Blog

Njerëzit njihen duke komunikuar - Nga Arben Kallamata

Është një burrë i moshuar që kalon përpara shtëpisë time çdo ditë me një qen të vogël të bardhë. Ecën ngadalë dhe rrallëherë e ngre kokën. Banon një rrugicë më tutje. Dikur, para disa vitesh e përshëndeta, por ai nuk ma ktheu. Ose me ktheu ftohtë. Nuk e mbaj mend mirë. Mbaj mend vetëm që qysh nga ajo ditë nuk mora asnjëherë mundimin ta përshëndes, por kaloja pranë tij sikur nuk e vija re.

Sot u ndalëm të dy dhe filluam të flisnim. Ishte një burrë i shtruar, i qeshur, i këndshëm. Nuk folëm shumë dhe nuk prekëm asnjë temë të rëndësishme. Vetëm pak “small talk” siç i thonë këtu.

Vras mendjen: Sa ngutemi për t’i paragjykuar njerëzit. Sa shpejt hidhemi për të krijuar simpati apo antipati në mënyrë krejt arbitrare. Ai njeri mund të mos e ketë vënë re fare përshëndetjen time. Ose ka qënë në ndonjë ditë të keqe, me ndonjë hall në kokë. Njerëzit njihen duke komunikuar, jo duke mos komunikuar.