Blog

Rruga e burrave (tregimi i së dielës) - Nga Agim Xhafka

Vetëm në qytetin tim është një rrugë që ka emrin “Rruga e Burrave”. Askund, mbase në glob, nuk dëgjon çudi të tillë. Dhe nuk e kanë hequr nga përdorimi se është ngulitur kaq fort te banorët sa rrezik do të zhduket qyteti dhe sërish “Rruga e burrave” do flitet e përflitet. 

Historia e saj është banale, madje e pështirë. Lindi si refleks erotik, si një joshje e mashkullit që nuk turpërohet kurrë kur i ka hypur në kokë dalldia e veseve të tij.

Para shumë e shumë vitesh te ajo rrugë, që atëhere qe pa emër, banonte shoku im Alqi. Ai sapo kishte ardhur nga Saranda. Nëna i punonte në bankë dhe babai kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Mamaja e tij Elena, ishte fiks si Elena e Trojës. E gjatë, me flokë të verdhë dhe të gjata, me sy bojëqielli dhe me një qeshje që nuk i shkulej nga fytyra. U kthye në qytetin e vet pas vdekjes së burrit dhe i caktuan një dhomë e një kuzhinë te shtëpia e Klementit, ku rrinin disa familje nga që ishte vilë trekatëshe. U miqësova me Alqin dhe pas tre ditësh që ai erdhi te shkolla jonë unë i shkova te shtëpia. Më priti Elena me ledhatime dhe me buzëqeshje. U mahnita dhe gjëja e parë që thashë ishte: “Sa e bukur! Si mamaja ime qenka!” Qysh atëhere nuk ndala së shkuari. Mësonim me Alqin dhe u bëmë shokë të ngushtë.   

Vila ku ai banonte ndodhej në një rrugicë përballë bankës. Ishte e qetë dhe natën pak misterioze se nuk kishte ndriçim të saktë. Në pesë shtylla vetëm dy llampa ndizeshin. Kur dilja natën më dukej sikur do më kapnin fantazmat që më tregonte Calja kur i ati e dëbonte nga shtëpia.

Një darkë më ndaloi në rrugë presor Xhuvi. Dhe më pyeti për Elenën. A ishte në shtëpi. Po, iu përgjigja. Pandeha se donte ta takonte dhe i tregova derën me gisht. Jo, jo, mbase nesër, tha dhe u zhduk shpejt në errësirë. Ndjeva pak çudi se ai nuk ishte mësuesi im dhe i Alqit.     

Pas ca ditësh tek cepi i rrugës pashë tre-katër çuna që qeshnin fort. Kur u afrova njëri më pyeti: “Elena është në shtëpi a ka dalë?” Dhe qeshën përsëri. Nuk po kuptoja pse më pyesnin për Elenën dhe jo për Alqin. Nga dita në ditë rrugica u popullua. Tashmë edhe kur qyteti binte të flinte atje rrinin veç e veç ose në grupe plot djem ose burra. Bënin muhabet, pinin duhan, qeshnin, bertisnin, madje ca ia morën dhe këngës me kitarë. Tek shtëpia e Alqit çdo gjë ecte si më parë. Elena gatuante, qepte ose hekuroste, ne mësonim. Përherë rrinte brenda dhe kurrë nuk doli jashtë, asnjëherë. Mbyllej brenda sa vinte nga puna e deri në mëngjes. E shihja që ndonjëherë përhumbej dhe i zbriste mbi sy një dhimbje e madhe. Kujton burrin, mendoja. Dhe më vinte para fytyra e nënës sime kur sëmurej babai. Bëhej meit dhe nuk fliste, veç sytë i ngulte te babai, ai ishte bota e saj.

Një mbasdite pashë se rrugica kishte më shumë njerëz se bulevardi. Krejt xhiroja e njerëzve tashme qe kanalizuar te kjo rrugë. Por nuk e shpjegoja dot pse kishte atje veç burra, veç meshkuj. Nuk rrinin te cepi, por i binin rrugicës tej e tej dhe kur kalonin te shtëpia e Elenës qëndronin një çast, hidhnin sytë lart te dritarja e saj dhe pastaj vazhdonin drejt.

Ia thashë Cales dhe ai më qëlloi me çok në kokë.

-Nuk e kupton pse ka veç burra?

-Jo, - i thashë.

-Po rendin pas Elenës, - më tha.

Nuk e zgjidhja dot pse pas Elenës.

-Hë, nga që punon në bankë e duan para, - e gjeta.

Calja nuk vazhdoi. Më la mes rrugës dhe iku.

Një të diel kur nuk kisha cfarë të bëja në shtëpi shkova drejt Alqit. Trokita te dera, por askush nuk ma hapi. Sa po ikja doli Klementi nga hyrja e vet dhe gati me lot në sy më tha:

-Elenën dhe Alqin i çuan në Opar, në internim.

Nuk kuptoja asnjë fjalë, por nga zëri i tij i ulët kuptova se u kishte ndodhur diçka e keqe.  

Vrapova dhe i tregova babit. Ai heshti, më fërkoi kokën e nuk më shpjegoi gjë. Të nesërmen që në mëngjes kalova prapë andej. Prisja të dilte Alqi nga dera. Por jo, as në shkollë nuk erdhi. Renda mbasdite dhe...u habita. Rruga ishte si më parë. E heshtur dhe tek tuk ndonjë kalimtar. Sikur e kishte përpirë dheu turmën e burrave. Nuk dëgjoheshin as zhurma, as këngë, nuk kishte as xhiro.  

Kaluan vite dhe kur u rrita mësova të vërtetën. Shumë burra, nga që nuk iu hap asnjëherë dera Elena, i shkruan komitetit të qytetit se ajo po merrte më qafë plot e plot familje, se ajo po joshte meshkujt e qytetit dhe në se nuk largohej do ndodhte gjëma mes komunitetit.

Kaq u desh dhe pas një firme, erdhi makina me dy ushtarë, ngarkuan ata dy dyshekë e jorganë dhe drejt ferrit e bukura qe jetoi mes helmeve. Pyeta për fatin e Alqit dhe nënës së tij, por nuk mësova gjë. Deri sa Calja nga burimet e tij e kishte të sigurt se ata jetonin në Amerikë. Më shumë nuk dinte, por dhe kaq më gëzoi. Megjithatë shëmtia la shenjë. Ende sot ajo rrugicë quhet “Rruga e Burrave”. Më mirë i shkon “Grumbulli i Perversërve”.