Blog

Ylli Dylgjeri: Jetë të gjatë Portalit ‘Shqipëria që duam’!

Portali Qeverisës po arrin suksese impresionuese. Mbi 35 mijë qytetarë, katundarë dhe emigrantë, pasi i kanë qarë hallet te Portali Qeverisës ndjehen të lumtur për zgjidhjen e tyre në kohë. Kjo shifër do të thotë që Portali për 1 vit ka zgjidhur 100 shqetësime në ditë. Është i vetmi Portal që funksionon nonstop e me ngarkesë të plotë. Portali me egoizëm po thyen rekorde në marrëdhëniet publike.

Njerëzit më parë i besojnë Portalit se Qeverisë në efektivitet. Ndaj dhe publiku sot kërkon që Portali të regjistrohet si Parti Politike. Sot dëgjon kudo njerëz që duan të anëtarësohen në Portal sepse:

Portali nuk njeh tesër, bindje, racë apo etni.

Portali nuk votohet.

Portali nuk rrëzohet.

Portali nuk shahet.

Portali nuk jep dorëheqje.

Portali vetëm lavdërohet.

Me ritmet robotike të derisotme, nuk ka mekanizëm që ta përballojë rendimentin e Tij. Si një makinë e së vërtetës lindi vetëm për sadaka e për zgjidhje flash të problemeve. Do të vijë shpejt edhe ajo ditë që Portali të zgjidhë edhe problemet Rajonale, Europiane për të kapur më tej edhe ato Botërore.

Siç e shihni, shenjat e para po i jep. Vizat për Europë dhe SHBA tashmë i zgjidh i Pari i Portalit. Shqipëria shpejt nuk do ketë nevojë për Ambasada perëndimore. Ishte një propozim i Ministrit Caka ky që po përqafohet me shpejtësi edhe në kontinent. Por ritmet e Portalit nuk janë vetëm rozë. Po dalin edhe problematika.

Një shqetësim p.sh do të jetë ai kur të mbarojnë hallet e qytetareve shqiptarë, me se do merret Portali? Një shqetësim tjetër është emigrimi i qytetareve, sepse shqiptarët po duan më shumë Portalin se Shqipërinë. Për të gjitha këto të papritura Ministri për Europën ka ngritur një grup punë për t’i paraprirë e dhënë përgjigje gjithckaje. Thuhet se kur të zgjidhen kërkesat e shqiptarëve, Ministri Cakaj do të lidhë një kontratë me kinezët. Pastaj puna nuk shteron. Ndaj dhe Ne në datë 25 Maj do të brohorasim: Jetë të gjatë Portalit ‘Shqipëria që duam’!