Blog

Anglezët protestojnë, shqiptarët pushojnë - Nga Ilir Levonja

Protesters in Westminster on Saturday morning. CNN

  Ilir Levonja

BBC e hap faqen e parë me titullin, “Protestat përfshijnë vendin”. Kjo për shkak se kryeministri ka bindur mbretëreshën për një pezullim të përkohshëm të institucionit të kuvendit. E gjitha në lidhje me oshilacionet politike të daljes së Anglisë nga Bashkimi Europian. Në fakt kjo është një situatë midis atij anglezit të ftohtë, i cili nuk do që taksat e tij të mbulojnë firot e rajonit, ku demokracinë e bëjnë neokomunistët me bindje shpirtërore dhe lidhje gjaku, kurse shoqërinë, civilizimin etj., ata që hanë fara luledielli, dhe e atij anglezit me dëshirën për të parë një njësi administrative të plotfuqishme si Shtetet e Bashkuara të Europës. Është një betejë sa politike dhe sociale. Nuk kanë probleme ekonomike të vendeve të treta, në fund të fundit është Mbretëria e Bashkuar, sa sundues aq edhe demokrate. Nuk ka ndodhur që të ikë gjysma e parlamentit dhe gjysma të zëvendësohet menjëherë me lista. Dhe kurrë nuk ka ndodhur të mbajnë zgjedhje vetëm, vetëm me një parti. Dhe kurrë nuk kanë patur komisionerë a gjyqtarë që ngrinin trekëndësha për veten duke i thënë njëshit “fol se tani në vend varem për ty”. Kë vendim të shfuqizoj e kë ta mbuloj me ar për ty?

Në Britani, një pezullim parlamenti përflitet dhe kaq, protesta. I madh dhe i vogël. Dhe po të shohësh pankartat e tyre janë, “Stop Brexit”, “Mjaft Boris”, (adresuar kryeministrit aktual), “Mbroj demokracinë”, “Mos fol në emrin tim”, “Jam Europian”, “Jo mure mes Anglisë dhe Irlandës”, “Demokracia është një filxhan çaji”, etj.

*Foto e marrë nga bbc.com

Shqiptarët me shtypin e tyre, pushime në det, në male. Mihali, spanjolli, Rama, Veliaj, burrat e Shkodrës. Sokol Balla kap majat. Heqin Krastën dhe Rakipin. Do futemi në Europë. Opozita: Ta shihni në shtator, ja edhe dy ditë do pushojmë... ikin refugjatët. Presidenti ngjit Korabim me Kallakun. Çfarë tha Amerika, po Palmeri...?

Kurse shqiptarët si shoqëri civile : “Ka vdekur këtu. Këtu gjithçka ka mbaruar. Nuk të lënë këta. Këta të hanë të gjallë”.

Dhe këto nuk janë rezultate të rastësishme. Mjafton një kalkulim i thjeshtë, nga 1990 e deri më sot kabineti qeveritar anglez është ndërruar; Margaret Thatcher, John Majer, Tony Blair, Gordon Brown, David Cameron, Theresa May dhe së fundi Boris Johnson që ne e nxorrëm turk me prejardhje shqiptare.

Pra, afro tetë kryeministra e për rrjedhojë me rotacione fine, gati të pandjera, pa asnjë krizë ngërç me përplasje dere, djegie, njohje a mosnjohje zgjedhjesh etj. Por kot nuk janë Angli dhe kot shqiptarët nuk paguajnë qimet e kokës për t'u bërë qytetarë anglezë. Kurse ne ngul e shkul katër emra, njëri më presh se tjetri.