Blog

Rama meriton përballë një gazetar vlonjat - Nga Rushan Xhaferi

Në 16 maj, në emisionin “Opinion”, Kryeministri Edi Rama apostrofoi gazetarin Andi Bejtja, duke marrë fjalët e tij, “O vëlla”, dhe i përsëriti shume herë, sigurisht për të bërë diversion dhe tu zhvendoste vëmëndjen gazetarëve dhe telespektatorëve.

Edhe pse kohët e fundit Kryeministri është qetësuar disi në raport me gazetarët, gjatë emisionit mospërfillja kundrejt tyre ishte flagrante. Rama nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, si gjithmonë, dhe akuzoi gjithë botën për situatën, përveç mazhorancës.

Nga ana tjetër, gazetarët nuk u treguan në lartësinë e duhur. Andi Bejtja ishte totalisht i intimiduar, sa edhe Blendi Fevziu i tërhoqi vëmëndjen, duke u munduar t’i jepte pak kurajo. Pyetjet që ai bëri, shumë të sakta, nuk morën përgjigje, ngaqë Bejtja nuk insistonte për të marrë një përgjigje. Mirela Milori nuk arriti dot të bënte pyetjet që kishte përgatitur. Totalisht humbje kohe. Mentor Kikia humbiste në komente pa interes duke bërë një pyetjë në fund të diskursit të tij e cila i jepte politikanit mundësinë t’i shmangej pyetjes duke u marrë me «përgënjeshtrimin» e komenteve. Më së fundi, Andi Tela u mundua të merrte përgjigje, por Kryeministri kishte ardhur me qëllimin për të dhënë sa më pak llogari për situatën. Blendi Fevziu arriti ta vinte Ramën disa herë në pozitë të vështirë, por Rama doli nga kjo intervistë e sforcuar me disa gërvishje shumë të vogla.   

Kjo intervistë ishte një nga rastet e rralla për gazetarët që ta çonin piktorin në tapet, K.O. për ti treguar që ai ka falimentuar në detyrën e tij. Por fatkeqësisht ishin gazetarët që dështuan. Ishte mungesë përgatitje apo frikë nga pushteti? Gazetarët u treguan shumë amatorë përballë nje personi të cilit një pjesë e madhe e shqiptarëve duan ti kërkojnë llogari për situatën dhe të dëgjojnë sesi do të gjëndet një e ardhme për Shqipërinë. Mirëpo gazetarët ishin shndëruar në komentatorë pa bereqet. Përballë një sofisti takimi u bë shterp. Nuk mund ti vësh faj një ujku pse është ujk. U duhet vënë faj gazetarëve që u bënë dele.  

1000 pyetje mund ti ishin bërë Edi Ramës. Ku e shikoni Shqipërinë pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit? Po pas 6 muajsh? A keni ju akoma një legjitimitet kur Kryeministria po digjet dhe do të vazhdojë të digjet në javët e ardhshme? Përse nuk jepni dorëheqjen dhe në qoftë se populli ju zgjedh edhe një herë ju do të keni një legjitimitet më të fortë në këtë realitet ku njerëzit duan që ju të ikni? A është ky qëndrimi i një diktatori? Mbeten 995 pyetje të tjera që mund ti bëheshin Edi Ramës.   

Piktori ka frikë ngaqë e di që ka dështuar në këtë mandat të dytë. Por fatëkeqësisht për kundërshtarët e tij dhe një pjesë të madhe të shqiptarëve opozita nuk është opsion i besueshëm. Edi Rama e di, Sali Berisha e di, Monika Kryemadhi e di edhe Lulëzim Basha e di. Mund të kemi gjithë urrejtjen për Kryeministrin e dështuar, por ai ka të drejtë në një pikë. Situata e brëndshme e Kosovës dhe çeshtja e kufijve, shkëmbim apo korrigjim, është një temë që krijon probleme, jo vetëm në rajon por edhe për Bashkimin Evropian pa harruar Rusinë. Fakti është që kur ftohet Kosova, kollitet Shqipëria.

Hyrja e Serbisë në BE ka si kusht njohjen e Kosovës. Drejtuesit serbë po mundohen të vënë në plan një shkëmbim të disa territoreve me Kosovën duke ua shitur popullit serb si fitore simbolike për humbjen e Kosovës. Është si ai goli i nderit që një skuadër mundohet të arrijë gjatë një ndeshje të cilën e ka humbur. Nga ana tjetër Rusia është shumë më dinake sepse hyrja e Serbisë në BE nuk ka për të asnjë avantazh gjeopolitik. Serbia është për Rusinë e vlefshme deri sa ajo është jashtë Evropës, si një qen që e përdor kur i nevojitet. Ne e pamë sesi Rusia reagoi në Ukrainë kur kjo e fundit ndërrmori hapa për të hyrë në Evropë. Dështim total dhe humbje të Krimesë. A ka gisht Rusia në këto trazira në Shqipëri?    

Kur dëgjova në gojën e piktorit shpehjen “O vëlla”, sesi më erdhi. Një Kryeministër që flet vlonjatçe. Shprehja “O vëlla”, tregon një afrimitet për personin përballë. Është pranimi i tjetrit në tërësinë e tij, pa paragjykime dhe në kërkimin e një konsensusi. Realitet vlonjat. Jo më kot, ne e konsiderojmë personin përballë si vëlla ose motër. Një person i afërm. Një person që mund të diskutojmë dhe mund të gjejmë një zgjidhje për problemin që kemi. Por Bejtja nuk është vlonjat. Një vlonjat i vërtetë do ti ishte përgjigjur Edi Ramës: “O vëlla, po nuk ju përgjigje pyetjes time, atë motrën”!