Blog

Ne, sikur të donim vërtetë…

Ndue Ukaj shkruan sot në Facebook:

Çuditërisht, në ditë të shënuara, siç është 1 Qershori, ne përjetojmë metamorfozë. Përnjëherë bëhemi solidarë, të dashur, të urtë, dhe tregojmë respekt për njëri-tjetrin, siç po sillemi sot në ditën kushtuar fëmijëve.

Po ashtu, në ditë të shënuara, ne dimë t’i ulim flamujt e mosmarrëveshjeve, dhe t’i ngremë lart ata të bashkimit. Por, krejt ndryshe sillemi gjatë pjesës tjetër të vitit, kur tentojmë t’ia shqyejmë sytë njëri-tjetrit.

Ne, sikur ta donim Gjergj Kastriotin përditë, siç e duam me 17 janar, nuk do të kishim kaq shumë kriza të thella identitare.

Ne, sikur ta donim shtetin e Kosovës përditë, siç bëhemi me 17 shkurt, punët tona do të ishin fort më mirë.

Ne, sikur t’i kushtonim rëndësi librit, siç bëjmë me 23 prill, do ta mposhtnim injorancën, që është bërë superfuqi në vendin tonë.

Ne, sikur të ishim europianë, siç shtiremi me 9 maj, rruga jonë drejt integrimit në BE do të ishte shumë më e shkurtër dhe shqiptarët nuk do të ishin azilkërkues në shtetet e perëndimit.

Ne, sikur të mendonim vërtet për fëmijët tanë dhe brezin që vjen, nuk do t’i linim ata të rriteshin me kaq shumë tensione, dhe tërë këtë helm të gjuhës dhe mosdurimit që po e mbjellim përditë mes nesh.

Ne, sikur të ishim patriotë, siç shtiremi me 28 nëntor, fatit i kombit tonë do të ishte shumë më pozitiv.

Tagged under Ndue Ukaj