Blog

Sot duhej të ishte ditë proteste - Nga Ilir Levonja

''Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj Çfarë karnevalesh politike.''

Teksti i mësipërm është i kryeministrit të Shqipërisë (marrë nga statusi i tij në Twitter datë 26 qershor 2019) adresuar presidentit të vendit. Eshtë një gjuhë vulgare tipike e linjës së bulizmit. Eshtë në ato ujrat e fyerjeve papushim, që padiskutim nuk kanë të bëjnë fare me një fushatë zgjedhjesh lokale.

Shumë shqiptarë mendonin se me mënjanin e Sali Berishës nga politika, do merrte fund edhe epoka buliste në politikën tonë. Kjo për dy nga konceptet themeltare të demokracisë, ekonomia dhe rezultatet. Por edhe përvojën e re që fitohet nga bërja e saj. Pa lënë pas dore raportet korrekte midis liderëve duke patur parasysh pozitën e gjithsecilit dhe ndarjen e pushtetit. Mirëpo nuk ndodhi!

Edi Rama po tregon se është më bulist se Sali Berisha, po tregon se ka kapërcyer të gjitha caqet buliste të Sali Berishës, duke thelluar edhe më shumë këtë kulturë të mbrapshtë në politikën shqiptare. Se që ta dini, aty ku mbaron konsiderata, mbaron dhe komunikimi. Nga ana tjetër është kampioni i përdorimit në masë që i bën shoqërisë, më keq se Berisha, pasi ky i fundit të paktën kërkonte ndonjëherë ndjesë si rasti Moisiu, një ushtarak në pension të cilin e mori nga lulishtja e dominove dhe e bëri president.

Ashtu si Sali Berishës edhe sot një pjesë e mirë e ndjekësve të tij e adhurojnë për këtë, megjithëse pikërisht për këtë urrenin Saliun. Sot gajasen dhe e shikojnë me adhurim, pa e kuptuar kurrë se sa janë devijuar nga problemet lokale brenda një fushate që mund edhe t'i çojë në një përplasje sociale. Pa e kuptuar asnjëherë se gjithë ky konflikt social është rezultat i një tavoline me peshk midis Edi Ramës, Ilir Metës dhe Erjon Veliajt, pra i vetë strategut të tyre bulist.

Por në një bindje të verbër, kanë tagrin t'i lejojnë çdo skandal publik, si kapjen flagrante të avionëve të drogës, bashkiakë pa arsimin përkatës dhe prurje nga bota e krimit, me precedentë penal dhe me dënime në mungesë, deri tek këto përgjimet e fundit ku vet ai dhe ministrat e tij dalin gafil në vjedhjen e votës. Indicje për të cilat këta do ta shqyenin Berishën, por i konsiderojnë të shenjta tek Rama, madje vrapojnë ta përkrahin me argumentin «si na i bëtë po ua bëjmë».

Në një farë mënyre kjo epokë quhet urra dhe ndodh vetëm në shtete si Koreja e Veriut, Kubën e vëllezërve Kastro, a Kamboxhian e kohës së syzeve, të gjithë u vërsuleshin atyre që mbanin syze se i konsideronin intelektualë dhe këta ishin fatkeqësia e kombit. Aktualisht është për të ardhur keq por edhe në Shqipëria fuqia intelektuale ka perënduar. Në dorë e ka bulizmi dhe Edi Rama, një djalë trendi, me tuta sporti, me kasketë bejsbolli dhe që po shëndoshet si nga lart edhe poshtë. Lideri i bulizmit shqiptar.

Ajo që do i shtoja bulizmit të Ramës është kjo çudia opozitare që sapo nxjerr një dekret presidenti, anulim a promovim date zgjedhjesh, vrapon dhe mban sytë nga bulisti. Megjithëse bëri hapin më të madh sfidues lënien e mandatit, për shkak të vjedhjes me sistem shtetëror të votës, nuk pranon negociata me këtë kryeministër, prapë mban sy e vesh nga bulisti.

Në vend që të vazhdojë protestat, mban sy e vesh nga bulisti dhe kridhet në ca justifikime ambasadorësh duke nëpërdhëmbur qëllimin. Aq sa sot nuk e ndjej më garancinë e masave, e atyre që mbushin sheshet, se do dalin prapë ashtu plot nerv apo do thonë që Luli është me të vërtetë një lider opozitar pa këllqe. Dhe me sa duket është kjo e dyta, pasi në përgjithësi lideri që i shmanget frymës, penalizmit që i bën një regjim një militanti, ka më shumë hallin e vet se sa të misionit që i është futur, ndreqjen e demokracisë shqiptare.

Mirëpo Lulzim Basha ka rënë në lojë deklaratash dhe analistësh studiosh duke harruar diferencën nga çadra tek protestat e fundit. Ata që flasin për sistemin e votës, respektin karshi institucioneve të vendit, nuk janë askush tjetër, pikërisht ata që i vodhën, degjeneruan e i dogjën institucionet. Merrni rastin konkret presidentin, a institucionin e presidentit. Eshtë produkt a krijim i Ramës, jo i atyre që mbushën sheshet kur ju i thirrët. Kësisoj dialogun kërkojeni përmes atyre se Rama sado të mbrohet me zyrat e ndërkombëtarëve është në krye të listës në shoshën e drejtësisë.

Eshtë absurde të tolerohet një nismë diktatoriale a një ligj mbi ndalimin e daljes jashtë shtetit kush përbuz votimet e frontit demokrat të rilindjes. Nuk ka më shtet kur kryeministri shkel publikisht vetë, i pari ligjet. Nuk ka më shtet kur kryeministri po publikisht tallet me shefin e përgjithshëm të forcave të armatosura. Megjithatë sfida opozitare nuk është Ilir Meta, por demokracia shqiptare, vota e lirë dhe verdikti i shumicës. Ndaj sot duhej të ishte ditë proteste, me të njëjtat kërkesa si ditën e parë. Jo ditë korridoresh teknicienësh, ditë zbythje ose hapje përfundimtare e krahut si lider i opozitës.