Blog

Propozim për shpëtimin e Atdheut - Nga Petrit Ruka

antipoezi

Çdo mbrëmje Atdheut i vjen 
një erë e qelbur, e paparë,
si të ketë ngordhur një kërmë...
e s'di ku të fusësh kokën,
të vjen për të qarë...

Fillon të kërkosh rreth e rrotull
nga vjen kjo erë kutërbuese
ky tmerr, kjo lemeri çmendurake!
Je gati të bërtasësh, të lutesh, 
për pakëz paqe.

Më kot mbyll dritaret, është kudo
Deri në rrashtën e trurit
si një tumor,
është e kotë të kërkosh një qetësues
në sirtarin e ilaçeve me zor...

Derisa ta kuptosh se duhen mbyllur televizorët
këto sqolla të lemerishme kombëtare,
ku 10 "qen" të zgjebosur analistësh
çmendin një popull 
me lehjet zagare...

Manekinë të kurdisur në puseta parash të pista
Gëlbaza të hatashme politike,
Të denjë për të fyer çdo racë qensh, që njeriu,
krijoi me dashurinë e tij fisnike...

Ka vetëm një shpëtim! Filloni tani!
t'i përmendim me mend emrat e tyre
një nga një, 
të bëjmë një kor të madh mallkimi
një mallkim kozmik që zë...

Ta shpëtojmë atdheun nga era e qelbur
që zbret mbi ne çdo mbrëmje,...
Filloni; emrin e parë, të dytë, të tretë...
....
Ta shpëtojmë racën fisnike të qenve!

Tagged under Petrit Ruka Atdheu