Blog

Imperializmi gjerman na ka hale në sy. Surreli, shkëmb graniti - Nga Alfons Zeneli

Agresioni histerik i lukunisë mavi ndaj mediave borgjezo revizioniste perëndimore është vazhdë fenomenologjike që buron nga tabiatet e kuq të Komitetit Qëndror. Për masën mavi nuk ka rëndësi fakti, e vërteta, nuk ka logjikë tjetër veç patologjisë së urrejtjes klasore ideologjike ndaj armiqve të jashtëm, konkretisht BILD-it që e ka halë në sy progresin tonë dhe rri zgjuar ditë e natë për të mbuluar me baltë xhamin e fanarit socialist.

Sipas surrel-logjikës, në një dojç mëngjes të bukur, pronari i BILD ka mbledhur urgjent stafin dhe iu ka parashtruar planin strategjik për të nxirë faqen e Rilindjes shqiptare në sy të proletariatit. Menjëherë është ngritur vetëtimthi shpifësi i fëlliqur reaksionar Peter Tiede dhe ka marë përsipër inskenimin e gjithçkaje. Ta nxish sa më shumë realitetin progresiv të Rilindjes shqiptare se ata nuk u mbakan, mësohet të ketë urdhëruar i bërë dhe nga xhelozia bosi i madh i gazetës paçavure kazan që mezi del 5 milion kopje në ditë.

Peter Tiede në bashkëpunim me Saliun, Lulin dhe Basir Çollakun, me metoda nazifashiste ka detyruar legjendarin, dr. Ulsin, dr. Damianin, akademik Gjushin, katedrën e Avdulajve, magjistër Arben Keshin, drejtorët e shkollave dhe atë të Drejtorisë Rajonale, shefin e komisariatit, si dhe grupin e gatshëm për çdo rast të “çunave problematikë” të Damianit që të flasin nëpër telefona e të shtiren gjasme se po bëjnë shirblerje votash, kërcënime për flakje, pushim e fluturim nga puna me qëllim që regjistrimet e bisedave t'i përdorin shërbëtorët e Saliut.

Tani që një pjesë e vogël e përgjimeve kanë dalë në shesh, të gjithë shpellarët, malokët, azerbajxhanasit dhe çeçenët e Saliut po i përdorin si pretekst për të shpëtuar nga reforma në drejtësi, të cilën si diell-shembull i përbotshëm që shkelqen po na e kopjojnë shërbimet e fshehta britanike, gjermane dhe amerikane. Ta pengojmë me çdo kusht hapjen e negociatave me Shqipërinë e Socializmit Fitimtar. Në fund të fundit, ky është dhe misioni për të cilin është krijuar dhe funksionon gazeta jonë, ka përfunduar bosi gjerman i kazanit BILD.

I gjithë ky skenar i frontit të së keqes i merr të keqen timonierit legjendar. Shqipëria dhe Surreli qëndrojnë të pamposhtur si shkëmb graniti. BILD-it i janë bashkuar edhe ZDF, edhe Frankfurter Algemajne, edhe Der Spiegel. Por meqë kryeministria është gjithashtu një shkëmb i veshur me beton dhe çelik, Rama mund të përballojë dhe koalicion armiqsh të jashtëm. Kjo mund të jetë pakashumë e përshkruar me ngjyra shumë më zbehta se sa realiteti, panorama haluçinante e pashait në dush.

Mirëpo, lind pyetja, a ka punë tjetër BILD përveçse të komplotoje në bashkëpunim kundër mrekullisë së Rilindjes? Ka, me siguri. Sepse gjatë gjithë këtyre viteve kur nuk ka patur Rilindje dhe Ramë, 5 milion shpellarë europianë, nuk e kanë blerë e lexuar kot kazanin BILD. Qëndrimi dhe puna e këtyre medaive është vetëm njëri akt i kuptueshmërisë së strukturave europiane për katrahurën dhe armiqësinë e strukturave të Rilindjes ndaj votës së lirë dhe demokracisë.

Deklarata e Ramës për të paditur gazetarin gjerman të gazetës më të madhe europiane në gjykatat e Gjermanisë, është kulmi i kulmit të çmendurisë në çatinë e çmendinës mavi të Surrelit. Tani atij i kanë mbetur dhe tri gjëra pa ezauruar: të padisë Saliun për agjitacion dhe propagandë, të shpallë nongrata Peter Tiede-n nëpërmjet eruditit pushverdhë të Batonit dhe të nxjerrë Gramozin për të protestuar para ambasadës gjermane për ndërhyrje në punët e brendshme.