Blog

Austria i dha një leksion Tiranës dhe Prishtinës - Nga Ndue Ukaj

Austria do të jetë përtej mundësive tona dhe ne do të vazhdojmë të vajtojmë e të vuajmë, përsa kohë nuk heqim dorë nga mendësia bashibozuke, hipokrite dhe lindore, dhe përsa kohë nuk i përvetësojmë në tërësi vlerat e demokracisë perëndimore.

Kushti i parë për këtë është të bëhemi të vërtetë.

Udhëheqësit e Tiranës dhe të Prishtinës ua kalojnë gjithë homologëve të tyre për retorikë e kukurisje perëndimore, por nuk janë të vërtetë dhe veprat e mendësinë i kanë kryekëput lindore.

Vlerat e demokracisë perëndimore nuk lidhen vetëm me vizat, vizëllimat, markat, luksin, paratë, por me dinjitetin e personit dhe ai është vlerë sublime që rri në qendër të çdo gjëje.

Udhëheqësit shqiptarë koncpetin për shtetin dhe personin e kanë barazvlerësuar me konceptin e truallit ose çifligut. Dhe, siç e dimë, në trualli ka pasha dhe jo princ, dhe pashai nuk udhëheqë, por sundon.

Kjo është pika ku ne dallojmë nga Austria dhe ky dallim nuk është dosido, por esencial.

Shkrimtari Ismail Kadare, këtë fenomen e ka trajtuar shumë bukur te romani "Kamarja e turpit", dhe nëpërmes një personazhi, thotë: Shqipëria nuk bëhet me pasha, por me princ. Me pasha mund të bësh një pashallëk, por jo një shtet. Duke folur për figurën e Skënderbeut, në romanin në fjalë, thuhet: "Skënderbeu vërtet kishte pak topa e ushtri, por ai kishte ide të mëdha, dhe për këtë Shqipëria i shkoi pas atij dhe jo atyre që përfaqësonin konceptin e truallit dhe të topave."

Pra, pa një ide të qartë dhe të madhe, nuk do të mund t' i shpëtojmë kamarës së turpit, ku është vendosur tash e sa kohë ideja e atdheut, që është bastarduar deri në ide të truallit, me të cilin mund të bësh ç' të duash.

Ideja e truallit formon udhëheqës krejt të papërgjegjshëm dhe autoritarë.

Pra, ne, sikur të mësonim sadopak nga demokracia perëndimore, fundërrinat komuniste nuk do t' i lejonim të lulëzonin në Tiranë dhe në Prishtinë, kurse për idetë e mykta neoosmane do t' i kishim mbyllur dyert dhe dritaret qëmoti.

Austria na dha një leksion të mirë dhe ne duhet të mësojmë nga ai.

Ky na kujtoi se, njëra nga vlerat themelore të demokracisë perëndimore është etika e përgjegjësisë, përballë së cilës askush s'ka imunitet.

E ne deri tash këtë vlerë sublime e kemi abortuar, prandaj jemi sorrollatur dhe kemi improvizuar pa masë, pa ditur ku jemi dhe ku duam të shkojmë.