Blog

Liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar – Nga Ndue Ukaj

Falenderimi më i madhi ndaj NATO-s, sot e përgjithmonë do të ishte - ta fitojmë lirinë e brendshme - atë lirinë e njëmend, lirinë e shpirtit, dhe t'i heqim heshtat e helmuara të urrejtjes nga duart tona; ato heshta me të cilat, deri tani, kemi qenë të gatshëm ta shpojmë trupin e njomë të Kosovës sonë dhe shpeshherë të aleatëve tanë.

Para dy dekadave, ne ishim të dërrmuar, të uritur e të varfër, në një Kosovë të shkrumuar, me dhjetëra e mijëra viktima dhe me shtëpi të djegura.

Dhe, në historinë shqiptare, hyrja e ushtarëve të NATO- s në Kosovë mbetet një nga ditët më të shënuara të historisë kombëtare. Për mua, një ditë e shenjtëruar, në të cilën, ne e kemi për detyrë, të përulemi në tempullin e së vërtetës.

Si rrallë herë në histori, ushtarët e vendeve mike, ato ditë u pritën në mënyrë kremtore e madhështore. Me lule e lot gëzimi. Po, ne ishim të dalldisur dhe fluturonim në qiejt e lumturisë, sepse fituam lirinë, ndonëse të dërrmuar, me dhimbje e vuajte pafund.

E pas njëzet viteve, është koha e fundit ta fitojmë lirinë e mendjes, lirinë e brendshme, të bëhemi të vërtetë me vetveten dhe të tjerët. E këtë liri nuk mund të na e japë askush. Asnjë forcë e jashtme.

Sot, në këtë ditë madhështore për Kosovën, përveç falënderimit dhe respektit pafund për autorët e lirisë së Kosovës, ne duhet të pyesim: a e gjetën ata lirinë mes nesh? E kam fjalën për atë lirinë e vërtetë; lirinë që të jep krah dhe të mundëson të ecësh drejt mirëqenies dhe përparimit.

Koha ka treguar se liria e vërtetë, liria e mendjes- pa të cilën nuk mund të ketë progress - e për të cilën qëmoti fliste Faik Konica, nuk ishte mes nesh. Prandaj, edhe pas njëzet viteve vazhdojmë t' i mbajmë zinxhirët e robërisë së mendjes, prej të cilëve nuk jemi çliruar as sot.

Sot, kur po hyjmë në dekadën e tretë të çlirimit të Kosovës, është e udhës të fillojmë t’i heqim prangat e zinxhirëve të mendjes, duke e filluar një betejë të pakompromis për çlirim nga injoranca, nga urrejtja, nga sindroma e Stockholm-it dhe nga letargjitë primitive që i kemi ushqyer tash e sa kohë, duke i mbajtur dhe lartësuar disa vese kombëtare për virtyte.

NATO- ja na ka çliruar dhe e ka kryer një detyrë humane: na ka dhënë lirinë fizike, por ne ende nuk e kemi fituar lirinë e brendshme dhe si pasojë e kësaj, jemi krejt të çoroditur; shtiremi dhe nuk jemi të vërtetë as kur falënderojmë e as kur përbuzim, as kur kritikojmë e as kur lavdërojmë.

Shqiptarët e Kosovës sot janë ligështuar moralisht si kurrë më parë. Ata janë futur në vorbullën e krizave të thella identitare dhe nuk dinë çka duan dhe kah duan të shkojnë. Ata nuk i udhëheq ndonjë ide e madhe, a ideal i madh, përkundrazi, ideali më i madh është ikja nga Kosova ose zhvatja e këtij vendi.

Volteri, dikur thoshte: "liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar". Këtë aftësi, ne nuk kemi ditur ta demonstrojmë tash e njëzet vite, prandaj edhe pas dy dekadash të plota lirie, ne vazhdojmë të kukurisim dhe jo të bëjmë politikë, vazhdojmë të marrin diploma, por jo dije, vazhdojmë të jemi më të varfëritë dhe me të shkretit në Europë, kurse sillemi si dhia e zgjebosur e bishtin përpjetë.

E pse jemi kaq të mjerë, nuk na faj askush, përveç vetja jonë, egoizmi dhe mos guximi për t'i emëruar gjërat ashtu siç janë, mos aftësia për të vepruar të lirë dhe për të qenë të vërtetë me vetveten dhe me të tjerët.

Perëndimi na ka dhënë krahë që të fluturojmë, por ne ecim zvarrë. Ose thënë me gjuhën e Volterit, bota e lirë na ka krijuar mundësitë për të vepruar - por ne nuk veprojmë, por kukurisim dhe mashtrojmë.

Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se ne jemi shumë mosmirënjohës dhe të pasinqertë me perëndimin, të cilit, lehtësisht mund t'ia ngulim thikën pas shpine, siç na patën thënë para pak kohe diplomatë të huaj në Prishtinë.