partinë Socialiste nuk është bërë një analizë për të vlerësuar se cili është rezultati i vërtetë i zgjedhjeve të 18 shkurtit. Unë bëj pjesë në atë grup socialistësh, të cilët janë të mendimit që fitorja në Bashkinë e Tiranës apo fitore me rezultat të ngushtë në qytetet e mëdha, ku madje mazhorancën në këshillat bashkiake e ka e djathta, nuk do të thotë fitore për PSSH në të gjithë Shqipërinë. Partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet lokale. Ne kemi arritur në minimumin tonë historik si përqindje. Në qoftë se do të bënim pak matematikë dhe do të bashkonim 9% te LSI me 23% tonë, kjo nxjerr një rezultat total prej 32%, që është më pak se minimumi që ne kemi patur në këto 16 vjet në zgjedhjet lokale. Në mandatin 2003-2006 kemi patur tetë kryetarë këshillash qarku, ndërsa sot praktikisht mund të marrim vetëm një të tillë, në se ky nuk i lihet LSI. Pra janë 11 këshilla qarku që kalojnë në shumicë nga e djathta. Për sa i takon KQGS-së, është një çështje që nuk do shumë koment. Mbi anëtarët e tij është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm personalisht nga Zoti Rama. Mark Nikolli, i cili e kryeson këtë komision qysh nga krijimi, me dorëheqjen e tij ka kryer një akt civil, duke deklaruar publikisht se ajo që ndodhi është në kundërshtim me Statutin e PSSH. Ky është apeli më i mirë që mund t’i bëhet dhe Kongresit, i cili tashmë është i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në parti.

Si do ta përkufizonit drejtimin e tanishëm të Partisë Socialiste nga kryetari Edi Rama?

Drejtimin e tij e kam vlerësuar tërësisht autoritarist dhe në kundërshtim me çdo traditë rregullash demokratike në PSSH. Me mënyrën se si po vepron, veçanërisht në ditët e fundit, me një nxitim të pakuptimtë për t’u rizgjedhur në krye të partisë, me një proces antistatutor, anarkisti Rama po dëshmon se nuk ka asnjë lidhje me të majtën dhe PSSH. Ato i ka përdorur thjesht për karrierën e tij personale dhe ndofta, nëse ai do të arrijë të nënshtrojë Kongresin në datën 9 prill, do të kemi një parti që vetëm emrin mund ta ketë ‘Partia Socialiste’. Asgjë nuk do të mbetet nga ajo parti që pësoi një reformim 16 vjeçar që e çoi drejt Internacionales Socialiste. Nuk e kuptoj se për çfarë reformash mund të flasim sot në PSSH kur ajo është parti anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste. Në parti po ndodh një proces transformimi i imponuar që rrezikon ta shpërbëjë atë përfundimisht. Ky proces, s’është gjë tjetër veç një tentativë për të krijuar një parti e cila, do t’i nënshtrohet tërësisht diktatit të "Njëshit" dhe që do të funksionojë vetëm për të plotësuar interesat e Ramës dhe të "entourage" rreth tij.

Sipas jush, pse Kongresi i PSSH mbahet para afatit të caktuar?

Realisht ky Kongres ka notat e një Kongresi të jashtëzakonshëm. Nëse i nënshtrohen diktatit të Ramës dhe atyre që e pasojnë atë, delegatët do të miratojnë përfundimin para kohe të mandatit të tyre 4 vjeçar. Kongresi është një institucion i cili, sipas Statutit, zgjidhet një herë në 4 vjet dhe mund të mblidhet sa herë gjykohet e arsyeshme nga një pjesë e anëtarëve të tij, apo kur kjo vendoset nga organet drejtuese që kanë kompetencë thirrjen e tij. Pjesa më e përgjegjshme e PSSH, mendon se shkrirja e këtij kongresi do të jetë atentati më i madh institucional në 16 vjet të ekzistencës së PSSH.

Votimi i fshehtë në kongres i paketës për rinovimin e strukturave do të jetë kushti juaj i pandryshueshëm për të qëndruar ende një deputet i PSSH ?

PSSH deri në këto momente ka një standard të vendosur prej gati 10 vitesh. Sa herë që ka debat për një çështje, ne i jemi referuar votimit të fshehtë. Nëse ne do të humbim votimin e fshehtë në Kongres, atëherë personalisht gjykoj se kjo nuk është më ajo parti tek e cila unë kam kontribuar prej gati 13 vjetësh. Kjo do të jetë prova përfundimtare se një vit e gjysëm i Ramës në drejtim, mjaftoi për të nënshtruar, mashtruar apo dhe korruptuar moralisht të gjitha institucionet më të larta të partisë. 

Do t’i qëndroni deri në fund deklaratës për të dalë deputet i pavarur në se nuk plotësohet ky kusht?

Absolutisht po. Në qoftë se Kongresi do t’i nënshtrohet diktatit të z. Rama unë nuk do të jem më pjesë e Grupit Parlamentar të PSSH. Largimi nga grupi parlamentar do të sjellë pozicionimin tim si deputet i pavarur brenda spektrit të majtë. 

Si do t’i përgjigjeshit komentit se ky rizgjim i fërkimeve brenda PS bëhet për të mbështetur zotin Nano për President ?

Këto dy çështje duhet të trajtohen të ndara. Për sa i takon presidentit, e majta duhet të mbajë një qëndrim unik. Pra, të vendosë që kandidati të jetë patjetër nga e majta dhe pastaj të kalohet tek emri. Dhe opinioni im ka qenë që në se do të vijmë tek një kandidat unik i të majtës, më i miri mbetet zoti Nano, në të gjitha parametrat e kërkuara për këtë post. Në të njëjtën kohë gjykoj se prezenca e tij është e domosdoshme në kongresin e ditës së hënë, sepse ai ka detyrimin moral dhe politik të mbrojë atë investim të tijin dhe të mijëra socialistëve për 16 vjet me radhë.

Sa i takon zgjedhjeve të parakohshme, a janë ato të nevojshme në një situatë të tillë politike në vend?

Aktualisht ka një konfuzion të plotë në qëndrimet e faktorit të majtë lidhur me këtë çështje. Rama po mashtron hapur opinionin socialist dhe më gjerë me qëndrimet e tij qartaz kontradiktore. Sot i shkruan Berishës për bashkepunim, pas një jave bën të kundërtën. Ai po luan me kartën e zgjedhjeve të parakohshme vetëm për të justifikuar veprimet e tij anarkiste dhe antistatutore. Synimi është fare i qartë. Zgjedhje me çdo çmim kryetar, me një proces tërësisht të manipuluar, ku do të marrin pjesë shumë anëtarë fiktive të cilët po serviren si prurje të reja në PSSH. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar është shprehur haptazi kundër zgjedhjeve të parakohshme dhe mbështet vetëm zgjidhjet konsensuale, që përjashtojnë prerazi qëndrimet e çekuilibruara të Ramës.

Si u zgjodh Rama kryetar i PS 

Kalimthi kujtoj që Ramën e kam njohur në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’, ku studionim të dy. Më pas në Institutin e Lartë të Arteve të dy patëm profesor të lëndës ‘Ekonomia Politike’ Fatos Nanon. Rrethanat e sollën më vonë që të ishim të vetmit nga ish-studentët e tij të viteve 80-të që ai promovoi në sferat e larta të politikës. Edhe pse Rama me skuthllëqet e tij më kishte dhënë disa herë shkak t’i mbaja qëndrim kur isha prefekt i Tiranës, nuk e bëra një gjë të tillë në vitin 2003 kur tentoi të kandidonte për herë të parë si kryetar. Përkundrazi e mbështeta, madje me porosi të Nanos e ndihmova që të mblidhte firmat e domosdoshme për të kandiduar në Kongres… Në fushatën e vitit 2005, pas Korçës ku bëri fushatë për Blushin, ai erdhi në Elbasan dhe si kryebashkiak i kryeqytetit, nga ekrani i ETV i bëri thirrje zgjedhësve të mi të votonin për mua. E mbaj mend si tani shprehjen e tij: ‘Votoni për Taulant Dedjen se nuk është deputet-karton’ …

E më tej në vjeshtën e vitit 2005, në tetor, në një kongres të tensionuar Rama zgjidhet kryetar përballë Rexhep Meidanit. Isha unë ai që nxirrte fletët e votimit nga kutia. I hapja dhe më pas me zë të lartë i lexonte Musa Ulqini se kujt i takonte vota, Ramës apo Meidanit. Mbaj mend momentet e hezitimit të Ramës para se të vendosej të kalohej në votimin përfundimtar në një nga pushimet mes seancave. Më pyeti ku e bazoja unë sigurinë që nëse votohej atë ditë për kryetarin ai do të dilte fitues. (Një alternativë ishte që pas dorëheqjes së Nanos PS të drejtohej kolegjialisht edhe për disa kohë por unë në fjalën time në Kongres insistova që nuk duhej të dilnim nga kongresi pa kryetar të ri). Përgjigja ime ishte e prerë : ‘Paketa jote e ndryshimeve statutore vërtetë u hodh poshtë por nëse ti do votohesh për kryetar, kjo sallë nuk do të hedhë poshtë sepse pas humbjes në pushtetin qëndror je i vetmi njeri me pushtet që i ke mbetur socialistëve’. I sugjerova të propozonte Majkon për sekretar të përgjithshëm përballë dyshes Meidani-Dade. Rezultati dihet…

Pas disa muajsh publikisht në një intervistë në ‘Tema’ kritikova stilin e drejtimit autoritar të Ramës por çarja e vërtetë erdhi në momentin kur unë e propozova Nanon si kandidat të PS për president, ide të cilën për herë të parë e bëra publike në një bisedë në studion e ETV në Elbasan. Atë mbrëmje pas emisionit pata një telefonatë nga Rama. Komunikimi ishte shumë i tensionuar dhe unë iu përgjigja atij me stilin tim, që edhe ai edhe Nano e njohin shumë mirë… Kisha bindjet e mia në fund të fundit dhe s’më bënin përshtypje as presionet dhe nuk trembesha madje as nga pistoleta që dikush nga sejmenët e Ramës ma tregoi nën tavolinë në një mbledhje grupi parlamentar ku unë debatoja me Majkon…

Le të vijojmë me ditën e Kongresit. Isha shprehur që prezenca e Nanos ishte e domosdoshme, sepse ai kishte detyrimin moral dhe politik të mbronte investimin e tij dhe të mijëra socialistëve për 16 vjet me radhë. Komunikova disa herë me sms me të dhe fjalët e fundit që i shkruajta ishin : «Ne se ti nuk vjen sot në Kongres nuk do bëhesh president» ! Ai nuk erdhi dhe nuk u zgjodh dot i tillë sepse sipas meje u mashtrua nga Gramoz Ruçi që e bindi të mos vinte… President u zgjodh Bamir Topi, edhe me votën time si mbështetës i Nanos, në një zgjidhje kompromisi të arritur mes tij dhe Berishës në një takim në mbrëmje… Për ketë historinë e zgjedhjes së Bamir Topit dhe për bisedën që pata në telefon me Berishen pasi ai u takua me Nanon (ishte Topi që më telefonoi duke më thënë "Doktori do të flasë me ty") mbase do të flas më gjatë një herë tjetër.

Sot, ashtu si në atë vitin 2007 që më duket i largët, vërej me keqardhje se Partia Socialiste është e shpërbërë siç e paralajmërova në fjalimin tim në kongres. I ka mbetur vetëm emri dhe disa individë që pranuan të këmbenin principet me karrierën… Në mbyllje, kujtoj që atë ditë nuk u hodh në votim rezoluta e 15 deputetëve. Ashtu si kisha deklaruar, u largova nga Grupi Parlamentar duke mbetur deputet i pavarur. Miku im shumë i afërt, për shumë vite kryetar i PS në Devoll dhe delegat në atë Kongres, Jetnor Hysolli, vitin e kaluar kur e takova më kujtoi një fakt që e kisha harruar. Duke dalë nga Pallati i Kongreseve i paskam thënë Ben Blushit: “Ben, pasi ti heqë të gjithë, Rama do të të heqë ty të fundit” …

Çfarë i thashë Ramës në Kongresin e 9 Prillit 2007

Të nderuar delegatë!

Shumë prej nesh ndjejnë se ndodhemi përpara një prej momenteve më delikate që ka kaluar gjatë ekzistencës së saj Partia Socialiste e Shqipërisë.  Dy grupe me numër të barabartë deputetësh dhe drejtuesish të partisë kanë shpallur dy qëndrime për kongresin e sotëm.  Të dy këto grupe kanë mendime të ndryshme për një numër problemesh politiko-organizative.  A duhet të shtyhet apo jo, ajo që po propagandohet me forcë si reforma e madhe e partisë?  A duhet të luftojnë socialistët dhe të majtët për zgjedhje të parakohshme në 2-3 muajt që pasojnë?  A është Partia Socialiste e gatshme të përballojë një sfidë elektorale pa analizuar ende me përgjegjësi rezultatet e sfidës që sapo lamë pas?  A garantojnë zgjedhjet e parakohshme, pa karta identiteti, pa lista zgjedhësish, fitoren e socialistëve?  Duhet të vazhdojmë të “luftojmë” si deri më sot, diku kundër Berishës, diku kundër njëri-tjetrit, apo duhet të forcojmë strukturat e partisë për të fituar zgjedhjet e 2009-ës?

Para një viti e gjysmë, ne, anëtarët e kongresit, me votim të fshehtë rrëzuam një paketë ndryshimesh dhe po me votim të fshehtë i besuam Edi Ramës drejtimin e partisë.  Sot, nuk janë të paktë ata socialistë që, sikundër unë, po konstatojmë se shumë gjëra nuk ecin mirë brenda PS. Ne u larguam me një ndjenjë zhgënjimi nga kongresi i Qershorit të kaluar (i pari me Edi Ramën si kryetar dhe i pari kongres i yni që u zhvillua me DJ).  Para disa ditësh unë shpreha në shtyp atë që ndoshta shumë delegatë dhe të ftuar përjetuan në sallën e kongresit. Atë që kongresi i Qershorit i ngjante një farse që shënoi fillimin e zhbërjes së institucioneve të krijuara me mund në 16 vite histori të Partisë Socialiste.  Ishim ne, delegatët e kongresit, që me një procedurë votimi të hapur dhe pa debat, praktikë e paprecedent në jetën organizative të PS, miratuam disa ndryshime statutore që, po e përsëris, minuan disa nga institucionet më të rëndësishme të partisë.

Ju ftoj të shohim me sy të kujdesshëm kritik ato që unë i konsideroj hapa pas në demokracinë tonë të brendshme.  Po ju sjell vetëm një shembull!  Fraksionet e propozuara nga vetë Rama u eleminuan nga statuti.  A ka kontradiktë më të madhe midis iniciativës së Ramës për të vendosur fraksionet kur nuk ishte kryetar dhe heqjes së tyre në momentin kur u ul në karrigen e drejtuesit të partisë?  Në se ky dhe ndryshime të tjera interpretohen si lëvizje drejt përmirësimit të funksionimit të partisë dhe hapjes së saj drejt antarësisë, shumë prej nesh shohin në to një tendencë tjetër.  Kongresi dhe KPD-ja shtohen në numër për tu defaktorizuar në funksion të faktorizimit të njëshit, në funksion të ambicieve të tij personale për faktin se nuk ka zgjidhur ende dilemën e madhe: Bashkinë, Partinë, Parlamentin, Qeverinë, a ku ta dimë çfarë.  Dhe kujtoj se dëshira për defaktorizim të institucioneve nuk fillon këtu.  Para një viti u defaktorizua FRESSH-i duke u projektuar në krye të tij njerëz anonimë dhe pa kontribute.  FGSSH-ja ende mbahet peng dhe kongresi po shtyhet e shtyhet pa fund.

Përpjekja për të defaktorizuar institucionet e partisë sipas meje kanë vetëm një shpjegim.  Atë që kryetari dhe “entourage” i tij të emërojnë të ashtuquajturat institucione paralele si zëvendësekretarët organizativë - një pozicion dhe terminologji e tipit punist - duke anashkaluar edhe Kryesinë edhe të deleguarit e saj në qarqe.  Që më pas kryetari të guxojë deri të shpërndajë kongresin sipas dëshirës së tij, të na shpërndajë dhe të na mbledhë sipas dëshirës dhe synimeve të tij politike.  Që kryetari të mbushë radhët e partisë me anëtarë njëpërdorimësh - «mjaftistë» dhe analistë politikë të dështuar dhe klientelistë - funksioni efemer i të cilëve mbaron pasi votojnë për kryetarin me parimin një-anëtar-një-votë, parim i cili po kthehet nga demokraci e kulluar, siç u paraqit në fillim, në manipulim të kulluar, siç po na del sot.  Parim i cili jo vetëm nuk e rrit rolin e anëtarit në parti, por e redukton atë vetëm në votimin një herë në katër vjet, votimi i cili po tentohet të manipulohet që në aplikimin e parë serioz.  A mund të votojë sot një anëtar i pranuar në parti ditën e djeshme, në një kohë kur standartet e partive si e jona kërkojnë të paktën gjashtë muaj deri në një vit anëtarësim për të fituar të drejtën e votës brendapartiake?!

Në përfundim të asaj që thashë më lart unë shtroj pyetjen: ç’është ky ngut për të shkelur statutin dhe për t’i bërë gjërat jashtë afateve normale statutore?  Kujt i shërben kjo? Po bëhet çdo ditë dhe më e qartë se Rama po përpiqet të projektojë në parti mënyrat e drejtimit të Bashkisë që, në fund të fundit, është një ndërmarrje.  Partia nuk është ndërmarrje i dashur kryetar dhe as një organizatë jo-qeveritare.  PS ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë bashkim vullnetar njerëzish në emër të disa idealeve dhe interesave që ekuilibrohen me njëra-tjetrën.

Dy mesazhe kam sot për ish-kolegun tim të studimeve universitare, Edi Ramën!

I pari, lidhet me zgjedhjet lokale të cilat sipas meje nuk i kemi fituar. Dhe kjo për përgjegjësinë tënde. I ke dërguar si emisar në zyrë Sali Berishës, mikun tënd Koço Kokëdhima për t’i kërkuar në tavolinë sërish për vete Bashkinë e Tiranës në këmbim të lënies së pjesës tjetër. Aktualisht, si rezultat i kësaj, ne sot kemi mazhorancën vetëm në një qark, nga dymbëdhjetë që jane.

Mesazhi i dytë:  Ndonëse i ri në moshë kur i kishe mundësitë për të ecur ngadalë, por i sigurt në politikë, ishte zgjedhja jote të bëheshe socialist me procedurë të përshpejtuar.  Më pas zgjodhe të bëhesh drejtues i socialistëve, po me procedurë të përshpejtuar.  Nuk funksionon kështu dhe ke dështuar deri më sot në të dy këto synime!  Fakti që nuk arrite të bëhesh socialist, sepse po demonstron metoda anarkiste, të shtyn të përpiqesh ta transformosh partinë socialiste sipas interesave të tua duke i ruajtur asaj vetëm emrin, godinën dhe vulën!  Përsëri do të dështosh!  Sepse sot, ne, socialistët, kemi nevojë për solidaritet, për kohezion, kemi nevojë për njëri-tjetrin.  Të ftoj të bëhesh pjesë e procesit, e zgjidhjes së problemit dhe të pushosh së qeni problemi, ndarja, kaosi!  Të ftoj të bëhesh socialist!  Më pas mund të përpiqesh të bëhesh lideri i socialistëve, sepse deri më sot nuk je i tillë!  Aq më tepër nuk je as lider i koalicionit të majtë i cili ende mbetet formal.

Me një tjetër mesazh do t’u drejtohem delegatëve të këtij kongresi. Është momenti, sot më tepër se kurrë, që partia jonë të tregojë maturi, pjekuri dhe aftësi për vendim-marrje në momentin më kyç të gjithë historisë së saj 16-vjeçare.  Le të kemi sot vetëm një frymëzim në vendim-marrjen tonë personale – faktin e të qënit socialist!  Ne kemi një standard dhe moral: votën e fshehtë.  Nëse sot nuk do ta respektojmë atë, partisë socialiste do t’i mbetet vetëm emri dhe jo vlerat e saj!  Si anëtar prej 13 vjetësh i Partisë Socialiste, duke i qenë asaj mirënjohës për gjithë investimin e bërë për mua, deklaroj se do t’i nënshtrohem çdo vendimi që do të jetë rezultat i votës së fshehtë të këtij kongresi.

Ju faleminderit!

©FlasShqip