Blog

I ëmbël zëri i gjyshes...

Agim Xhafka shkruan në Facebook

Edhe gjyshja ime jetonte mes Tiranës dhe Korçës. Si unë sot mes Amerikës dhe Shqipërisë. Atje rrinte tek goca, në Korçë tek djali, babai im.

Mbaj mend akoma gëzimin e madh prej fëmije kur ajo mbërrinte me autobuz në Korçë. Më zihej fryma kur shfaqej tek dera, vrapoja dhe e shtrëngoja fort. Ajo ishte kadife në të folur, kadife në të prekur e kadife në të dashur. Qe butësia vetë.

Deri tek shtëpia i puthja dorën dhe nuk flisja. Ecja me kokën lart, mbetesha duke parë anenë, siç e thërrisja. Ajo me dorën tjetër më shtronte lehtë flokët. E ndjeja si një gjethe ftoi qe më cekte lehtazi.

Akoma sot bëj habi me vrapin tim përjashta, sapo aneja ime ulej në divan te kuzhina. Nuk rrija gjatë me të. Dilja të luaja me shokët e tani për këtë çudi e jap një përgjigje.

Gjyshja është si diamanti. E kundron atë, e ledhaton, emocionohesh, pastaj e fut në kasafortë (në familje) që ta garantosh që është jotja e s'ta merr kush. Ja pse edhe kur rrija jashtë e luaja ngrija kokën tek dritarja e katit të tretë e me zemër të gëzuar thoja:"Erdhi nënokja ime,erdhi!"