Blog

Palaço i cirkut të pampers-demokracisë - Nga Lis Bukuroca

Këmishën e nxjerrë jashtë, i ngrefosur, xhaketën mbi të, i kapardisur, pantallonat e shkurtër, të cilat nuk duhej të mbatheshin me këpucë, por sandale dhe zakonisht, pa çorape!

Një veshje si e Ramës është normale për një palaço të cirkut, ose për një njeri gjysmamendsh, por kur e bën një kryeministër, atëherë ai dëshmon se shpërfill me vrazhdësi dhe mosmirënjohje detyrën me të cilën e ka ngarkuar populli dhe me të cilën e përfaqëson atë.

Zyra e kryeministrisë ka dinjitet të vetin dhe këtë duhet ta respektojë edhe kryeministri, pa marrë parasysh a ka ai dinjitet apo jo. Së paku aty, duhet të shtiret se e ka!

Edi Rama nuk duhet të përfaqësojë vetveten, çfarë po e bën, por Shqipërinë. Ai edhe pasi të braktisë atë zyrë, nuk mund të shfaqet cullak, si dikur në Francë, sepse edhe atëherë, do të quhet ish-kryeministri i Shqipërisë.

Megjithatë, nuk e ka bërë kot. Ia doli të ndryshojë brengat dhe në vend se të merreshim me zgjedhjet farsë, tani po trishtohemi për shëndetin e tij psikik! Palaçoria e tij shpartalloi normalitetin e stisur.

Për fat të keq, ai nuk di as sa të vishet, as sa të zhvishet. Në plazh ishte cullak, në kryeministri dëshiron të tregojë se ka këmbë të bukura. Nuk është çudi nëse pas fitores t’i tregojë edhe kofshët! A thua pse mendon se duhet të na i tregojë këmbët apo pse beson se ka këmbë të bukura? A thua pse kacagjeli shpërfilli dinjitetin e një kombi?  

Si piktor mund t‘i falen, si kryeministër, jo. Ai me sjellje të papërgjegjshme po dëmton normat morale në shoqëri. Mund të kopjohet nga arsimtarët, nxënësit dhe nëpunësit brenda e nëpër ambasada! Kur e bën kryeministri, pse të mos e bëjnë edhe ambasadorët, profesorët e mjekët?

Si t’i shpjegohet një fëmije, si mund t’i përligjet një nxënësi veshja prej zhelani e kryeministrit të vendit?

Për të qenë palaçoja i dinjitetshëm, i mungon vetëm domatja në hundë. Meqenëse nuk e ka, (me fuqinë mendore që po tregon, një ditë mund ta vejë edhe atë) do të mbetet kopje e shëmtuar e klounit në një cirk të pampers-demokracisë!