Blog

Populli shqiptar varur tek kollarja e Edi Ramës - Nga Rushan Xhaferi

Çdo popull ka narrativën e tij historike. Populli ynë nuk ngelet më pas. Duke dalë nga komunizmi, shumë paralelizma bëheshin për ne duke thënë se ishim, jo vetëm mbrapa popujve të tjerë, por edhe ca poshtë, madje dhe anash. Është e vërtetë se për një kohë shumë të gjatë, Perandoria Osmane u mundua të shqiste shqiptarllëkun nga populli ynë. Nuk ja arriti dot. Jo vetëm që nuk ja arriti, por ishin shqiptarët që duke ju bashkangjitur kësaj perandorie bënë karriere duke shpërndarë një lloj shqiptarizmi në gjithë tokat që ajo zotëronte dhe të nxirrnin në pah madhështinë e një populli të vogël që ishte në gjëndje të realizonte ëndra të mëdha. Mbret i Egjyptit dhe zyrtarë të lartë në shtresat e perandorisë ishin shqiptarë që zotëruan kudo.

Për më tepër, duke dalë nga brenda kësaj perandorie, shqiptaria nuk u harrua kurrë, bile doli akoma më i forcuar nga rilindasit (jo këta debilat e Edi Ramës), atdhetarë të vërtetë të cilët treguan se mëmëdheu do të ishte i pavdekshëm. Jo pa sakrifica, në 1912, Shqipëria mori formë. Një pjesë e madhe ju mohua. U desh gati një shekull që Kosova të riniste të merrte frymë lirishëm. Ndoshta do të vijë një ditë që padrejtësi të tjera të na njihen, edhe pse do të jetë akoma më e vështirë.

2019, duket sikur Shqiptarët janë një popull i dhunshëm dhe po japin një imazh të «keq» në sy të Evropës. Fallco. Shqiptarët janë një popull që do lirinë e tij nga armiqtë e jashtëm dhe sidomos ata të brendshëm. Në qoftë se Edi Rama nuk është Enver Hoxha, ai nuk është as Skënderbeu, të mos na i vijë keq Elisa Spiropalit. E shumta, piktori mund të jetë Hamzai.  

U desh ca kohë për të kuptuar se opozita në Shqipëri e humbi bastin e saj. Ajo luajti dhe dështoi. Nga ana tjetër, kryeministri ka vite që ka humbur imazhin, personalitetin dhe nderin e tij për të përfaqësuar një popull që nuk duhet të vuajë as edhe një ditë më shumë. Duke u fshehur pas një legjitimiteti, tashmë fallco, Rama refuzon të iki sepse nuk di se çfarë të ushtrojë si profesion. Mungesa e një plani karriere të këtij kryeministri të dështuar po çon një popull të tërë drejt hiçit. Dhe hiçi vetë, për të mos humbur fytyrën, thotë : «Pas meje, le të përmbytet bota». Askush nga Shqiptarët nuk ka ndërrmënd të përmbytet me piktorin.

Madhështia e popullit shqiptar qëndron në kapërcimin e gjithë periudhave që mundohen të vrasin shpirtin e tij i cili rigjenerohet sa herë që është e nevojshme. Njeriu shqiptar nuk është ndërtuar keq antropologjikisht dhe as mbrapsht, siç pretendon dikush. Dhe sidomos asnjë fe nuk është zgjidhja e situatës në Shqipëri. Asnjë fe nuk ka pasur vënd tek ne (aq më pak historikisht) sepse feja sjell përçarje gjë që nuk i është dashur kurrë Shqipërisë. Brezi i ri, sado pak i politizuar, do të jetë në gjëndje të japi një frymë të re. Fatkeqësisht, kjo do të marrë disa kohë ngaqë rinia është sa përtace dhe revolucionare.

Nëse nacionalizmi është urrejtja për të tjerët, patriotizmi është dashuria për atdheun, do të thoshte Roman Gary. Ne jemi patriotë sepse duam dhe nuk urrejmë. Prandaj, nuk duhet të urrejmë Edi Ramën : duhet të na vij keq për të. Edi i vogël nuk di më se si të dalë nga kjo situatë. Është i pafuqishëm. Ai po pret urdhërat nga jashtë. Jam shumë i sigurt se niveli i stresit ka pushtuar gjithë trupin e tij deri tek kollarja.

Gati, gati po më vjen keq për kollaren e Edi Ramës që është fare e pafajshme për qëndrimin e zotërisë së saj gjatë kësaj situate. Për këtë arsye, unë marr si sllogan, duke u inspiruar nga formula të tjera, dhe them se jam solidar me kollaren e Edi Ramës. Une jam kollarja e Edi Ramës! Gjithë populli shqiptar mund të jetë kollarja e Edi Ramës. Bashkohuni! Dhe po të kapemi të gjithë tek ajo, mund t’ja ulim kokën.