Blog

Logjikë mbrapsht ose fajin e ka Kadareja!? - Nga Arben Kallamata

Që shpjegon se si arriti Kadare me një deklaratë të pakonfirmuar në vitin 2008 të pushojë nga puna ambasadorin Bardhyl Kokalari në 1995.

Mes valës së përgjithshme të entusiazmit mbarë popullor për zgjedhjen e një shqiptareje (suedeze) si eurodeputete, nuk kishte si të humbej rasti pa iu kthyer, si gjithmonë, edhe sportit të preferuar kombëtar, hedhjes baltë mbi Kadarenë. Kur nuk shkojnë punët mirë në qeveri, e ka fajin Kadareja; kur duan të prishin Teatrin Kombëtar e ka fajin Kadareja; kur ndërpriten dritat apo uji, e ka fajin Kadareja; kur humbet ekipi kombëtar i futbollit, kuptohet, e ka fajin Kadareja. Por kësaj rradhe pati diçka edhe më origjinale. Lidhja me Kadarenë u bë për një rast të gëzueshëm, për një festë kombëtare siç ishte zgjedhja e Arba Kokalarit si përfaqësuese suedeze në Parlamentin Europian. Edhe për diçka në dukje fatlume, u gjet mënyra si të përbaltet Kadareja.

Skenar-Akuza: Kadareja i kërkon veglës së tij qorre, Sali Berishës (atëherë President i Republikës) që të pushojë nga puna Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi, Bardhyl Kokalarin. Ky e pushon në vend dhe Kokalari s’ka rrugëzgjidhje tjetër veçse të qëndrojë në Suedi, ku rrit dhe edukon të bijën që bëhet eurodeputete.

Aq keq na ka mbërthyer budallallëku kolektiv, sa këtë arsyetim do ta gjesh këto ditë të shpërndarë dhe rishpërndarë në të katër anët e rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave që shkruajnë shqip. Por nuk është vetëm budallëku që të mahnit. Është edhe aftësia për t’i gëlltitur gënjeshtrat kallëp, pa i përtypur fare. Le ta shohim pak me kujdes.

Kokalari ka qënë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Suedi që nga viti 1992 (kur në pushtet erdhi Partia Demokratike) deri në 1995 (kur në pushtet ishte ende Partia Demokratike). U pushua nga detyra sepse ndihmoi një shqiptar që kërkonte strehim politik në Suedi që të mbushte dokumentat përkatëse.

Le ta sqarojmë pak këtë pikë se është e rëndësishme. Sipas Konventës së Helsinkit, një person mund të marrë strehim politik në një vend tjetër nëqoftëse vërteton që në vendin e vet ndihet i rrezikuar (me jetë ose me burgim, ose me ndëshkim fizik), për shkak të veprimtarisë politike. Pra, Ambasadori i Shqipërisë në Suedi, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, ndihmonte një shqiptar që të plotësonte dokumentat për të vërtetuar se ndiqej dhe persekutohej nga qeveria shqiptare, qeveria e Partisë Demokratike, e kryesuar nga Presidenti Sali Berisha, të cilën Ambasadori Bardhyl Kokalari paguhej për ta përfaqësuar në Suedi. Në anglisht ka një shprehje për këtë: “Mind boggling!”

Me t’u marrë vesh kjo, qeveria shqiptare s’kishte rrugë tjetër veçse ta pezullonte ambasadorin dhe t’i kërkonte të kthehej në vend.

Këtu vjen veprimi i dytë spektakolar i Ambasadorit Bardhyl Kokalari. Nga ambasador, nga përfaqësues i Qeverisë Shqiptare në Suedi, ai kthehet në azilant politik, pra kërkon strehim politik me arsyetimin që jeta e tij dhe e familjes së tij është në rrezik sepse kërcënohet nga qeveria shqiptare, qeveri të cilën deri pak ditë më parë ai e kishte përfaqësuar. Megjithëse nuk është i vetmi diplomat shqiptar që e ka bërë këtë yrnek, kjo nuk do të thotë që Bardhyl Kokalari ka vepruar në mënyrën më të ndershme dhe më të drejtë të mundshme.

Ja çfarë shkruan Radio Free Europe (Newsline) (1) në 16 Janar 1997: “Ndërkohë, qeveria suedeze ka vendosur t’i japë ish ambasadorit shqiptar dhjetë ditë afat që të largohet nga vendi. Bardhyl Kokalari ka kërkuar azil politik në 1994, duke thënë që rrezikon të dënohet me vdekje për tradhëti nëqoftëse e detyrojnë të kthehet në Shqipëri. Ai është thirrur të kthehet në Tiranë pasi kishte ndihmuar një strehim kërkues që t’i shkruante një letër autoriteteve të imigracionit suedez. (përkthimi im, AK).

Si lidhet pushimi dhe azilkërkimi i Kokalarit me Kadarenë? Trembëdhjetë vjet më vonë (13 vjet!!!), sipas Gazeta Shqiptare (Ballkanweb.com, 17 Nëntor 2008) (2) Kadare ka thënë në mjediset e Hotel “Çajupi” në Gjirokastër se arsyeja përse atij nuk i është dhënë çmimin Nobel është se një ish-ambasador i Shqipërisë ka shkruar kundër tij. Në një intervistë me Alfred Pezën tre ditë më pas (Tirana Observer, 20 nëntor 2008) (3) Kadare e mohon të ketë përmendur emër diplomati apo çmimin Nobel.

Ato ditë, albeu.com poston një intervistë të Bardhyl Kokalarit për ngjarjen. Teksa mohon që t’i ketë shkruar letër Akademisë Mbretërore Suedeze, Kokalari pohon se ai për herë të parë po e dëgjon nga intervistuesi këtë akuzë (në 19 Nëntor 2008) (4). Pra, Kokalari e dëgjon akuzën e Kadaresë ditën që thuhet se është bërë, domethënë trembëdhjetë vjet pasi është pushuar nga puna.

Pak rëndësi ka nëse Kadare e ka përmendur Kokalarin me emër apo jo. E rëndësishme është që pa u shpikur ende makina e transferimit në kohë është e pamundur që një akuzë e Kadaresë e vitin 2008 të ketë shkaktuar pushimin nga puna të Bardhyl Kokalarit në 1995. Mua për vete s’më del hesapi. Mbase iu del të gjithë atyre që po e akuzojnë Kadarenë lart e poshtë këto ditë.

Së fundi citohet Natasha Lako të ketë pohuar se është e vërtetë që Kokalari i ka shkruar Akademisë Mbretërore Suedeze. Nëse po, atëherë mbetemi te fjala e Natasha Lakos kundrejt asaj të Kokalarit për t'i dhënë përgjigje pyetjes: A ka shkruar ky i fundit letër kundër dhënies së Nobelit Kadaresë? Zakonisht, kur peshohet fjala e njërit kundër asaj të tjetrit është vështirë ta ndash kandarin. Por po të kesh parasysh që Bardhyl Kokalari duke qënë përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ndihmonte shqiptarët që të kërkonin strehim politik me motivacionin që iu rrezikohej jeta nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë; po të kesh parasysh që edhe vetë Kokalari kërkoi strehim politik duke pretenduar se do ta dënonte me vdekje (!!!) ajo qeveri që e kishte emëruar ambasador, pra po të kesh parasysh mungesën e plotë të integritetit të Kokalarit, vështirë e ke të mos i besosh Natasha Lakos.

1. https://www.rferl.org/a/1141329.html

2. http://www.shkodraonline.com/e107_plugins/forum/forum_viewtopic.php?102505

3. http://www.zemrashqiptare.net/news/5622/ismail-kadare-1-mije-sekretet-e-cmimit-quotnobelquot.html  

4. http://www.albeu.com/shqiperi/kadare-genjen-per-nobelin/7393/