Blog

Endrit Mullisi: Edi Rama meriton një “shuplakë” nga diaspora shqiptaro-kanadeze

Në shoqëri të emancipuara çdo qeveritar respektohet dhe kur është kundërshtar politik. Ndërsa kam lexuar për vizitën personale të Kryeministrit Rama në Toronto (e quaj personale, sepse nuk po vjen për të takuar diasporën shqiptare dhe s'po vjen për të takuar zyrtarë kanadezë të rangut të tij) jam tepër i dyzuar nëse ai meriton respekt për shkak të postit apo duhet përballuar me atë që shumica e diasporës mendon? Largimi me shumicë i shtresës së mesme këto vitet e fundit nga Shqipëria, është tregues i qartë që qeveria që drejton Rama, nuk po drejton Shqipërinë siç duhet, por veç drejton disa dhjetëra autobusë fanatikësh dhe interesaxhinjsh rrotull dhe përballë mediave.

Jam i sigurt që lëkura e kryeministrit shqiptar është trashur në një mënyrë të tillë saqë debate të buta apo tallje ndaj tij, nuk i bëjnë më përshtypje. Bile as revolta studentore nuk e lëvizi nga vendi. As largimi i ish-opozitës parlamentare (që nuk ka respektin tim) nuk e lëvizi nga vendi. Shumica e brezit tim u rritëm me historitë sesi Ahmet Zogu e bëri veten mbret të shqiptarëve. Çfarë pazaresh bëri dhe çfarë shiti? Në vend që të zhvillonte demokracinë foshnjore në Shqipëri, e vrau zyrtarisht ashtu siç shumica e qeverive të emancipuara sot vrasin foshjat që vijnë pa plan. Çfarë e pengon kryeministrin të shpallë dinastinë Rama? Ai jeton, vepron dhe flet sikur është mbret. 

Duket që kryeministri aktual siç dhe Berisha (ndoshta ka të bëjë gjatësia) kanë qejf të rrinë mbi gjithë të tjerët. Ne që jemi larguar kryesisht si produkt i keqqeverisjes të dy gjatoshëve, kemi shije të hidhur kur na dalin shkatërruesit e Shqipërisë përpara. A duhet t'i bëjmë elozhe kryeministrit që nuk do njëri më shumë se vetveten? Po flas në shumës duke dashur të ftoj me reflektim vetëm ata që mendojnë si unë. Unë përfaqësoj vetëm veten, por udhëtimi në jetë më ka mësuar që nuk jam i vetmi që mendoj kështu, por ndoshta nga të paktët që i shprehin mendimet publikisht. Janë ftuar njerëz të respektuar ose përfaqësues të grupeve shqiptare të takojnë apo darkojnë me Z. Rama.

Kushdo që është ftuar në këtë eveniment ( jam i sigurt që ambasada do ftojë ata që nuk do e bezdisin Kryeministrin me pyetje që ai ka neglizhuar prej kohësh të mos i përgjigjet.) duhet të jetë në një karrige me gjemba (përveç se i pëlqen të bëjë foto me kryeministrin e vendit që e la prapa). Kushdo që është ftuar dhe shkon, e ftoj të mos bëj sehirxhiun, por ta shfrytëzojë mundësinë t'i japë një mesazh qoftë dhe me një fjali Z.Rama. Ditët e zeza po shumohen për shumicën e shqiptarëve (flas për ato që njohim dhe që jetojnë me pensione të pamjaftueshme, me sëmundje që po u shkatërrojnë ekonominë e fisit) sepse ata që marrin mbështetje nga një grup i vogël i zhurmshëm i shqiptarëve kanë fytyrë të përfaqësojnë përpara të tjerëve shqiptarët, por nga ana tjetër vetëm akumulojnë gjakun dhe djersën e atyre që i përbuzin se nuk janë të shkathët si ta.

Nuk di nëse ende kemi frikë nga hija e diktatorëve prej të cilëve ikëm duke lënë prapa me lot familjarë dhe miq. E di që do të ishte e pamundur, por do ëndërroja që Z.Rama të mos e priste askush nga diaspora shqiptare. Ndoshta po të ndodhte kjo dhe të dilte në media, mund të ishte një shuplakë që kryeministri ta mbante mend. Personalisht nuk jam fare i nderuar me ardhjen e tij, por nuk do gjykoj askënd që e mirëpret atë me shpirt apo sipërfaqësisht. Siç thashë ky është opinioni im personal që uroj të jetë i gabuar për shkak të verbërisë sime ndaj veprave të mëdha të realizuara me plane 5 vjeçare nga drejtuesi ynë i madh që siç diktatori i shekullit të kaluar ka vështirësi të dëgjojë ata që mendojnë ndryshe. Ndoshta pas vizitës në Toronto, i duhet të fillojë të shkruajë vepra që të bëhen lexim i detyruar edukativ në shkolla, mundësisht dhe te përkthehet në gjuhët kryesore të botës.

Autori është Pastor Ungjillor

©Flasshqip.ca