Blog

Bëhu i ditur që të jesh i lirë! - Nga Rushan Xhaferi

Le ta fillojmë me një “barcaletë”. Një tregim vlonjat që duket sa i pabesueshëm aq edhe qesharak.

Në 97 kur bandat bënin ligjin, në hyrje të Vlorës, vjen nje autobus nga Tirana. Banditët ndalojnë autobuzin, hyjnë dhe fillojnë tu marrin lekët njerëzve. Grabitje, zakon labërie. Te gjithë pasagjerët nxorrën sa kishin. Nga mesi i autobusit, një djalë nuk kishte asnjë lek për të dhënë, dhe një nga banditët i foli shefit për ta vënë në dijeni të situatës. «Ku i ke lekët?», e pyeti shefi i bandës. «S’kam lekë, jam student», u përgjigj i riu. Shefi i bandës, e pa një herë me inat dhe vazhdoi deri në fund të autobuzit. Kur u kthye për të dalë nga autobusi dhe ju afrua sediljes së studentit, e pyeti, sikur kërkonte një sebep por që as vetë nuk e dinte përse. «Në ça viti je?» e pyeti varfanjakun me një shikim serioz. «Në vit të parë» i tha djaloshi. Në atë moment, krimineli ja këputi me dackë, dhe shtoi nga pas, «Edhe mëso ti mut!»   

Mbi 22 vjet me vonë ku është gjendja e sistemit arsimor në Shqipëri?

Më kujtohet një debat midis Fatos Lubonjës dhe Henri Çilit në emisionin Opinion të vitit 2014. Lubonja, kujtoi katër etapat e historisë së Shqipërisë post-komuniste: firmat piramidale, kompanitë e ndërtimit, universitetet private dhe industrinë e drogës. Ajo që më intereson më shumë është arsimi.

Liria qytetare fitohet me dituri, siç e thotë edhe titulli që citon Lubonjën. Besoj se është më e vështirë t’ia hedhesh një njeriu të arsimuar sesa një personi që ka pak njohuri. Kur them i arsimuar kam në mendje një person që ka lexuar, që është i dalë, që mendon dhe që nuk gënjehet me gjënë e parë që i prezantojnë. Francezët thonë: «Çdo gjë që ndiçon nuk është prej ari.» Ne jemi genjyer kollaj. Para 90-tës, nje shishe plastike apo metalike që vinte nga deti do të “ndiçonte” bufenë familjare dhe tregohej si një trofe i rrallë. Injorancë.  

Kjo karakteristikë e jona u vërtetua direkt pas daljes nga periudha komuniste. Firmat piramidale bënë dëme të mëdha sidomos nga injoranca ekonomike e përgjithshme e popullsisë. Edhe në vënde të tjera këto skema mashtrimesh kanë pasur sukses. Jo më vonë se 2008-ta në SHBA Bernard Madoff mashtroi mijëra investitorë, midis tyre aktorin Tom Hanks dhe regjizorin Steven Spielberg. Skema e tij ishte perfekte ngaqë Madoff kishte qënë financier i shkëlqyer dhe çdo muaj u dërgonte klienteve te tij rezultatet financiare dhe investimet e bëra, që në fakt ishin vetëm letra fallco.

Por në Shqipëri, muajt e fundit para rënies së Sudes, “Popullit” dhe Xhaferit (le ta qartësojmë se me këtë të fundit nuk kam asnjë lidhje familjare 😊) njerëzit jepnin lekët, miliona lekë, shumë herë pa u numëruar, nëpër disa ndërtesa të rrënuara që mbaheshin si firma të fuqishme. Asnjë lloj mendimi kritik për atë që po ndodhte. Asnjë pyetje se përse gati të gjithë “presidentet” e këtyre firmave ishin ish-ushtarakë.  Asnjë pyetje si 1 lek mund të bëhej 2 lekë në pak kohë. Më vonë pamë se si mund të kalohej nga Leka I tek Leka 2 pa kaluar fare nga Zogu i Zi.   

Injoranca është gjëndja e një personi që nuk di, si dhe mungesa e arsimimit, e dijes dhe e njohurive të përgjithshme që ka si sinonim: paaftësine. Si shenjë paaftësie, injoranca ka bërë dëme të mëdha. Inkompetenca është vdekjeprurëse. Idrizi ishte një djalë 24 vjeçar që pati një aksident motorri në 1994 në Vlorë. Në spital, doktorët i thanë që nuk kishte gjë dhe do kalonte. Inkompetenca e mjekëve i dha shpresa të kota Idrizit që 24 orë më vonë, ju largua kësaj bote në mënyrën më absurde. Hemoragjia cerebrale nuk u identifikua nga asnjë mjek. Ndoshta aparatet ishin edhe të prishur në një kohë ku jeta e njeriut vlente fare pak.

Të flasim sërish mbi debatin Lubonja-Çili. Lubonja deklaroi: “Universitetet private janë piramida që mbledhin lekët e njerëzve dhe prodhojnë mall skarco në një moment ku mediat nuk denoncojnë këtë realitet sepse janë të kapura”. E gjithë e vërteta në një fjali kaq të thjeshtë. Kush mund të mos i japë të drejtë në këtë moment. Në një analizë të thellë, pyetja që bëhet është: Çfarë kanë sjellë këto universitete private që u premtojnë «studenteve» (që në fakt janë klientë) në jetën shoqërore shqiptare? Ndryshim? Kompetenca? Mundësi zhvillimi? Një herë e një kohë, diploma e universitetit siguronte një punë të “mirë”. Në këtë moment në Shqipëri, diploma e universitetit të garanton në të shumtën e rasteve një punë si kamarjer.  

Mediat (në të gjithë botën) janë bërë pjesë e sistemit duke mbajtur gjallë iluzionin e demokracisë. Fatkeqësisht, në Shqipëri, disa oligarkë po mundohen të kenë pushtet të plotë mbi biznesin e universiteve private duke hedhur baltë mbi arsimin shtetëror. Kritikat mbi sistemin publik mund të duken të drejta, por Noam Chomsky i është përgjigjur kësaj pyetjë vite më parë. “Si të shkatërrojmë shërbimin publik? Duke ulur financimin e tij i cili nuk do të funksionojë më. Njerëzit do të shqetësohen, do të duan diçka tjetër. Kjo është teknikë bazë për privatizimin e një shërbimi publik.” Në këtë mënyrë, Henri Çili me shokët e tij vijnë si shpëtimtarë të arsimit të lartë duke propozuar si zgjidhje një sistem privat.

Universitetet, si pjesë e formimit akademik dhe shkencor të njeriut, janë garant i ecurisë së vëndit. Arsimi i lartë është thelbi i një kombi i cili arrin të ngrihet në momentet më të vështira të tij. Ky është motorri i një shoqërie te fortë e cila ne momente kyçe arrin të rigjenerohet. Jo më kot, në historinë tonë, njerëz të shkolluar kanë nxjerrë popullin nga momentet më të vështira. Dhe jo pa shkak diktaturat u janë kundërvënë intelektualëve të cilët kanë pasur gjithmonë një shikim kritik për sistemet e korruptuara.  Forca bruto e trimave atdhetarë bashkë me strategjitë e personave të arsimuar, shumë herë jashtë vëndit, na bënë me një shtet shqiptar në 1912. Arsimi i lartë e meriton plotësisht epitetin sublim. Jo më kot kriteri i parë për të imigruar ne Kanada është arsimi i lartë.

...

Oni është nipi im 16 vjeç. Kujton se i di të gjitha. Normale ka gjak vlonjati. Të jep ujë në bisht të lugës në një diskutim mbi nanoteknologjitë (kujt i hyjnë në punë). Por po të jetë për të kuptuar situatën politike dhe të ketë një ide mbi situatën në Shqipëri në 2019, Oni është 3 vjeç, ose dhe më pak. Jo se nuk kupton, por se nuk i intereson. Mirëpo ky është brezi i ri. Një brez që është pak i interesuar për anën politike.  Ana politike në fakt i është lënë një pjese të shoqërisë që i përket një elite. Bijtë dhe të afërmit e pushtetarëve, ku si rastësisht kryejnë studimet e larta jashtë vëndit, do të zënë karriget dhe do të zëvëndësojnë këta mavritë që po vendosin për ne. Eh!

Fjalët e banditit vlonjat ndoshta kanë qënë këshilla më e mirë për rininë.

Mësoni!

Të mesojnë! Po ku?