Blog

Qilimi i vjetër dhe globalizmi - Nga Ilir Levonja

Vitet e fundit në Amerikë ka hyrë në treg një trend prodhimi me bazë materiale nga e kaluara. Mobiljet me dru nga shtëpi të vjetra janë shumë në modë. Pjesë e revolucionit të riciklimit. Përpjekjes për të mbrojtur tokën. Atdheun e globalizmit. Mobiljet janë vërtet të bukura, bile edhe të rënda. Diku midis, mund të shohësh një fragment jete. Të mendosh se ke në shtëpi një komo, me dru nga shtëpia e një qytetari nga New Orleans-i të cilën ai e humbi në stuhinë e fundit natyrore, është diçka fërgëlluese.

Ndërkohë brenda kësaj filozofie marketingu, shiten edhe qilima me bazë materiale rrobat e vjetra. Shumë prej nesh, u vjen menjëherë ndërmend trendi shqiptar i qilimave prej lecke. Vitet 80-të, diçka më herët.

Më qëlloi të jem një pasdite në një treg të tillë. Zura me dorë një qilim, pastaj një rrugicë dhe më shkoi mendja tek ime më. Një pjestar i personelit më afroi asistencë duke më kujtuar se çfarë ishte aty qe bërë me dorë. Me pak fjalë jo prodhim serie. Krijuar me rroba të vjetra etj. A thua nuk e dija? A thua nuk e shikoja?

Puna është se unë isha zhytur tek e shkuara jonë. Tek ime më. Tezgjahu në hijen e mënit kaba. Krëhrat, lisat, suvajka e perit, pedalet e ndërthurjes së fillit. Ajo nuk i hidhte rrobat tona të vjetra, i bënte rripa-rripa. I ruante deri sa të mbushej thesi dhe në verën e nxehtë ngrehte tezgjahun e saj. Por atëhere ky lloj prodhimi nuk preferohej. Madje na bënte me turp. Në modë ishin qilimat e leshit. Me rombe të mëdhenj me ngjyra të errëta dhe të ndezura. Me ornamente Orienti. Kurse ime më jo që se gjykonte kështu, por vazhdonte vera-verës. Deri tek çarçafët me terip bio që tani i ëndërrojmë.

Sikur ajo sot të jetonte, punët e saj do kishin vlerë të madhe. Sepse dyshemeve të xhamta u rrinë më për shtat qilimat prej lecke dhe mobiljet me dru nga shtëpi të vjetra. Nisur nga ky vëzhgim më duhet të bashkoj disa detaje.

E para, njeriu me premisë futurike e plotëson të ardhmen me ithtarët. Pra jemi disa, bëhemi shumë.

E dyta, ricklimit i duhet dhënë tashmë përparësi.

E treta, globalizmi është i pashmangshëm.

E katërta, kufijtë shpejt do të mbeten metaforikë.