Blog

Të kthehesh duarbosh! Një shtet për të qarë hallin - Nga Arben Kallamata

Në një postim në Facebook, sot gazetari Arben Kallamata arsyeshëm sjell në fokus një rrjedhojë llogjike që do duhej të ishte dorëheqja e ndonjë zyrtari të lartë pas dështimit të vendit për të përfituar fonde në Samitin e Poznanit. Kujtojmë se Shqipëria doli me 0 fonde prej një institucioni të krijuar enkas nga BE siç është The Western Balkans Investment Framework (WBIF) për të mbështetur financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor, ose sepse nuk u paraqit me asnjë projekt, ose sepse projektet e paraqitura kanë qenë të dobëta e jo bindëse, ose ndonjë arsye tjetër...

Më poshtë statusi i Arben Kallamatës:

“Normalisht nja dy-tre zyrtarë të lartë duhet të kishin dhënë dorëheqjen pas dështimit të turpshëm të Shqipërisë për të marrë fonde nga BE. Nuk ka gjë më poshtëruese se sa të ndahen dhurata për gjithë kalamajtë e lagjes dhe ty të të lenë me duar bosh duke të thënë: S’të japim sepse s’di të bësh detyrat e shtëpisë. Të paktën ndonjë ministër apo zëvendësministër i jashtëm, ndonjë ministër apo zëvendësministër i ekonomisë, si edhe ndonë drejtor drejtorie duhet të shkarkohen për paaftësi. Sepse ky është një rast fare i qartë që dikush, ose disa dikushër, nuk kanë bërë punën për të cilën paguhen. Një shtet që nuk është në gjendje të paraqesë një projekt të thjeshtë me anë të të cilit të ketë mundësi të tërheqë disa miliona euro për të kryer ndonjë punë dhe për të punësuar dy-tre vetë është me të vërtetë për të qarë hallin. Apo në klimën e përgjithshme të bërtitjeve, sharjeve dhe akuzave pa bazë që të gjithë i hedhin njëri-tjetrit nuk ka vend për një kërkesë të mbështetur te një fakt i pakundërshtueshëm? Kot po them.”