Blog

‘Mbinjeriu’ i ditëve tona - Nga Flurans Ilia

Njeriu i ri i ditëve tona përpiqet 24/7 të jetë perfekt në profesionin e vet. Edhe jashtë pune. Edhe në shtëpi. Të jetë Mbinjeri. Edhe në gjurmët e gjumit të humbur. Zero tolerancë ndjesive njerëzore dhe ëndrrave. Koha, e pamjaftueshme për të qenë diçka tjetër, përpos faktit që je një makinë që prodhon para.

Njeriu ynë ka ndoca vite që ha i babëzitur konservën e biodiversitetit të humbur, por gjithsesi të mbështjellë me reklamë. Konsumon konsumerizmin e përbashkët. Filozofinë e tregut. Kryesisht mediatikun. Vuan të ketë një fizik dhe mentalitet bishe të mbështjellë me shishe. Ka kokë kokëkompjuteri, gishta celulari që duhet të jenë po aq të afta të mbrojnë (apo çpojnë) me agresivitet këto të mira materiale të cilat mund t'i humbësh për një fraksion sekonde po qe se brenda asaj sekonde nuk e ke mendjen te loja dhe je në pozicion jashtë loje. Një biçim progresioni gjeometrik si trysni e njëtrajtëshme nga e cila nuk gjen çast të shpëtosh.

Ky quhet progres. Vjen me një kosto për të qenë i tillë. Zhveshjen e njeriut nga ajo çka ai ka si më të qenësishme, largimin nga natyra e vet. Dhe nuk jam duke dëshmuar të tashmen. Më kanë humbur ndjesitë kundrejt saj. Jam duke rrëfyer të ardhmen.

Po përse po ua them të gjitha këto? Sepse thellë thellë çdo qenie njerëzore në veçanti ka brishtësinë e vet që buron nga krejt të tjera zona të panjohura të cilave nuk ua njohim burimin. Por u kemi mohuar ADN-në. Nga çasti që sforcua jote prej mbinjeriu tejkalon apo shter të gjitha këto resurse natyrore të qenies tënde, je një copë legen i çpuar. A thua vallë të jetë ky qëllim në vetvete i progresit?