Blog

A e kalojnë vetingun moral shqiptarët?-Nga Endrit Mullisi

Në vitin e parë të lirisë demokratike në Shqipëri dëgjova një intervistë me një politikan francez në TVSH, nuk e mbaj mend as emrin dhe as temën e mesazhit të tij, por një shprehje që ai tha mu ngul në memorie dhe më kujtohet herë pas here. Kujtoj që ai tha (pak a shumë kështu): “Në Francë jemi përpjekur që të zgjedhim në drejtim të vendit njerëzit më inteligjente dhe kjo është gabim. Inteligjentët mund të bëjnë gjëra gabim në një mënyrë shumë të kamufluar. Ne duhet të zgjedhim njerëzit më të ndershëm që mundësisht janë inteligjentë”. 

Pse po e sjell unë këtë gjë? Sepse ne shohim problemin e moralitetit politik vetëm tek ata që janë në parlament dhe qeveri. Në krizën aktuale, zgjidhjet i kërkojmë duke parë po me të njëjtin këndvështrim. Më kujtohet kur isha në Shqipëri sesi PD ofroi idenë e KOP-it ku truri shqiptar në Perëndim do të vinte të ndryshonte qeverinë. Pra, njerëz me diploma perëndimore do sjellin ndryshimin radikal që dëshirojmë? A thua e kanë fajin diplomat?

Pa dashur të hedh baltë mbi askënd, më duhet të mendoj që një pjesë e atyre që bënë dhe bëjnë shkollë jashtë Shqipërisë janë nga familjet e atyre që kanë qenë në pushtet gjatë komunizmit apo atyre që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Pse më duhet të besoj unë që nga fara e atyre që kanë përdorur pushtetin politik për përfitime ekonomike apo akademike, do të veprojë ndryshe nga paraardhësit e tyre?
Kam vëzhguar të rinj të futur në politikë nga politikanët e vjetër. Pa përmendur emra, kam vëzhguar sesi janë shndërruar në variante të reja të pemës së vjetër. Shpesh me shprehje të kopjuara nga shefi plak. Kush turret të anëtarësohet apo të formojë parti të reja politike? Shumica prej tyre janë nga ata që shohin interesat personale dhe jo prej idealistëve që duan të shndërrojnë sistemin pozitivisht. Idealistët shumë shpesh shtyhen në qoshen e harresës nga karrieristët që nuk shohin se ku shkelin dhe nuk mbajnë mend premtimet.

Fola në fillim në lidhje me ndershmërinë dhe moralitetin politik. Sa të ndershëm duhet të jenë drejtuesit e një vendi? Kush do e vendosë nivelin e ndershmërisë? A është pjesa tjetër e popullatës më e ndershme se të zgjedhurit? A mos është një pjesë e madhe nga kategoria “hajdutë që nuk i është dhënë mundësia”? Mes rrethit të miqve kam treguar shpesh një ngjarje që më ndodhi ndërsa isha në një mikrobus të linjës Elbasan-Tiranë gjatë kohës që Meta ishte kryeministër. Bashkëudhëtari im po ankohej për korrupsionin e qeveritarëve dhe unë e pyeta: “Po të ishe ti ministër, a do merrje si ata?” Përgjigjja ishte e shpejtë sikur ai ta kishte menduar shumë herë: “Patjetër”. Përgjigja ime ishte: “Atëherë ti je njësoj si ata, atyre ju dha mundësia, ndërsa ty nuk të është dhënë”.

Jo se në vendet me kulturë perëndimore ku shumica e emigrantëve shqiptarë jetojnë nuk ka probleme korrupsioni dhe pandershmërie. Padyshim jo. Por në shoqërinë shqiptare është në çdo nivel dhe nuk është luftuar seriozisht asnjëherë. 
Rrëmujat e sotshme në Shqipëri janë për turp dhe të bëjnë të qash. Një grup politikanësh që nuk arrijnë të hyjnë dot në qeveri, përdorin mënyra të dhunshme. Njerëz që nuk po mendojnë për të mirën e popullatës, por të tyren. Nëse vërtetë PD e LSI do ishin serioze, ata do të hiqnin dorë jo nga mandatet e parlamentit, por nga jeta politike. Po imagjinoj ndërsa shkruaj sikur një dorë jonjerëzore të ekzekutonte çdo ditë në mënyrë të dukshme një politikan të korruptuar, siç në filmin “Braveheart” ku politikanët tradhëtare skocezë, u ekzekutuan nga William Wallace. Sa politikanë të tillë dhe aspirues do të kishin dëshirë të qëndronin në krye të politikës që është bërë më keq se një shtëpi publike!!?

Njerëzit janë të pakënaqur. Pjesa më e madhe e ka zgjedhur pakënaqësinë e tyre duke u larguar nga vendlindja, të tjerë që ndoshta mosha apo pamundësitë ia kanë mbyllur derën e emigrimit, kafshojnë buzën nga inati. Ka nga ata që shfryrjen ende e shprehin duke iu bashkuar protestave që fatkeqësisht na kthehen të dhunshme, qoftë nga elementët dhunë-dashës apo nga mllefi që nuk di se ku të shprehet.

Jezusi kohë më parë dha një këshillë, që të hedhë i pari gurin vrasës kushdo që nuk e kishte shkelur ligjin. Historia na tregon që u larguan të gjithë akuzuesit duke filluar nga më të vjetrit, të cilëve ndërgjegjja u rëndonte më shumë sesa të rinjve. 
Kush është duke akuzuar pushtetmbajtësit e sotshëm, a është I pastër vetë? Komunistët zemërkëqinj gënjyen një pjesë të popullatës shekullin e kaluar duke i premtuar të ngrënë me lugë floriri, nëse hiqnin borgjezët, kulakët dhe gjakpirësit. U bëmë edhe më keq, sa nuk e kemi marrë veten nga ajo lloj vëlla-vrasje. 

Si përfundim, jam dakort që qeveria aktuale e ka qelbur muhabetin në shumë drejtime, po ashtu siç dhe në qeverisjen lokale dhe çdo lloj institucioni në Shqipëri. Por të bëjmë rotacion veç për rotacion? Heqim maskarenj me edukatë dhe vendosim të tjerë pa edukatë? Çfarë duhet të heqim? Krahasimi që dëgjoj rëndom është që “këta nuk vjedhin aq shumë sesa ata”. Pra, nuk ka më të mirë për të zgjedhur, thjesht “të keqen më të vogël”. Për mendimin tim kanceri është më thellë seç ne imagjinojmë dhe duke folur për rrotacione politike, ne thjesht nuk jemi seriozë për të ndryshuar gjërat me themel. Duhet të jemi seriozë në ndryshimin filozofik dhe etik të popullsisë shqipfolëse. Më kujtohet që para ca vitesh një grup muslimanësh aplikuan për formimin e një partie që nuk ju aprovua. Një grupim i tillë ka një filozofi që do të ngrerë shpresat e një grupi të madh të popullatës për një ndryshim. Nëse një parti e tillë ekziston sot, dyshoj që ka për t’u bërë parti me ndikim në parlament. Sot partitë politike nuk kanë më as filozofi dhe as plan, përveç se të bërit e ca projekteve për t’i treguar votuesve që po punojnë dhe pastaj të realizojnë planet personale në pasurim me gjenerata. 

Zgjidhje praktike do të ishte rikthimi i zgjedhjeve mazhoritare dhe ndoshta një vendim më radikal-heqjen e partive politike. Kandidatët e zgjedhur formojnë aleanca për të bërë qeveri pune. Ndoshta në të ardhmen mund të rigjenden mënyra origjinale funksionale të qeverisjes sipas modelit shqiptar. Sot në duam të ecim si evropianë, por kemi një mentalitet oriental-diktatorial-krahinor-fisnor. Ndoshta ka ardhur koha t’i themi vetes dhe Evropës që jemi një lloj shartimi i pashoq, prandaj na duhet të veprojmë jo më sipas shablloneve por realitetit. Ndoshta ka ardhur koha që të mos emigrojë më popullata por politikanët. Ndoshta (siç kam shkruar më parë) është koha që Shqipëria të mos drejtohet më nga shqiptarët, meqënëse shumica e popullatës nuk kalon dot vetingun moral.