Lola - Nga Agim Xhafka
Dihet, të gjithë shkruajnë për dashurinë e parë. Nëse nuk kanë aftësi për laps e tregojnë me gojë, plot me ngjyra kush ishte ajo gocë që së pari sulmoi zemrën e dikujt. Ndodh që për këtë dalldi të flitet gjithë jetën. Ose kur mungon kurajo kujtohet me mendje ajo, e para që të lëndoi e të lumturoi. Në imagjinatë deri sa vdes ngelet e bukur, e zgjuar dhe ndonëse vitet rrëshqasin ngjarja ngel e stakuar, me plot dritë e me plot detaje emocionuese. Ndodh ngaqë mbi 90 % e këtyre lidhjeve ndërpriten sikur bie automati i dritave dhe në jetë funksionon thënia historike e prozaike: "Të tjerë duam, të tjerë na duan, me të tjerë martohemi."
Sigurisht e mbaj mend gocën e dashurisë së parë, por në tablonë e asaj ngjarje ajo rri tek cepi, gati del nga korniza. Se atë ditë, që e emërtoj dashuri e parë, ajo ka qënë si figurante e një magjie që më kapi e ende nuk më lëshon.
Kam qënë në klasën e tetë, as 15 vjeç, kur në një mbrëmje vallëzimi Lola, shoqja ime e klasës, më thotë: "Dalim e bëjmë një xhiro përjashta se po bie dëborë?" As që bëhet fjalë të thoja jo. Më kapi për dore e zbritëm shkallët e shkollës tre nga tre. Dora e saj në dorën time si një prush i nxehtë, nga ata thëngjijtë e kuq flakë që nëna nxirrte prej sobës e i vinte mes kuzhinës në mangallin prej bronxi. Më përvëlonte krejt pëllëmba. Lola ishte tepër e shoqëruar me mua. Kaq shumë sa shokët atë e quanin kudo si të dashnoren time. Unë për t'u dukur më i rritur nuk e mohoja, por as e pohoja. Nga që s’doja të dëmtohej ajo qoftë dhe nga një thashethem pa të keq.
Sa dolëm në rrugë ma lëshoi dorën, ngadalësuam hapat. Dëbora ia kishte nisur shtruar. Jashtë qe bërë errësirë, te llampat e shtyllave elektrike ngjanin flokëzat e borës si ushtri fluturash të bardha. Sulmonin dritën, por ne e dinim që binin në tokë. Filloi rruga të zbardhej. As çadër kishim, por as çadër donim. Bukur, thoshte Lola. Shumë bukur, thoja unë. Filloi moti të ftohej, unë isha veç me një bluzë tute. Poshtë kisha veshur tre rrecka të vjetra, por nuk më mbronin. Më dridhej pak mjekra mbase nga emocioni se Lola, herë pas here më fshinte me dorë dëborën që më binte në faqe. Doja dhe unë, por ajo i fshinte vetë të vetat. Ecnim rrugës e nuk flisnim. Shihnim njëri-tjetrin herë pas here e qeshnim. Qeshnim kot, shkakun e dinte secili. Harrova atë çast acarin, pata zjarrllëk. Më dukej sikur po avulloja. Do ngjitem lart te retë, mendoja vërtet. Ecnim e qeshnim. Qeshnim dhe vraponim.
-Hymë tek rrugica e gjyshes tënde?- më pyeti.
-Po,-iu gjegja e po ecnim në gjysëm errësirë. Ajo u ngatërrua tek një gur në rrugë e kur gati po binte e përfshiva tek mezi i saj.
Kujtoj dhe tani një bel që ishte kaq i fortë sa ia kalonte dhe trupit të sorkadhes që preka tek shtëpia e Nikos, kur ia solli të gjallë i ati nga pyjet e Voskopojës. M'u duk sikur kisha prekur një gjë të ndaluar, por shumë të dashur, të fortë, por shumë, shumë mallëngjyese. M'u mbush trupi plot mornica e fluturat nga stomaku morën arratinë. Më falenderoi, buzëqeshi, më hyri thellë në sy shikimi i atyre sekondave dhe me lezet ma hoqi dorën. Harrova, m'u duk dora ime pjesë e trupit të saj. Isha bërë njësh. Ecnim mes një gjysëm errësire, dëgjohej llap-llup, llap-llup. Ç'është kjo zhurmë, më pyeti. Nuk doja, por ia thashë. Më futin ujë këpucët e kur e nxjerrin ashtu llapashiten. Është dueti i tyre, fola duke qeshur. Ishte hera e parë që nuk ndjeja bezdi kur këpucët qenë bërë si legena, mbushur me dëborë të shkrirë. Ecnim akoma, por nisa të ndjej ftohtë nga poshtë dhe nga lart. E preka tek flokët. Je berë qull, i thashë e doja ta fshija, por me se? Mundesha vetëm me bluzat e vjetra poshtë tutës. Ti je më keq, më tha Lola dhe hoqi shallin e më fërkoi si bënte nëna kur më lante në govatë. U drodha, u ngatërrova në fjalë e në ndjenja. Mendova se më iku goja. Mos u bëra memec si Golja. U tremba, por kur Lola qeshi unë fola. Faleminderit, i thashë.
Nuk vura re që ishim para shtëpisë së saj. Më puthi në faqe si përherë, por m'u duk ndryshe. Sikur ishte puthje më e ngrohtë, më e gjatë, më me kuptim.
U ndamë, por ecja e nuk isha vetëm. Bridhja me të në mendje. Aq isha i lumtur sa pas ca hapash Vaska, shoku i klasës, më kapi për krahu.
-Po flet me vete, byrazer?
E vërtetë. Por jo me veten, flisja me Lolën. Atë natë e kam kaq të fiksuar në trurin tim sa më duket që edhe kur nuk do jetoj më ajo natë do endet në eter nëpër glob, se nuk mundet ndryshe. Magjia nuk zhduket, jep sinjale kudo që të jetë. Tamam GPS i marramendjes.
Kaluan vite e Lola si shumica e korçareve u martua me një inxhinier. E shihja shpesh në xhiro në qytet e me vete thoja, inxhinieri të mori për grua, por natën e dëborës ai nuk e merr dot. Të lodhet sa të dojë. E kam unë si kujtim të një ndjenje të madhe, të një pasioni shpërthyes prej adoleshenti.
Dashuria ime e parë ishte Lola, por në skenë ajo qëndron tek cepi. Nga që mbaj mend e më godet ende në tru dëbora, drita e llampave në rrugicë, këpucët mbushur me ujë, e ftohta që më hyri në palcë e, kryesorja, një lumturi e pa kufi që më rrëmbeu dhe s'më lëshon ende. Kjo e meriton të quhet dashuria ime e parë. E papërsëritshme, magjike, qiellore...Ndjenjë e pasion bio...