Blog

Maqedonia e Veriut, sa afër dhe sa larg! - Nga Klodi Stralla

Këtë të dielë në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet presidenciale të radhës. Garojnë tre kandidatë: Stevo Pendarovski, i partive në pushtet (social-demokratët e Zaev-it dhe shqiptarët e BDI-se të Ali Ahmetit), Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase dhe shqiptari Blerim Reka, i mbështetur nga opozita shqiptare.

Ndryshe nga ne që Presidentin e zgjedh Parlamenti (nënkupto mazhoranca e rradhës me shumicë të thjeshtë, 50+1%), në Maqedoninë e Veriut Kushtetuta parashikon zgjedhje të drejtpërdrejtë të tij nga populli.

Veçori e kësaj here është fakti se që të tre kandidatët vijnë nga bota akademike, janë profesorë të njohur universiteti dhe jo anëtarë të strukturave partiake mbështetëse. Ata nënshkruan paraprakisht një “pakt” sipas të cilit “përparësi ka procesi dhe jo rezultati”, për t’i garantuar vendit datën për hapjen e bisedimeve për antarësim në BE.

Ndryshe prej nesh ku Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi (lexo 5 pazare partiake), në Maqedoni ka dy raunde. Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, nëse në zgjedhje dalin mbi 40% e trupës të përgjithëshme zgjedhore prej 1.8 milion personash.

Duke i uruar fqinjit tonë zgjedhje të lira e të ndershme, le të reflektojmë se pse duke qenë kaq afër jemi ende larg prej tyre.