Blog

OSBE nuk dha note kaluese për zgjedhjet e 30 Qershorit - Nga Afrim Krasniqi

Raporti i ODIHR/OSBE, ashtu siç pritej, skanoi krizën politike, dështimin e sistemit të garancive ligjore, natyrën abuzuese të partive me shtetin dhe në thelb, pas rreth tri dekadave nga “kriteret e Kopenhagen” pafuqinë e Shqipërisë për të zhvilluar zgjedhje të lira, konkurruese dhe të ndershme. Në Tiranë, ashtu siç pritej, ata që penalizuan edhe njëherë progresin e Shqipërisë janë të kënaqur dhe gjejnë në raport fjalë e fjali që ushqejnë turmat e tyre militante.

ODIHR nuk dha notë kaluese për asnjë prej komponentëve të zgjedhjeve por njëherësh, për asnjërën prej palëve politike e institucionale, përfshirë qeverinë, KQZ, opozitën, Kolegjin Zgjedhor, administratën apo Presidentin. Palët patën akuza dhe retorikë ditore, duke munguar thelbi: pranimi i përgjegjësive, reflektimi dhe propozimi për daljen nga kriza. Alibia e legjitimitet mbetet pa rëndësi përderisa zyrtarisht të gjitha proceset e votimit në periudhën 1945-1987 janë pranuar legjitime për standardet e asaj kohe. Alibia e raportit që rrëzon qeverinë, mbetet gjithashtu pa rëndësi përderisa gjatë viteve të tranzicionit kemi pasur raporte edhe më të ashpra për kabinetet e majta e të djathta, protagonistët e të cilave janë ende sot në politikë. Thjesht, raporte të tilla nuk kanë fitues dhe as alibi.

Ato janë skaner, janë alarm, janë draft axhendë dhe janë piketat ku duhet nisur reforma e përfaqësimit (sistemi dhe administrimi zgjedhor) dhe ajo e qeverisjes (raportet midis partive e shtetit, ndarja pushteteve). Politikisht ato janë konfirmim i dështimit të klikave politike që na përfaqësojnë, - pa legjitimitet dhe moralitet, pa llogaridhënie dhe as transparencë, por edhe një paralajmërim se në pranverën e vitit 2020 vendi duhet të përballet me mekanizmin e vetëm demokratik që eksiton, zgjedhje të reja, por në kushte / kritere / standarde të reja ligjore dhe politike.