Blog

Të shkruash kundër kryeministrit nuk do të thotë që je armik i atdheut - Nga Robert Kore

Gjatë javës së fundit, qarkulluan në rrjet disa artikuj ku flitej për anullimin e pjesëmarrjes së Edi Ramës në Toronto Global Forum dhe një letër drejtuar këtij forumi, të nënshkruar nga 17 qytetarë kanadezë me origjinë shqiptare.

Lexova shumë komente rreth këtyre artikujve dhe letrës. Një pjesë e konsiderueshme e komenteve ishin pro faktit që vizita u anullua. Argumenti i tyre ishte që Kryeministri i Shqipërisë është një njeri i lidhur me krimin. Ai erdhi në pushtet me mbështetjen e krimit të organizuar dhe po qëndron në pushtet bashkë me krimin, prandaj ai s’ka vend të bëje show në forume te tilla.

Por në grupe të tjera që janë mbeshtetës të Rames, kishte edhe disa komente pak a shumë të këtij lloji: Ata që firmosën letrën rreth vizitëss së Edi Ramës, janë maskarenj dhe armiq të Shqipërisë. Edi Rama, i mirë apo i keq, është kryeministri i vendit.

Ky është një mentalitet totalisht komunist. E para, tek shumë shqiptarë quhesh akoma armik nëqoftëse mendon ndryshe. E dyta, por më e rëndësishme se e para, meqenëse vjen në një vend të huaj, sipas disave, ne duhet ta presim me lule Edi Ramën edhe kur mendojmë se ai e ka futur krimin kudo në sistem. Me fjalë të tjera, ne duhet ta bejmë Edi Ramen të ndihet mirë kur vjen këtu ku jetojmë ne. Pra të shtiremi dhe ta bëjmë Edi Ramen të pranueshëm në Kanada.

Ky koncept rrjedh nga e kaluara jonë komuniste, kur udhëheqësi duhej respektuar dhe glorifikuar, ku për shembull, Haxhi Lleshi, nje copë mishi me dy sy dhe gjithë Haxhi Lleshët e tjerë, duheshin respektuar dhe duheshin tundur lulet para tribunave të 1 Majit.

Jo, kjo eshte gabim! Përkundrazi, në vende të civilizuara, kur proteston kundër politikanëve të korruptuar respektohesh dhe rrit reputacionin e vendit tënd. Kudo ku bëhen takimet e G7 ose G20 protestohet kundër presidentëve apo kryeministrave të këtyre vendeve. Në vitin 2010 u bë një protestë e madhe në Toronto kundër G20, ku kishin ardhur protestues edhe nga vende të tjera. Madje protesta degjeneroi në protestë të dhunshme dhe më shumë se 400 u ndaluan nga policia.

Shpesh herë ka ndodhur që kryeministri apo presidenti i një vendi në vizitë diku tjetër, është qëlluar me domate apo vezë nga emigrantët bashkëatdhetarë të tij. Edhe kur je në një vend të huaj, të qëndrosh indiferent kur shikon një të keqe të vendit tënd është njëlloj sikur ke marrë anën e të keqes.

Never be afraid to raise your voice for honesty and truth and compassion against injustice and lying and greed. If people all over the world...would do this, it would change the earth.

William Faulkner