Blog

Heroina e parë e protestës-Nga Jeta Dedja

I shqyrtova me rradhë të gjithë fjalorët e mundshëm të anglishtes për të gjetur qoftë edhe një nuancë interpretimi kërcënimi në shprehjen “Shame on you” por nuk gjeta. E përbashkëta mes tyre ishte që këtë shprehje e përdorim për t’i treguar dikujt se duhet të ndjejë faj ose siklet për diçka që ka bërë.

Dhe pastaj mendova që ky Borchardt është ndjerë i kërcënuar pasi nuk ka mundur dot të provojë ndjenjë faji. I bie që të ketë një zonë gri në spektrin e emocioneve dhe prandaj shkrimi i studentes në mur i është dukur rrezik për jetën.

Dhe kaq do Rama me kopenë e tij, pa pritur ndoshta as ndonjë ankesë zyrtare, për të treguar zellin dhe vasalitetin ndaj ndërkombëtarëve, shkon e i vërsulet një studenteje e cila ka gjetur formën e saj të protestës, model që përdoret edhe më dendur në perëndim. Këtë e dinë mirë 99-shit e qeverisë së Kryeministrit se e kanë patur formë të preferuar para se të katapultoheshin në pushtet.

Ka plot që nuk e miratojnë këtë lloj reagimi përmes artit apo shkrimeve në mur, dhe sigurisht që në shumë vende konsiderohet dhe e paligjshme, por sërish autorëve nuk u shkon policia natën t’i heqë nga krevati e t'i marrë në pyetje se kush i shtyu në këtë “krim”. Në Amerikën e Veriut në disa shtete e provinca grafiti konsiderohet vandalizëm dhe dënohet me gjobë ndërkohë që në Australi dhe disa vende në Evropë është tërësisht i ligjshëm. Ky fakt tregon që nuk është protesta përmes grafitit në vetvete e rrezikshme, antisociale apo e paligjshme, por është interpretimi që njerëz të sistemit i bëjnë asaj në kontekste të caktuara historike, kulturore e politike dhe kornizimi i saj në ligj. 

Sot të rinjtë në botë protestojnë për gjëra të vogla përmes artit të rrugës dhe ku të munden shkruajnë e vizatojnë mesazhet e tyre kundër qeverisjes a kujtdo ndaj të cilit mbajnë qëndrime. Shkrimet marrin formë grafitesh dhe mbulojnë jo vetëm një të pesëdhjetën e sipërfaqes së një muri, por të gjithë sipërfaqen. Nuk ka dalë ndonjë funksionar ndërkombëtar për më tepër që të qajë e të ankohet se dikush i ka shkruar murin a fasadën e pallatit apo të rezidencës, aq më tepër në kontekstin e një proteste masive. Për t’u merakosur pak do të ishte nëse papritur do t’i shfaqej ky shkrim ambasadorit të OSBE një ditë të bukur pranverore, ku rendi e qetësia në parajsën Shqipëri do të prishej vetëm nga cicërima e zogjve.  

Por jo, përfaqësuesi i OSBE në një kohë krize ekstreme të vendit ka luksin të ngrejë në këmbë shtetin e të targetojë një studente pasi ai e di se vetëm në vende si Shqipëria një zyrtari të rëndomtë të ardhur nga jashtë i jepet rëndësi e veçantë. Inferioritetet e pushtetarëve që vijnë si pasojë e gjendjes së tyre të rënduar korruptive u japin fuqi të dhjetë këtyre ndërkombëtarëve, të cilët as nuk janë shquar për ndonjë kontribut ndaj shoqërisë apo shkencës krahasuar me shqiptarin e fundit në listë me edukim mesatar.

Por, po të shohim anën tjetër, meqë të gjithë po kërkonin viktima dhe heronj në këtë protestë, ja ku e keni, quhet Ana Azizaj. Viktimë e një njeriu të frikësuar, por heroinë e një populli të lodhur e revoltuar.

©FlasShqip.ca

Tagged under Jeta Dedja Ana Azizaj