Blog

Zgjedhjet e para moniste pas 1990 - Nga Ilir Levonja

Gjatë gjithë këtyre muajve të krizës politike në Shqipëri, Edi Rama ka luajtur me tezën se është opozita ajo që ka penguar çeljen e negociatave. Madje po të vazhdojnë protestat, negociatat mund të mos hapen fare dhe shqiptarëve mund tu kthehet prapë regjimi i vizave në pasaportë. Ai arrin deri aty sa fare paturpësisht u drejtohet demokratëve që ta ndjekin në fushatën e tij moniste, megjithëse e di mirë se ndryshe nga ata, ishte Lulzim Basha me listat e tij që ia zgjati ca pushtetin. Se për ata kish mbetur tek gaveta e makaronave dhe bereta e civilizimit afgan.

Po ta marrim të mirëqënë këtë pretendim, në perëndim mund edhe të na besonin. Do thoshin që opozitarizmi është nganjëherë edhe si puna e atyre druve që digjen me tym dhe se kjo nuk i shërbente vendit. Por kur të mësonin se pozita, pushteti, a lideri i vendit dhe kasta e tij, nisën të vetëm një fushatë elektorale, do mblidhnin supet dhe do të pohonin se kjo nuk është demokraci. Se vendi është në krizë të plotë politike dhe se ai që drejton është një manipulator publik. Do thoshin se opozita nuk paska bërë asgjë dhe se ai lider shtetëror që nuk zgjidh krizat politike në vend, është një soj tipi si ai i Asadit në Siri, a i Madurros në Venezuelë. Kësisoj tashmë duhet besuar se vendi mund edhe të futet në një konflikt civil. Një fushatë moniste është si të kërkosh të shpikësh rregulla të reja, rend të ri, ligje të tua.  

Gjasat janë alarmante dhe kjo e ka zanafillën nga modeli i njëjtë i luftës politike. Shenjtorë kur janë në pushtet, shenjtorë edhe kur janë në opozitë. Kjo do të thotë që një grup kontraversish nuk është puna se kanë vrarë dialogun por edhe konsideratën e ndërsjellë për të qënë model i së ardhmes apo asaj që quhet vazhdimësi. Dështimet më të mëdha kanë zënë fill tek përvetësimi i çështjeve të mëdha. Nuk mund të futesh në europë se do, ta zëmë Lulzim Basha, apo Edi Rama. Nuk mund të bashkohet Kosova me Shqipërinë sepse i teket Hashimit, apo sepse në zdrypje të pushtetit të tij ai u flet shqiptarëve kudo që janë për bashkimin kombëtar. Janë taktika të dështuara politike për përfitime elektorale. Çështjet e mëdha zënë fill me iniciativa të mëdha, por prej njerëzish të mëdhenj, mendje hapur dhe pro demokracisë, jo pro pushtetit absolut të vetvetes. Kështu edhe puna e Shqipërisë me çeljen e negociatave a reforma të tjera themeltare.

Si kujtoni se Edi Rama është kaq rigoroz, kaq ligjor sa duke hapur zgjedhjet po respekton kushtetutën, ligjin etj. Dhe se duke mbajtur zgjedhjet do na fusë në Europë? Eshtë naivitet social. Madje binduni një herë e mirë se me këto ngërçe dhe klimë kaq të acartë politike, jo e jo. Por më dramatikja janë vrimat e zeza të ekonomisë, korrupsioni i lartë dhe standartet e munguara të zgjedhjeve të lira. Nuk mund të mbulohen të gjitha këto duke u thënë perëndimorëve se po zbatoj kushtetutën.

Edi Rama të ishte nga ata që e donte kaq shumë kushtetutën nuk bojkotonte për 6 muaj kuvendin. Bojkoti është më i keq se heqja dorë nga mandati, ta dini. Në fund të fundit ai që heq dorë nga mandati hoqi dorë dhe nga privilegji. Nuk i merr rroga qyl shtetit a kushtetutës. Ai që bojkoton është shushunjë, rri mënjanë, bën gërr verr por në fund shënon emrin në bordero, do rrogën. E pra kjo është vjedhje sheshit, megjithatë as Edi Rama e asnjë nga ushtria e tij nuk u dënua në emër të ligjit a kushtetutës. Pastaj kur ia falni atyre që as e pyesin kushtetutën a moralin intelektual, por kërcejnë sa nga një parti në tjetrën, bëjnë me mandatin çfarë të duan, si mund të nëmni ata që i dorëzojnë?

Kurse tani, ky Edi Rama vret e pret në emër të kushtetutës dhe tenton të çojë Shqipërinë në zgjedhje moniste. Dilni votoni me pjesëmarrje 100%, jepjani Rilindjes votën 100%, fitojini 61 bashkitë 100%, se ia ndreqët imazhin Shqipërisë. Se për imazhin po rroni, jo për ekonominë a pasaportën tuaj. Pastaj dilni çdo 1 Maj dhe bëni parada, fushata, plane pesë vjeçare, luftoni bllokadat !