Blog

‘Moda Debilum Albania’ dhe dështimi i turpshëm i ‘Rilindjes’ - Nga Ilir Levonja

Ajo që e bën Edi Ramën sot kampion të vëmendjes shqiptare, është një foto familjare, ku ai dhe bashkëshortja shkojnë për të votuar diku në Surrel. Një foto që ka thyer gjithë parashikimet aq sa diçiturat e kanë kthyer vëmendjen zgjedhore në një luftë batutash me të shkulura gazit.

Sado serioz përpiqej të tregohej kryeministri, ata që ishin përqark me siguri kanë pickuar ashpër veten për të mos qeshur. Batutat ishin të arta por mbi të gjitha po veçoj një të tillë si ''Moda Debilums Albania''. Dhe jam i bindur që Edi Ramën kjo e ka gëzuar më shumë se gjithçka tjetër.

Me pantallona as të shkurtra e as të gjata, modisti Debilum Albania, arriti të kryejë një palë votime që do mbahen mend si tallja e menderes së Edi Ramën me 18% të shqiptarëve. Kjo shifër vjen vetiu nga disa kalkulime të lehta, përshembull nga 850 votues në iks qendër, votuan 67. Nga 49% e pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit, ato lokalet të 2015 me opozitën, sot kap shifrat 10%, 14%, a 16%, Por pa opozitën. Se sa është hendeku midis 50% të supozuar opozitë me 16%, e kupton edhe truleshi.

Një përllogaritje naive na dëshmon se veç Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, mbreti i pasarelave të modës debilium Albania paska opozitarë votuesin gri por edhe nga krahu i vet. Kësisoj zërave të mahnitur nga fakti që u mbajtën zgjedhje, nga eksitimi i Nanos, Bamirit, a ringritja në këmbë e Shero këngëtarit, se opozita ka rënë dhe se Basha duhet të largohet etj., i duhet hedhur ca kova me ujë kokës.

Këto votime me pjesëmarrje të tillë nuk ishin asgjë tjetër por dështimi i turpshëm i Rilindjes. Mirë për opozitën nuk ka konsideratë megjithëse si kryeministër i vendit duhet t'i krijojë komoditetin normal të pjesëmarrjes, po për këtë elektorat të munguar, zhgënjyes të krahut të tij a do reagojë, apo do presë stoik ta zbythin me forcë.

Gjasat janë me shumicë dhe mundësia është kjo e fundit, pasi këto 6 muaj kishte rastin ta tregonte me kohë stofin e politikanit bashkëkohor. Momentalisht të gjithë janë në pritje të një dalje publike të tij. Dhe shumë shpejt do dalë. Do dalë e do dëshmojë ''suksesin'' e radhës, mbajtjen e votimeve. Se shqiptarët nuk shkuan në luftë civile, se artisti, fallxhorja, duhet të japin dorëheqjen. Detaje që kanë filluar që nga mesdita e djeshme kur konkuruesit e tij të dhjamur u bënin thirrje me të qara për pjesëmarrje plebishite për të dalë e votuar. Një tjetër paradoks ky, që nga njëra anë flisnin për sukses nga ana tjetër luteshin për pjesëmarrje.

Dhe kjo është e kuptueshme se vlera këtyre votimeve nuk do ishte rezultati por përqindjet e larta në pjesëmarrje. Nëse shqiptarët do kishin dalë me shumicë Edi Rama ta gëzojë postin që ka, por në bazë të shifrave rezulton se shqiptarët e refuzuan. Kësisoj pa as më të voglin dyshim, çdo justikim tjetër është pjesë e shkollës së modës, Debilum Albania.