Blog

Alarm për mushkëritë që tregojnë skopitë - Nga Zija Çela

Ndodh që, po të mbjellësh një dru dekorativ në Tiranë, për lavderim mund të dalësh edhe në Tv me figurë e me emër.

Por nëse pret pa leje 100 drurë në një pyll publik, zakonisht mbetesh anonim, pra dhe pa ndëshkim.

U bënë pesë vjet qëkur është shpallur moratoriumi për mbrojtjen e pyjeve. Pas kaq kohësh, sa mendoni se është rritur sipërfaqja e tyre?

Pyetje e gabuar. Sipërfaqja është zvogëluar.

E tash një tjetër gjëmë, duke i perifrazuar ndryshe vargjet e poetëve. Ah, si nuk kemi një grusht të rëndë, Padrejtësisë për t’i rënë, Padrejtësisë dhe Lakmisë, në mbrojtje të Malit të Tomorrit, i cili jo vetëm që bëzan, por edhe po ulërin, sepse duan ta gllabërojnë bashkë me shenjtërinë.

O male me guroret si kaverna, o kodra të rrjepura e të thara, o Naimi ynë tuberkular, të tilla sot ia tregojnë Shqiperisë mushkëritë të gjitha skopitë!