Blog

Ylli Dylgjeri: Sikur të mos kishim Dekretin e Presidentit...

Ajnshtajni i madh, duke folur për çmendurinë arriti në përfundimin se çmenduria është: të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme.

Fakti që analizat e Check Up-it në Shqipëri nuk e kanë të tenderuar ekzaminimin mendor të popullatës, të çon në përfundimin se votimet u kryen edhe në kushtet e çmendurisë individuale e kolektive.

E përshtatur me kohët që kalojmë, ribërja e zgjedhjeve përsëri e përsëri do të japë patjetër një rezultat të ndryshëm nga ky i sotmi. Aq e vërtetë është kjo reference, sa edhe sot nga votimet e 30 Qershorit po dalin rezultate apo shifra të reja të ndryshme nga dje, pardje etj...

Monitoruesit apo vezhguesit perëndimorë janë gjendur përballë të papriturave të mëdha, gjë që i bën ata t’i diskutojnë e konsultojnë fenomemenet shqiptare me shembuj historikë e parahistorikë të shoqërisë njerëzore.

Ka edhe arsye të tjera që mund të rendisim nëse s'do të kishim Dekret.

Për shembull: temperaturat e larta të motit ishin një faktor tjetër që tronditën pjesmarrjen popullore, pa llogaritur ketu edhe vetë shkallën e lartë të çmendurisë që bartim gjatë 6 viteve nën drejtimin e Udhëheqësit global.

Një arsye tjetër është edhe formati me biba i KQZ. Duke kaluar ditët e javët, në KQZ do kemi shpendë më të rritur e më të shëndetshëm.

Në fund, një vendi si yni, i pamaturuar me zgjedhje, ka nevojë për më shumë praktikë, mësim e stervitje, për konsolidimin e garës.

Edhe qitja me pushkë bëhet me 3 fishekë.