Blog

Tarifa e Rrugës së Kombit, fyerje për Kosovën - Nga Fazli Mazreku

Duke medituar nën diellin përcëllues në bregdetin shqiptar

Qeveria shqiptare me aplikimin e tarifës në Rrugën e Kombit ka bërë veprimin më skandaloz, e madje, edhe fyerje për kosovarët, sepse ajo rrugë shfrytëzohet kryesisht nga kosovarët.

Kosovaret perveç që e pëlqejnë bregdetin shqiptar, ata kanë edhe ndjesinë e tyre për Shqipërinë, sepse për vite të tëra kishin mall e dashuri për këtë vend, e shume prej tyre, madje, kanë vuajtur tortura e burg vetëm pse e donin Shqipërinë.

Tarifa e Rrugës së Kombit, pa medyshje, është «dhurate» e kryeministrit aktual shqiptar, i cili nuk po mjaftohet me implikimet e tij në ndihmë të planeve serbe për grabitjen e tokave shqiptare, në bisedat sekrete në dëm të Kosovës.

Aplikimi i tarifës nga kryeministri shqiptar dhe pajtimi i heshtur i institucioneve të Kosovës tregon fytyrën e vërtetë të liderëve aktualë në Shqipëri dhe Kosovë.

S’do mend se tarifa është e përkohshme dhe liderët janë të përkohshem. Kosova e Shqipëria janë dy shtete sivëllezër, të pavarur dhe që shumë shpejt do të drejtohen nga qeveri demokratike dhe të vendosura për realizimin e kauzave të përbashkëta kombëtare dhe programeve zhvillimore e integruese të të dy vendeve.