Blog

Lagja Muradie e Vlorës dhe Teatri Kombëtar - Nga Ilir Levonja

Nuk ka as disa orë që Edi Rama ka postuar një status në Facebook nga restaurimi i lagjes Muradie në Vlorë. Janë disa banesa të vjetra që deri dje vetëm muret u kishin mbetur. Ishin disa rrugica të cilat qenë kthyer në makthin e banorëve.

Kush ka pak lidhje me Vlorën e di fare mirë që Muradia dhe Kabashi janë zemra e këtij qyteti. Kishin degraduar dhe shpejt do të zhdukeshin. E për rrjedhojë, nuk do ishte çudi kur aty të shihje ndonjë ngrehinë hollake si pasojë e ''zhvillimit'' urban a revolucionit makabër të ndërtuesve shqiptarë me blerës investitor a blerës që parapaguajnë.

A bëri mirë kryeministri a qeveria? Sigurisht. Pa as më të voglin hezitim bravo. Askush tjetër më shumë se Shqipëria nuk ka nevojë për investime në rrafshin e traditës, pavarësisht se ajo ka një pleksje me kultura të ndryshme si nga Orienti apo Perëndimi, pa lënë mënjanë dhe atë lindore si vend ish-anëtar i bllokut komunist. Kultura që lidhen me invazionet e gjata e që pa diskutim do të linin gjurmë tek ne. Kjo ia shton më shumë vlerat të shkuarës sonë.

Nga ana tjetër, për një perspektivë më të plotë për futjen e turizmit në shinat e duhura duhet shmangur përfundimisht tellalli i propagandës, kur në mëngjes një ministër del e mburret me arritjet, me artikuj të paguar në revista të ndryshme apo kur në të njëjtën kohë kryeministri publikon hyrje lokalesh me xhama të taposur nga shiritat e taksa mbledhëseve. Kjo është një marrëzi veç shqiptare si rezultat i pikërisht i mendësisë së të bërit ekonomisë së tregut me metoda të asaj të centralizuar.

Ajo që dua të them është fakti që deri sa u restaurua Muradia, që për nga mosha ka mundur shekujt, si është e mundur të mos restaurohet edhe Teatri Kombëtar, për të cilin sot e dy vjet ka një luftë të ashpër midis komunitetit, qeverisë, policëve dhe një opinioni të tërë. Si është e mundur pra që dikund mistrija e këtij “katunarit” e ngjit llaçin e dikund jo, i shket?

Kryeministri ka gjithë javën që poston e përdoron artistët me ca thënie kafenesh mbi emergjencën e një godine të re. Merret me thashetheme, bën ca “ta e ta” dhe askënd nuk dëgjon, kur kurrë nuk e bëri këtë për ngrehinat pa çati të Muradies. Nuk e di a bëjnë këtë dallim standartesh shqiptarët apo jo? Ndryshe janë palë e mëkateve të “katunarit” të tyre. Ndryshe janë bashkëpunëtorë në krimet e “katunarit” të tyre ashtu siç edhe ishin me Enverin në luftën e klasave dhe hedhjen në erë të objekteve të kultit.

Se nuk ka si shpjegohet ndryshe gërrvërrja brenda dy standarteve e “katunarit” të tyre, fluturon pata e pjekur, nuk fluturon pata e pjekur. Ja që u restaurokan objektet e vjetra. “Ju mundi me stadiumin”, ishte një keqardhje e madhe, një konstatim fatal i madh si shoqëri, ajo çka pohonte një gazetar sportiv para pak ditësh. Një artikull që nuk mbeti Web pa e publikuar. Besnik Dizdari, me pak fjalë thoshte që komuniteti artistik e mundi atë sportiv dhe kjo në lidhje me stadiumin kombëtar.

Gëzojuni së resë në vendin e vet jo mbi shpatullat e së shkuarës. Ndryshe kjo quhet një çmenduri sociale. Dhe nuk është sot e rastësishme përshembull zbrazja totale e stadiumeve dhe plot qytete që kanë harruar aromën e topit. Kjo strategji po ndodh edhe me hekurudhën. Një vend që pretendon turizëm elitar kryen transport të tipit xhungël duke vrarë qëllimisht rrjetin e hekurt. Po ju hanë PPP-të kudo kurse ju ngelët në rrugë me gishtin përpjetë për furgonë dhe autobuzë a makina të rastit. Shkurt qytetarë në anë të rrugës. Po qe se keni sy, e bëni vetë dallimin tashmë midis lagjes Muradie, Teatrit Kombëtar dhe tri PPP-ve të “kryekatunarit” tuaj.

Në thelb është zhvatja dhe tallja e bythës. Ta gëzoni!